PS-së i mungojnë tezat politike
Partia Republikane theksoi dje se Kongresi i Partisë Socialiste, mbajtur dy ditë më parë u karakterizua nga konfuzioni total i ideve dhe veprimeve politike. Nënkryetari Arian Madhi renditi edhe arsyet për këtë qëndrim. Sipas Madhit, Rama e mblodhi Kongresin e PS për qëllimin e vetëm t’u tregojë anëtarëve të partisë së tij dhe paturpësisht dhe opinionit shoqëror se ai ka akoma mbështetës në PS, të cilët i japin atij mundësi për të kontrolluar orientimin dhe veprimin politik të partisë së tij. “Edi Rama rendi sa nga e majta në të djathtë, në mungesë të një platforme apo tezash politike, ai nuk tha asgjë konkrete në këtë Kongres përveçse fjalëve dogmatike”, theksoi nënkryetari i PR-së. Sakaq, përfaqësuesi i PR-së theksoi se Rama gjatë kongresit evidentoi armiqtë e tij, brenda partisë, duke i cilësuar si cinikë dhe të pavlerë. Nga ana tjetër, Madhi nënvizoi se gjatë fjalës së tij, Rama e vendosi qeverinë në akuza jo të drejta për mosqeverisje dhe për mungesën e frymës vizionare integruese. Po kështu, nënkryetari i PR-së theksoi se Rama bëri apel nëpërmjet revolucionit dhe mosbindjes, duke sjellë një qëndrim arkaik dhe antieuropian.
#