PS s’ndal bojkotin – nën panikun e humbjes bllokon edhe zgjedhjet e Shalës

KQZ akuzon KZAZ-në e Shkodrës se nuk po kryen detyrat e parashikuara në Kodin Zgjedhor. Leonard Olli: “PS dhe PBDNJ po bllokojnë zgjedhjet e komunës Shalë”
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akuzuar dje KZAZ-në e komunës Shalë në Shkodër, e cila kryesohet nga anëtarët e opozitës se po pengon qëllimisht zgjedhjet në këtë komunë. Në një konferencë për shtyp zëdhënësi Leonard Olli ka theksuar se KQZ-ja me shqetësim ka konstatuar se përgatitjet për zgjedhjet se së dielës në komunën Shalë nuk janë në nivelin dhe parametrat e duhura pasi KZAZ-ja nuk po kryen detyrat e parashikuara në kodin zgjedhor. “Komisioni zonal i administrimit të zgjedhjeve i cili ka në mazhorancën e vet nga Partia Socialiste dhe Partia për të Drejtat e Njeriut sërish nuk po kryen detyrat e parashikuara nga kodi zgjedhor duke shkelur kështu në mënyrë flagrante jo vetëm ligjin por edhe detyrën që i është ngarkuar”- theksoi më tej Olli.
Në vijim të fjalës së tij ai tha se si rezultat i mos vendim marrjes së KZAZ-së respektive edhe pse Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë prezantuar kandidatët e tyre për anëtarë të komisioneve në 5 qendrat e votimit në komunën e Shalës, Komisioni zonal ende nuk e ka kryer emërimin e tyre dhe vazhdon të vonojë qëllimisht këto emërime ndërkohë që dy subjektet e tjera si Partia Socialiste ashtu edhe Partia për të Drejtat e Njeriut nuk i kanë paraqitur ende propozimet për komisionet e qendrave të votimit çka do të thotë bllokim i plotë i procesit zgjedhor sepse baza materiale e cila ndodhet tashmë pranë KZAZ-së në Shkodër nuk ka mundur të shkojë pranë qendrave të votimit çka presupozon teorikisht por nisur edhe nga eksperienca e datës 31 korrik, qe një tentative e pastër për të bllokuar sërish zgjedhjet në këtë komunë”- deklaroi zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Olli. “Nëse ndodh atëherë nuk do të zhvillohen zgjedhjet. KQZ-ja nuk do të tolerojë mos zhvillimin e zgjedhjeve në Shalë pasi kjo komunë po mban peng përfundimin e procesit zgjedhor të 8 majit”- shtoi më tej ai.
Ndërkohë i pyetur në lidhje me raportin e OSBE/ODIHR-it, Olli theksoi se një ndër pikat më të forta të raportit është neglizhenca dhe mosrespektimi i ligjit nga subjektet politike. Sipas tij pesha e fajit i ka kaluar KQZ-së ndërkohë që janë partitë politike ato të cilat kanë vonuar në mënyrë të papërgjegjshme zgjedhjet. Ai ka shtuar se KQZ-ja do ta japë mendimin dhe opinion e saj në momentin që zgjedhjet vendore të kenë përfunduar.