Vlorë, i sëmuri mendor nën kujdes mjekësor
I sëmuri mendor që masakroi tri punonjëse të spitalit psikiatrik të Vlorës, po mbahet i izoluar nën vëzhgimin e rreptë të mjekëve. Dje, 35-vjeçari Altin Doko është marrë në pyetje nga oficerët e policisë, por pa mundur të merren detaje të ngjarjes, pasi ka qenë nën efektin e qetësuesve të fortë. Pritet që ditët e ardhshme ai të paraqitet përpara togave të zeza të Gjykatës së Vlorës për të marrë masën e sigurisë. Ndërkohë, mësohet se drejtoria e spitalit psikiatrik kishte bërë kërkesë për 35-vjeçarin nga Përmeti që të largohej nga ambientet e spitalit, pasi përbënte rrezikshmëri. “Në këtë spital janë 5 pacientë për të cilët është kërkuar largimi i tyre për shkak të rrezikshmërisë që paraqesin. Ata janë dënuar për vepra penale dhe ne kemi kërkuar që të mos qëndrojnë bashkë me të sëmurët e tjerë, pasi kanë qenë agresivë. Por deri më sot nuk është marrë asnjë vendim” është shprehur drejtoresha e spitalit psikiatrik të Vlorës, Antonela Agaj. 35-vjeçari prej gjashtë vitesh qëndron në spitalin e Vlorës pas një vendimi të togave të zeza të Gjirokastrës. Ai ka kryer një tentativë vrasjeje dhe më pas është sjellë në spital me një vendim gjykate, që e ka shpallur të paaftë mendërisht. Ditën e premte ai ka shkuar në kuzhinën e spitalit dhe pasi ka rrëmbyer një thikë nga banaku, ka qëlluar pjatalarësen Bejaze Ronkolli. Pasi kanë dëgjuar thirrjet për ndihmë të 50-vjeçares, kanë ndërhyrë dy punonjëse të tjera për ta neutralizuar goditjen e të sëmurit. Por agresori ka qëlluar me të njëjtën thikë edhe dy punonjëset e tjera. është dashur ndërhyrja e kujdestarëve për të evituar ndonjë masakër. Të plagosurat u dërguan në spitalin rajonal për të marrë ndihmë mjekësore. 50-vjeçarja vazhdon të qëndrojë në spitalin rajonal të Vlorës dhe gjendja e saj shëndetësore vazhdon të jetë e rënduar.
#