E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burg pa afat për gruan dhe djalin vrasës

29/07/2010 I mituri ndërron versionin: E vrava unë, u nxeha se nuk fliste pse nuk më jepte pjesën e pasurisë

FIER- Gjykata e Shkallës së Parë të rrethit gjyqësor Fier ka dhënë dje masën e sigurisë “burg pa afat” të autorëve të vrasjes se 48-vjeçarit Ylli Zeqaj. Gjykata ka vendosur që nënë e bir të gjykohen në burg deri në përfundimin e plotë të hetimeve. Luljeta Zeqo dhe djali i saj 16 vjeç, L.Z kanë marrë masën burg pa afat.

Vrasja

Nënë e bir akuzohen se kanë vrarë Ylli Zeqon për motive xhelozie. Trupi gjykues ka lënë në fuqi vendimin e përfaqësuesit të organit të akuzës duke hedhur poshtë pretendimin e avokatit mbrojtës hetim në gjendje të lirë. Gjykata e Shkallës së Parë Fier ka lënë në burg gruan vrasëse dhe të birin 16-vjeçar, i cili duke qenë i mitur nuk u soll në sallën e gjykatës, ndërsa vendimi për të do të ekzekutohet në burgun e të miturve në qytetin e Vlorës. Seanca për shqyrtimin e arrestit dhe dhënien e masës së sigurisë ka bërë publike portretin e vrasëses të ish-bashkëshortit, Luljeta Zeqaj, e cila madje edhe ka folur. “Ishte djali ai që e vrau burrin, sepse ai nuk i jepte pjesën e shtëpisë dhe të pasurisë që i takonte. Kur u ndamë duhet të ndanim edhe pasurinë dhe të caktonim pjesën e fëmijëve”, ka deklaruar Luljeta Zeqaj përpara togave të zeza. Gjyqtar i kësaj seance ishte Gentian Hamitaj, ndërsa prokuror Çlirim Sina. Mësohet se 45-vjeçarja nuk kishte marrë avokat dhe gjykata vendosi përfaqësimin e të pandehurve nga një avokat i shtetit. Sipas burimeve nga gjykata, duket më pak e penduar, ndërsa shprehet e shqetësuar për djalin e saj. Ky i fundit mësohet të ketë treguar për organin e akuzës edhe njëherë të gjithë skenën që u zhvillua gjatë ekzekutimit të babait të tij. Ai, ndryshe nga sa ishte deklaruar për grupin e hetimor pas arrestimit, ka ndryshuar rrjedhën e rrëfimit duke marrë vetë përsipër krimin. Edhe djali, ashtu sikurse nëna e tij përballë togave të zeza, ka pohuar se e kishte qëlluar me thikë babanë në debat e sipër. “U nxeha keq se ai qëndronte i heshtur kur unë i kërkoja pjesën time të pasurisë. Nuk e kontrollova veten. Më pas gjithçka shkoi keq. Unë doja të tregoja në polici, por mamaja nuk më la”, mësohet të ketë thënë djali për prokurorët. Luljeta Zeqaj së bashku me të birin e mitur akuzohen për ekzekutim në rrethana rënduese të 48-vjeçarit Ylli Zeqaj, ngjarje kjo e ndodhur më 23 korrik të këtij viti. Policia e gjeti kufomën pas dy ditësh, ndërsa mbrëmjen e së dielës që shkoi nënë e bir rrëfyen krimin përpara efektivëve të policisë, e cila bëri edhe ndalimin e tyre. Ndërkohë që zhvillohej seanca gjyqësore në ngarkim të vrasëses 45-vjeçare, në ambientet e jashtme të gjykatës nuk është parë asnjë nga të afërmit e saj apo të burrit të vrarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›