E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, socialistëve: Zemuni ju mban peng

Kryeministri Sali Berisha ka mbajtur dje në Kuvend një fjalim prej gati 120 minutash për t’iu përgjigjur akuzave të opozitës, në një mocion 5-orësh për debat parlamentar. Seancën e hapi kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, e cila paraqiti mbi 20 pyetje për Kryeministrin për çështjen “Fazlliç”, por Berisha në fjalimin e tij prej dy orësh nuk përmendi asnjëherë emrin e biznesmenit boshnjak. Ndryshe nga sa mendohej, Kryeministri ka bërë një mbrojtje të veçantë, ku në fjalimin maratonë ka renditur të gjitha reformat si dhe realitetin aktual në krahasim me atë të para vitit 2005. Kryeministri iu përgjigj akuzave të opozitës me kundërakuza. Ai akuzoi direkt kreun e PS-së, Edi Rama. “Asnjë opozitë në botë nuk ka vepruar në këtë mënyrë. Ajo flet me mijëra kilometra fjalë lloqe dhe gënjeshtra. Ky është opozitarizëm pa kokrra, me komplekse. Shkaku i vetëm është ndryshimi i Shqipërisë”, - nisi fjalimin Berisha

Kundërakuzat

Kryeministri Berisha akuzoi Edi Ramën si antishqiptar, që vepron me metoda të ulëta vetëm për qëllime të ulëta politike. “Ky mocion ka zilinë primitive të atyre që në tre vjet përjashtuan veten nga kjo rrymë zhvillimesh, të atyre që verbohen nga realizimi i reformave tona historike”, - tha Berisha i cili akuzoi direkt pjesëtarë të opozitës si të lidhur me eksponentë të krimit, që sipas tij, “krahas ndarjes së fitimeve të drogës, ndanë edhe shtratin me ta”. Kryeministri lëshoi edhe një sërë akuzash ndaj Ramës. Ai bëri një përmbledhje të punës së qeverisë dhe paralelisht, të gjitha lëvizjet e opozitës. “Kur në Bruksel shkruhej MSA-ja, në Parlament binin bilbilat”, - tha Berisha i cili shtoi se “Zemuni (Edi Rama) ka arkivat e tij me të cilat ju mban peng”. Akuzat e Kryeministrit vazhduan më tej, kur ai akuzoi Ramën si kryetar i Bashksië së Tiranës. “I bëj thirrje kryetarit me korrespondencë të bashkisë të heqë dorë nga këto praktika, si dhe të miratojë pranin urbanistik të qytetit në mënyrë që mister betoni të mos marrë 15-përqindëshin”, - tha Berisha, i cili edhe deklaratat e fundit të Ramës për liberalizimin e universiteteve, i cilësoi si “alergjia e shkollës së lartë që vjen nga periferia e Bllokut. Kryetari përdhosi opozitën dhe sheshin “Skënderbej” nën moton “Rroftë vdekja poshtë qeveria”. Censuron lajmet dhe festoi ditëlindjen e diktatorit më të egër në botë, duke nxjerrë në televizion të venë e tij, sipas arkivave të KGB-së së Stalinit. Urdhëroi mediat e tij të publikonin se i vodhën orën Bushit, por qytetarët e Fushë-Krujës nuk do të harrojnë këtë fakt se u poshtëruan”, - akuzoi më tej Berisha. Por në fjalën e tij, Berisha bëri një bilanc të gjatë në të gjitha reformat e ndërmarra nga ekzekutivi. “Sot pas tri vitesh, ne mund të themi se janë vitet më elitare për ndryshimin e imazhit të Shqipërisë. Nënshkrimi i MSA-së dhe ratifikimi i saj nga 2 vende, vizita e Presidentit Bush, ftesa për në NATO, lehtësimi i vizave dhe hapja e bisedimeve për liberalizimin e tyre, renditja në çatinë e botës për reformat, renditja me 20 vende më shumë të Shqipërisë në një vit për antikorrupsionin. Beteja e luftës së korrupsionit është beteja e jetës sime. Shqipërinë do ta vendosim në 20 vendet më të pastra në botë për luftën antikorrupsion”, - renditi Berisha.

Debati me Ruçin

Pas përfundimit të fjalës së Kryeministrit Berisha, në podium u ngjitën edhe mjaft deputetë të tjerë të opozitës të cilët akuzuan Kryeministrin për implikime. Një prej deputetëve që akuzoi rëndë Berishën, ishte deputeti i PS-së, Gramoz Ruçi, i cili deklaroi se qeveria është e zhytur në afera të rëndë korrupsioni. Kryeministri reagoi duke i bërë një pyetje Ruçit: “Dua të di në rast se i kini zgjidhur problemet e hakmarrjes brenda partisë. Fatos Nano të ka akuzuar se ke dashur ta vrasësh”, - tha Berisha. Por Ruçi u kundërpërgjigj, duke thënë se ”kjo nuk është e vërtetë, por kam një kundërpyetje: ‘Pse nuk ke shkuar në Tropojë dhe kur do të vesh atje?”

Akuzat e opozitës ndaj Kryeministrit për çështjen “Fazlliç”

Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, lexoi në fillim të seancës plenare të gjitha akuzat që opozita kërkon të sqaronte, sipas saj, me Kryeministrin në mocionin për debat. “Grupi kuvendor i PS-së kërkoi zhvillimin e këtij mocioni për debat, me Kryeministrin, nisur nga një çështje që ka të bëjë me lidhje të dyshimta të tij dhe qeverisë, që ai drejton me një përfaqësues të botës së interesave të paligjshme, lidhje që e kanë vendosur qeverinë në konflikt të hapur interesi”, - tha Leskaj, e cila më pas renditi edhe akuzat. “Është kapje e shtetit për sa kohë që Kryeministri vë në shërbim të tij institucionet e shtetit dhe qeveria merr vendime në favor të biznesit të tij (si ngritja e parkut energjitik), kur familjarë të Kryeministrit dhe ministrave rezultojnë të lidhur direkt në afera biznesi me të. Keni rastin të sqaroni shqiptarët: A ka pastrim parash në transaksionet e Fazlliçit, a janë paguar taksat sipas ligjeve të shtetit shqiptar, a janë transparente bilancet e kompanive të mikut tuaj dhe shumë pyetje të tjera që jua kemi vënë në dispozicion një muaj më parë”, - lëshoi akuzat në Kuvend Leskaj. Kryetarja e grupit kuvendor socialist tha më tej se çështja “Fazlliç” tregon se shteti është kapur. “Është kapje e shtetit, kur për shkak të tij Kryeministri vë nën presion institucionet e pavarura, duke kërkuar deri edhe hetim ndaj prokurorisë. Është kapje e shtetit, kur në shërbim të tij vihet eskortë policore. Është kapje e shtetit kur Fazlliçi vë në rresht qeveritarë, të cilët raportojnë përpara tij për çështje të sigurisë kombëtare dhe këtë e bën në cilësinë e biznesmenit”, - tha më tej Leskaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›