E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS shprehet qartë kundër referendumit për ndryshimet në Kushtetutë

Kryetari i PS, Edi Rama, tha dje se nuk është i nevojshëm referendumi për ndryshimet në Kushtetutë, pasi, sipas tij, për këtë çështje është shprehur një herë parlamenti, i cili është shprehje e popullit sovran.

“Janë pa lidhje këto dy gjëra. Parlamenti është shprehur një herë dhe ai është shprehje e popullit sovran”, - tha Rama. Rama i është përgjigjur në këtë mënyrë kryetarit të LSI, Ilir Meta, i cili pak ditë më parë i dërgoi një letër kryetarit socialist, ku i kërkoi që deputetët e PS të firmosin për zhvillimin e referendumit për ndryshimet në PS. Në deklaratën e djeshme të Ramës, duket qartë se nuk do të këtë asnjë bashkëpunim me LSI, sa kohë që LSI do t’iu përmbahet kushteve që ka vendosur për bashkëpunim me PS, mbajtjen e një referendumi për ndryshimet në Kushtetutë, për të cilat LSI është shprehur kundër që në momentin e parë kur ndryshimet u publikuan në formë drafti nga PS. Rama dje bëri të qartë se PS e konsideron një çështje të mbyllur çështjen e ndryshimeve në Kushtetutë, duke theksuar se parlamenti është përfaqësues i popullit dhe në këtë mënyrë çështja e referendumit për ndryshimet në Kushtetutë është e ezauruar. Për sa i përket çështjes së bashkëpunimit me partitë e tjera dhe përçarjes që ka përfshirë të majtën javët e fundit, Rama u shpreh dje, se PS po ndërton një koalicion shumë më të madh sesa koalicioni ndërmjet partive, të cilin ai e quan koalicion me të gjithë shqiptarët. Rama u shpreh dje, se synimi i PS nuk janë vetëm partitë dhe aleanca me to, por synim kryesor i saj për të fituar zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, është koalicioni me shqiptarët, i cili, sipas Ramës, po realizohet nëpërmjet “Dialogut me Shqipërinë”.


Deklarata


“Partia Socialiste është forca që do të fitojë zgjedhjet e 2009, sepse është forca që po ndërton çdo ditë rrugët e shpresës, rrugët e zhvillimit, mirëqenies dhe integrimit dhe që po ndërton çdo ditë një koalicion të madh, që është një koalicion mes partish, por është edhe një koalicion mes politikës dhe qytetarëve, duke e kthyer politikën në një instrument në duart e çdo qytetari, që dëshiron përmes Partisë Socialiste të bëjë të dëgjohet zëri i vet dhe që në programin tonë të ri, do të gjej rrugën e vet. Bashkimi i i ri është një nocion i gjerë, është një nocion i trajtuar dhe i hedhur në mjedisin publik nga ne, që në shtatorin e shkuar. Është nocioni bazë i “Dialogut me Shqipërinë”, është filozofia e një politike, që nga duart e politikanëve duhet të shkojë në duart e qytetarëve. Që nuk duhet të mbrojë interesat e një grushti politikanësh, por interesat e të gjitha grupimeve shoqërore, duke mbrojtur qytetaret e qytetarët e këtij vendi, pikërisht për një Shqipëri për të jetuar me punë të ndershme. Është një nocion i kapërcimit të politikës së vjetër të pazareve të vogla dhe i daljes në hapësirën e madhe të dialogut me Shqipërinë e qytetarëve në qytet e fshat, për çështjet e jetës, që kanë të bëjnë me punësimin, që kanë të bëjnë me arsimimin, prodhimin, luftën emancipuese kundër papunësisë, varfërisë, dhunës, injorancës, korrupsionit, që ka të bëjë më gjithçka, ku politika është mision për të ndryshuar, mision për të transformuar, por është hapësirë për të bashkëjetuar dhe bashkëpunuar, si dhe që ka të bëjë me dosmodoshmërinë për t’u ndarë nga 17 vjet politikë interesash të politikanëve dhe për t’i hapur rrugë një politike, ku është qytetari, është familja shqiptare, janë komunitetet që përbëjnë fokusin dhe njëkohësisht qendrën e gravitetit”, - tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›