E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: Ekonomia, ritme minimale zhvillimi

Që prej tremujorit të parë të këtij viti, trendi i ritmit të zhvillimit ekonomik ka ardhur në rënie. Qeveria kishte parashikuar rritje deri në 5 % për 2009

TIRANË- Ritmet e zhvillimit ekonomik të vendit vazhdojnë të ngadalësohen nga muaji në muaj. Efektet e krizës ekonomike globale në ekonominë shqiptare janë pranuar edhe nga ekzekutivi, ndërkohë që shifrat e ofruara sëfundmi edhe nga Instituti i Statistikave e përforcojnë më shumë atë. Sipas INSTAT-it, gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, ekonomia e vendit është rritur me 4.1 për qind, në krahasim me një njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, vetëm brenda këtij tremujori, ritmet e rritjes janë ulur me 1.2 për qind në krahasim me tremujorin e dytë të 2009-ës.
Në fakt, nëse analizohet ecuria e rritjes ekonomike të vendit duke filluar nga fillimi i këtij viti, vërehet një ulje e vazhdueshme e ritmit nga tremujori i parë deri në atë të tretin. Kështu, gjatë muajve janar-mars 2009, sipas INSTAT-it, ekonomia shqiptare u rrit me 6 për qind, në muajt prill-qershor me 5.3 për qind, ndërsa gjatë këtij tre mujori ritmi i rritjes ka zbritur me 1.2 pikë përqindje duke arritur në 4.1 për qind. Mësohet se këto janë ritmet më të ulta të rritjes ekonomike të vendit përfshirë edhe vitin e trazirave 1997.
Nëse edhe gjatë tremujorit të katërt, ritmi i rritjes ekonomike të vendit do të ndjekë këtë trend, atëherë shifrat e zhvillimit ekonomik për shqipërinë do t'i afrohen parashikimeve të bëra nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për vitin 2009. Në fillim të këtij viti, zyrtarë të FMN-së kishin parashikuar një rritje ekonomike modeste për Shqipërinë me rreth 0.7 për qind.
Ndërkohë, edhe pas kalimit të efekteve të drejtpërdrejta të krizës eknomike, FMN parashikon një rigjenerim të ngadaltë të ekonomisë shqiptare.
Nisur nga kjo, FMN parashikon që çmimet në tregun me pakice gjatë këtij viti të kenë normat më të ulëta të rritjes. Ndërsa, inflacioni gjithashtu pritet të jetë në nivelet më të ulëta gjatë viteve të pluralizmit, me rreth 1.5 për qind. Kjo shifër është nën limitin e vendosur nga qeveria dhe Banka e Shqipërisë, të cilat kanë përcaktuar që ai të vërtitet midis 2 dhe 4 përqindshit.
Shkaku sipas INSTAT-it, i këtij ngadalësimi të rritjes ekomike është goditja nga efektet e krizës globale të sektorëve kyç, siç janë industria dhe ndërtimi.
Gjatë këtij tremujori, degët që sipas INSTAT patën rritjet më të mëdha krahasuar me të njejtën periudhë të vitit të shkuar, janë post-telekomunikacioni, transporti dhe tregtia, respektivisht me 34.3 për qind, 15.5 për qind dhe 6.4 për qind. Ndërsa raportohet se industria dhe ndërtimi janë degët që kanë ndikuar më shumë në uljen e ritmeve të zhvillimit ekonomik duke pësuar rënien më të madhe krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2008, me - 4.5 dhe - 0.7 për qind. Krahasuar me tremujorin e dytë 2009, rritjen më të madhe e patën përsëri degët posttelekomunikacionit me 20.5 për qind dhe industria me 5 për qind. Ndërsa degët që pësuan rënie janë ato të ndërtimit me -9.5 për qind dhe shërbimet me -0.2 për qind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›