UT, sezone provimi me pagesë
Universiteti i Tiranës ka miratuar rregulloren, e cila i mundëson studentit të drejtën të përsërisë të njëjtin provim deri në tre provime brenda një viti, ose katër për studentët që janë në vit të fundit. Për herë të parë, përcaktohet që përveç tre sezoneve tradicionale, mund të shtohen edhe dy sezone të tjera në prill dhe dhjetor me propozimin e këshillave studentorë, të cilat janë me pagesë. Gjithashtu, një tjetër risi është përcaktimi i numrit total të lëndëve që mund të japë provim një student për ciklin e studimeve, duke ulur ndjeshëm mbingarkesën në lëndë dhe duke i dhënë më shumë kohë studentit në lëndët që i nevojiten për profesionin e tij të ardhshëm.
Sipas rregullores, projektet e kursit janë të detyrueshme të shlyhen në masën 100%, në të kundërt studenti nuk hyn në provimin e lëndës. Studenti nuk lejohet të hyjë për të dytën herë në provimin e një lënde brenda një sezoni. Studenti ka të drejtë të japë provim në të njëjtën ditë në lëndë të ndryshme, nëse e lejon orari i zhvillimit të provimeve, me kusht që të jetë regjistruar paraprakisht.
Rregullorja“Studenti ka të drejtë të japë provim në tre sezone të rregullta: sezonin e verës, vjeshtës dhe dimrit. Në raste të veçanta, me kërkesë të Këshillit Studentor mund të hapen edhe dy sezone (dhjetor dhe prill), për të cilat ata i nënshtrohen tarifave për shërbimin e ofruar”, thuhet në rregulloren e miratuar të UT.
Sasia mesatare e krediteve të grumbulluara në një vit nga një student me kohë të plotë është 60 kredite. Një krediti të studimeve universitare i korrespondojnë 25 orë mësimore pune të studentit. Viti akademik organizohet në dy semestra. çdo semestër ka 15 javë. çdo javë ka 20-25 orë mësimi leksione, seminare e laboratorë. Për çdo program studimi të ciklit të parë nuk mund të parashikohen në total më shumë se 22 provime apo forma të tjera të vlerësimit përfundimtar të dijeve, të fituara në një disiplinë apo veprimtari tjetër formuese, duke realizuar provime të integruara për më shumë se një disiplinë apo module të koordinuara. Për çdo program studimi të ciklit të dytë nuk mund të parashikohen në total më shumë se 14 provime apo forma të tjera të vlerësimit përfundimtar të dijeve, të fituara në një disiplinë apo veprimtari tjetër formuese. Për programet e integruara të ciklit të dytë nuk mund të parashikohen në total më shumë se 35 provime apo forma të tjera të vlerësimit përfundimtar të dijeve, të fituara në një disiplinë apo veprimtari tjetër formuese.
Rishikimi i notësStudenti ka të drejtën e rishikimit të notës në çdo vit akademik, për deri në tri lëndë nga detyrimet e atij viti.
Për rishikim note, studenti provohet vetëm një herë dhe vetëm në sezonin e riprovimeve duke mbetur në fuqi nota me të cilën studenti vlerësohet në fund. Rregullorja thotë se kërkesa për rishikim note i paraqitet dekanatit/drejtorisë para sezonit të riprovimeve. Studenti i vitit të fundit ka të drejtë të rishikojë deri në katër lëndë, përfshirë këtu edhe lëndë nga vitet paraardhëse.