E Diel, 1 Nëntor 2026

PSD: Qeveria dështoi në reformën në drejtësi

Kryetari i PSD, Gjinushi shprehu shqetësimin për degradimin e reformës në drejtësi. Sipas tij kjo qeveri dështoi në tentativat për të reformuar këtë sistem dhe se ajo nuk e ka më legjitimitetin. 

TIRANE- Kryetari i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi, shprehu shqetësimin për degradimin e reformës në drejtësi. Sipas Gjinushit, kjo qeveri që bashkëpunon me krimin për të sulmuar institucionet është në konflikt interesi me të gjithë sistemin e drejtësisë.
“Kjo qeveri ka dështuar në tentativat për të bërë një reformë reale në drejtësi. Qeveri nuk ka më legjitimitet për të bërë këtë gjë pasi është në fund të mandatit të saj dhe mbi të gjitha kjo qeveri është në konflikt të pastër interesash me drejtësinë”, tha Gjinushi.
Kreu i PSD-se Gjinushi, i kërkoi publikisht qeverisë të bëj të ditur dëmin ekonomik të nxjerrë nga ekspertët për segmentin Rrëshen-Kalimash, ndërsa shprehet skeptik edhe për zbardhjen e çështjes “Fazlliç”.
“Si mund të zbardhet dhe të gjykohet drejt çështja “Fazlliç” kur, që në ditën e parë Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Brendshme marrin anën e të akuzuarit dhe jo të Prokurorisë”, shtoi më tej Gjinushi.
Gjinushi e ka cilësuar çdo bashkëpunim me shumicën për reformat në drejtësi si bashkëpunim me krimin dhe korrupsionin.
Në këtë mënyrë PSD del kundër selisë rozë, e cila vazhdon bashkëpunimin për reformat kyçe në vend siç është ajo zgjedhore dhe ajo në drejtësi. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›