E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma në drejtësi, LSI kundër komplotit PS-PD

LSI, nëpërmjet deputetit të saj Spartak Braho ka reaguar ashpër ndaj reformës në drejtësi dhe komplotit PS–PD për këtë reformë. Braho ka ritheksuar se ankimet ligjore të llojit Alibeaj nuk janë pjesë e synimeve për reformë. 

TIRANË - Lëvizja Socialiste për Integrim është deklaruar sot kundër “Variantit të ri” të lojës së rrezikshme të PS-PD, lidhur me disa çështje te rëndësishme të zhvillimeve politike e institucionale në aktivitetin parlamentar. “Ripërsërisim edhe një herë mbështetjen tonë për Rezolutën e Shoqatës së Gjyqtareve, prokurorëve, avokatëve noterëve dhe të gjitha grupeve të interesit të lidhur me sulmin frontal që ka ndërmarrë qeveria në nismat e saj ligjore për të prekur jo vetëm pavarësinë e tyre por edhe për ti anashkaluar ato në procesin e reformës në drejtësi”, ka deklaruar në emër të LSI deputeti Spartak Braho.
Gjatë një konference për shtyp, Braho ka ritheksuar se ankimet ligjore të llojit Alibeaj nuk janë pjesë e synimeve për reformë, por synimi i vendosjes se kontrollit të ekzekutivit mbi institucionet e drejtësisë për t’i rrënuar ato.
Sipas LSI, ashtu siç kanë theksuar edhe përfaqësuesit e EURALIUS, projektligjet e qeverisë Berisha – Alibej, janë të papranueshme për cilësinë e tyre të dobët dhe se cënojnë rëndë integritetin e organeve të drejtësisë. “Projektligjet fuqizojnë monopolin vendimmarrës të Ministrisë së Drejtësisë duke eliminuar parashikimet ligjore që e detyrojnë këtë ministri për tu konsultuar ne vendimmarrjet e saj me grupet e interesit, gjyqtarë, prokurorë, avokatë, noterë etj, gjë që bie ndesh me rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare”, tha Braho.
Lëvizja Socialiste për Integrim, nëpërmjet deputetit Braho e ka parë si të papranueshme qëndrimin në detyrë të ministrit Alibeaj, jo vetëm për kontradiktat e thella që ai ka krijuar me institucionet e pavarura të drejtësisë, por se ai ka konflikt interesi dhe është një ministër që pandehet si i inkriminuar në tragjedinë e Gërdecit. Sipas LSI kjo e fundit po hetohet nga organi i prokurorisë dhe Alibeaj duhet të largohet si i papërshtatshëm për të drejtuar institucionin e Ministrisë dhe reformën në drejtësi.
“Reforma Alibeaj po synon për te monopolizuar pushtetin e ekzekutivit dhe jo për te ruajtur balancat. Ajo është shfaqur frikshëm tani si një burim arrogance dhe imponimi i iniciativave ligjore edhe antikushtetuese, duke bërë presion e sulmuar punën dhe direkt punonjësit e organeve te drejtësisë. Më së miri këtë e dëshmoi dje edhe Kryeministri i cili akuzoi prokurorët që hetojnë aferat e qeverisë, si të lidhur me krimin”, u shpreh Braho.
Në përfundim të deklaratës LSI denoncon përsëri komplotin dhe tradhtinë e re të Edi Ramës me Sali Berishën. Braho i ka kërkuar përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare të BE-së, të OSBE –së dhe Ambasadës Amerikane të mos lejojnë të kalojë ky komplot bipartizan shkatërrues për demokracinë në Shqipëri.
(Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›