Ristani: Kodi mund të ndryshojë, por jo KQZ-ja
Kodi Zgjedhor duhet të ndryshojë, por jo përsa i përket mënyrës së përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Është kryetari aktual i KQZ-së, Arben Ristani, ai që vlerëson se përbërja politike e këtij institucioni nuk pengoi në një administrim të rregullt dhe ligjor të procesit zgjedhor, pavarësisht akuzave të vazhdueshme të opozitës për militantizëm partiak. I pranishëm dje në një aktivitet për certifikimit e vëzhguesve vendore të organizatës “Albanian Life Quality”, kreu i institucionit më të lartë të administrimit të zgjedhjeve ka sugjeruar se reforma elektorale duhet të përqendrohet në aspekte të tjera të procesit zgjedhor, kryesisht në ato që janë konstatuar edhe në raportin e OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet e shkuara parlamentare. “Pra, nuk besoj se çështja kryesore do të fokusohet tek administrimi i zgjedhjeve. Partitë politike, aktorët dhe faktorët politikë kanë përcaktuar administrimin politik të zgjedhjeve si mënyrë menaxhimi, në këtë formë është organizuar KQZ-ja, komisionet e nivelit të dytë të qendrave të votimi, në këtë formë janë organizuar edhe grupet e numërimit”, - tha Ristani. Ai ka pranuar se ekzistojnë edhe forma të tjera të administrimit të zgjedhjeve me komisionerë jopolitikë, por fakti që mënyra sesi është menduar të funksionojë në Shqipërisë është ajo me përbërje politike dhe kjo sipas tij nuk ka përbërë deri më sot një problem që duhet të adresohet. “Sigurisht që dhe ka dhe mënyra të tjera të administrimit zgjedhor, nuk mund të them se kjo formë që ne kemi është më e mira, por është një formë rezultative e menaxhimit të zgjedhjeve”, - tha më tej Ristani. E duke u ndalur te reforma e pritshme zgjedhore, Ristani, i cili drejton KQZ-në prej tre vitesh, gjykon se ndryshimet duhet të prekin në radhë të parë ato pjesë të Kodit që kanë të bëjnë direkt me shpejtësinë e procesit, duke dhënë zgjidhje ligjore për çdo defekt apo vështirësi që u evidentua në dy zgjedhjet e fundit, ato të 2009-s dhe ato të majit 2011. “Reforma zgjedhore është e domosdoshme. Vënia në zbatim e ligjit zgjedhor tregon që ai ka vend për të ndryshuar dhe përmirësuar, për të arritur standardet më të mira. Nuk besoj që shtyllat kryesore të ndryshimit të Kodit Zgjedhor do të jetë ndryshimi i administrimit të zgjedhjeve. Do të jenë pika të ndryshme të Kodit Zgjedhor, që do ta bëjnë atë më fleksibël në zbatimin e tij” - tha Ristani. Ndërkohë që për të nisur reformën zgjedhore bëhet e nevojshme pritja e rezultateve që do të japë raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 8 Majit. Këtë e kanë konsideruar si domosdoshmëri dhe përfaqësuesit e OSBE-së, të pranishëm në aktivitetin e djeshëm, të cilët kanë vlerësuar se raporti i 2009-s dhe ai që pritet të dalë duhet të jenë lënda e parë e riformatimit të kodit. Por megjithatë, mund të bëhet fjalë vetëm për pritshmëri, sepse për të realizuar një reformë të tillë duhet dhe konsensusi i opozitës, e cila nga ana e saj e ka kushtëzuar atë me reformën kushtetuese. Siç ka bërë të ditur dhe kreu socialist disa ditë më parë, reforma zgjedhore mund të vijë vetëm pasi të jetë kryer më parë reforma kushtetuese.