E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënshkodra, për herë të tretë nën ujë

Drini dhe Buna mbulojnë qindra hektarë tokë bujqësore në Dajç, Bushat e Velipojë

Ndërsa drejtuesit e KESH-it pohuan se nuk ka rrezik përmbytjeje, qindra hektarë tokë në zonën e Nënshkodrës u mbuluan dje pasdite nga uji, për shkak të shkarkimeve që po bëjnë hidrocentralet mbi kaskadën e lumit Drin.

Fushat e Nënshkodrës kanë marrë sërish pamjen e një liqeni të madh dhe banorët kanë veshur sërish çizmet dhe po u rikthehen varkave. Konkretisht ka sipërfaqe tepër të mëdha toke të mbuluara nga uji në komunat e Nënshkodrës, por uji ende nuk ka prekur banesat, të cilave gjithsesi po u afrohet me “hap” të vendosur.

Ndërkohë ka nga ata banorë të Nënshkodrës të cilët kanë nisur të largojnë bagëtitë nga frika e një përmbytjeje masive.

Në fshatin Darragjat të Komunës Dajç, që ndodhet buzë lumit Buna, uji ka mbuluar tokat dhe banorët janë të frikësuar nga përmbytja e tretë. Një nga banorët e zonës, Gëzim Hasani, tha dje se “u përmbytëm dy herë dhe na bëri aq dëm sa nuk e di se kur mund ta marrim veten. Tani po shohim se uji po futet sërish në fusha dhe kemi frikë. Po shohim se tokat po përmbyten sërish dhe jemi të shqetësuar se mos uji na hyn brenda në shtëpi. Brenda tre muajve e gjysmë po përmbytemi për herë të tretë dhe nuk dimë se si do shkojë kjo puna jonë. Mos do vazhdojmë të jetojmë me këtë ankth gjithë jetën?!”.

Në të njëjtën kohë, fryrja e Drinit nga shkarkimet që po bën hidrocentrali i Vaut të Dejës ka rritur ndjeshëm nivelin e lumit pranë lagjes Ajasëm të Shkodrës, ku në disa lokale buzë lumit Drin, uji po tenton të futet brenda.

Prezencë uji është shfaqur edhe në tokat bujqësore në fshatin Obot, ku në disa vende lumi Buna ka kaluar argjinaturat. Por më shqetësuese duket situata në fshatin Ashtë, ku rrjedha e lumit Drin po rrezikon të marrë me vete disa shtëpi. Aktualisht në këtë zonë janë dërguar çadra për disa banorët, për të cilët është tepër e vështirë të flenë brenda, pasi uji mund të vërshojë nga çasti në çast.

Ndërkohë Shtabi i Emergjencave Civile në Prefekturën Shkodrës ka ngritur grupet punës në çdo zonë problematike, që po vëzhgon nga afër situatën në terren. Sipas burimeve nga shtabi, deri në këto momente, kemi të bëjmë vetëm me përmbytje të sipërfaqeve të tokave, të cilat janë të ndjeshme ndaj rritjes së nivelit të lumit Buna dhe ende nuk ka problem serioz për banesat përveç disa shtëpive në fshatin Ashtë.

Në muajin janar dhe shkurt të këtij fillim viti, Nënshkodra u përmbyt dy herë dhe rreth 16 hektarë tokë dhe mbi katër mijë banesa u mbuluan me mbi një metër ujë, duke shkaktuar dëm prej rreth 4 milionë eurosh.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›