PS siguron 10 mandate në Elbasan, vijon numërimi i votës së diasporës dhe kandidatit preferencial

Në Qarkun e Elbasanit, numërimi i votave në 505 qendra votimi ka prodhuar për Partinë Socialiste 79,657 vota, të përkthyera në 10 mandate.
Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore ka shënuar 38,865 vota, një disavantazh prej 40,792 votash krahasuar me të majtët, duke siguruar 4 mandate, çka ka lënë jashtë kandidatin e listës së sigurt, Aurel Bylykbashi.
“Shqipëria Bëhet” u rendit si forca e tretë me 4,551 vota, por pa arritur të sigurojë mandat.
Në të gjitha bashkitë e vogla të Qarkut Elbasan vihet re një mbështetje e theksuar për PS-në.
Efekti “Dash Sula” është vërejtur në Peqin, ku PS ka arritur të sigurojë 71.17% të votave, e ndjekur nga Gramshi me 69.68%.
Ndërkohë, PD shënon shifra më të larta përkrahjeje në Bashkinë Elbasan me 33%, e ndjekur nga Belshi po me 33%.
Në këto zgjedhje, në Qarkun e Elbasanit rezultuan rreth 6 mijë vota të pavlefshme, ndërsa 3 kuti u raportuan me mungesë dokumentacioni dhe, për rrjedhojë, kalojnë në shqyrtim nga KQZ-ja.
Sakaq, vijon në “Parkun Olimpik” numërimi paralel i votës së diasporës, ku edhe në këtë proces kryeson bindshëm PS-ja.
Ndërkohë, procesi i votës preferenciale në Qarkun e Elbasanit po vijon me numërimin e votave për kandidatët për deputet.
RTSH