E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, tur dhe fushatë në bazë

Zgjedhjet, vizat dhe ekonomia

“Hap kutitë - Liro vizat - çliro ekonominë”. Kjo është motoja e turit të ri në bazë të kryetarit socialist, Edi Rama. E promovuar në Berat dhe Durrës dy ditë më parë, ajo ka vijuar në Korçë për të ndjekur një itinerar që të sjell në mendje turin “Dialog me Shqipërinë”. Në fakt, nisma aktuale përkon edhe me zgjedhjet e brendshme në parti, në përfundim të të cilave ngrehina institucionale e selisë rozë do të jetë riformatuar. Në njëfarë mënyre, duket se kreu i saj do të jetë personalisht i angazhuar në procesin zgjedhor, që paraqitet delikat, për shkak se ai vë në diskutim ekuilibrat e brendshëm që do të duhet të ripërcaktohen pas gati një viti nga humbja e 28 qershorit. Ajo që përbën risi në këtë dalje të re në bazë të kreut socialist, është apeli politik që përfaqëson motoja e shpallur dhe që i drejtohet drejtpërsëdrejti Kryeministrit Sali Berisha. Me tri kërkesa qenësore, opozita socialiste i adreson sot qeverisë faturën e një dështimi që lidh në mënyrë organike dhe të thjeshtë deformimin e pretenduar më 28 qershor me penalizimin e Shqipërisë për liberalizimin e vizave, si dy përbërëse që gjejnë shprehje në krizën ekonomike. Në njëfarë mënyre, opozita ka hapur fushatë në të gjithë vendin, e cila duket si një fazë përgatitore dhe sensibilizuese për sezonin politik të vjeshtës, kur edhe pritet klimë e re politike. Afrimi i zgjedhjeve lokale duket se po vë në lëvizje PS dhe partitë e tjera opozitare, që po parapërgatiten duke vendosur mbi tryezë nevojën e zgjidhjes së problemit të transparencës së 28 qershorit, që mbetet një problem për integritetin e proceseve elektorale në Shqipëri.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›