Padurimi që vjen prej Gërdecit
Përplasja e fundit në Parlament përbën kulmin e përdorimit të fjalorit banal në gjithë historinë e parlamentarizmit shqiptar. Kryeministri Sali Berisha ka shfaqur momente disekuilibri si asnjëherë tjetër. Në fjalorin e Kryeministrit mbahen mend mjaft shprehje ekstreme, në qendër të të cilave kanë qenë kundërshtarët politikë, por asnjëherë sharje me fjalët më banale, me njerëzit e shtëpisë. Opozita e tij ka qenë gjithnjë e ashpër në zhargonin e përdorur. E kemi dëgjuar Berishën t'u thotë socialistëve se "do t’jua thaj buzëqeshjen në buzë"; t'i thotë paraardhësit të tij Fatos Nano "kriminel", "hajdut" "mafioz", e t'i përmendë gruan si të korruptuar; e kemi dëgjuar t'i thotë Edi Ramës "njeri që fle në puplat e krimit", e t'i përmendë familjarët e tij; t'i përmendë Arta Dades, djemtë e saj "vrasës"; po ashtu Gramoz Ruçit, djalin dhe nipat e tij; t'i thotë Agron Dukës, "klani i Zemunit" etj., etj. Gjatë kohës kur ka qenë në opozitë, Sali Berisha nuk ka lënë kundërshtar pa i hyrë në shtëpi, nëpërmjet fyerjesh e shpifjesh.
Deri para seancës së fundit parlamentare, ku shau me nënë, me motër, e me çfarë kishte deputetin e opozitës, Taulant Balla, i cili në të vërtetë provokoi, por nuk tha asgjë më shumë sesa "vajza e Kryeministrit donte të bëhej edhe ajo ministre". Ndaj tij, janë kthyer mbrapsht, të gjitha ato që ai ka thënë për të tjerët. Në mos më shumë. Por për hir të së vërtetës deri para 2-3 vitesh, kur u bë publike pasuria e vajzës së tij, opozita nuk ia kishte përmendur asnjëherë pjesëtarët e familjes.
Shprehja e padurimit të Kryeministrit nuk është e rastit. Ai ndodhet në mes të vërtetës së trishtueshme të Gërdecit dhe përpjekjes së dështuar për ta mbuluar atë, duke u përpjekur të manifestojë një qetësi të sipërfaqshme, megjithëse brenda tij lexohet qartë një tension i pariparueshëm. Problemi është se Berisha nuk i ka në dorë të gjitha mekanizmat që mund ta nxjerrin të palagur. Në momentin e tanishëm atij i duhet të bëjë, njëkohshëm, tri gjëra: së pari, të vuajë tensionin e brendshëm që i sjell e vërteta e tragjedisë së Gërdecit, dhe gjasat që drejtësia ta zbardhë; së dyti, t'u mbushë mendjen të tjerëve që ai nuk ka asnjë lidhje me korrupsionin e armëve dhe; së treti, të luajë rolin e një artisti të madh, duke folur gëzueshëm për "bumin" ekonomik, për Shqipërinë në NATO, për energjinë, rrugët, ujësjellësit, Internetin etj. Pra, Kryeministrit i duhet njëkohësisht të mendojë "A", të shkruajë "B", dhe të thotë "C". Një gjë e pamundur kjo për trurin e njeriut të sotëm. Opozita e kish përmendur më parë dhjetëra herë emrin e vajzës së Kryeministrit, duke e akuzuar për pasurinë e saj të dyshimtë dhe se kish influencuar në emërimin korruptiv të disa ministrave të rëndësishëm të kabinetit. Por asgjë s'kish ndodhur. Gjithçka ka ndryshuar pas Gërdecit. Kryeministri po kërkon ta mbulojë të vërtetën duke spekuluar me sensibilitetin që kanë njerëzit në rastin kur ju përmenden familjarët.
Pjesa emocionale, në asnjë lloj rrethane, nuk mund të justifikohet për pozicionin e një Kryeministri. Ai edhe mund të provokohet nga opozita. Një kryeministër që kur ka qenë vetë në opozitë ka provokuar, ka prishur seanca, ka marrë fjalën, kur dhe ku ka dashur, ka folur si ka dashur… i di mirë këto gjëra. Mjafton kjo për ta vlerësuar ndodhinë përtej një incidenti.
Por nuk është vetëm Kryeministri që duhet vënë me shpatulla për muri për atë që manifestoi në Parlamentin shqiptar. Mënyra se "incidenti" në fjalë u trajtua nga spikerja e Parlamentit, Jozefina Topalli, ishte më skandalozja duke u kthyer në precedent. Pamë një kryeparlamentare që nuk e njeh fare raportin e saj me ligjin, me detyrën shtetërore, e cila urdhëron dhunimin e viktimës në vend që, të paktën, të qetësojë agresorin. "Ky e meriton me e kap për zhelesh e jashtë…", e më tej "...kapeni e nxirreni jashtë atë zotërinë, kapeni e nxirreni jashtë! Vagabond, ik andej, ik! Dil jashtë dhe nuk hyn më...". Me këto shprehje, Topalli i është drejtuar Gardës së Republikës, përgjegjëse për sigurinë.
Ajo që të shkon në mendje kur shikon këtë skenë, është të pyesësh se ku e merr të drejtën spikerja e Parlamentit, të bëjë vlerësimin në një debat të nxehtë verbal dhe të urdhërojë Gardën të nxjerrë jashtë një deputet pa pasur asnjë lloj konfrontimi fizik? Ku e merr të drejtën të shfrytëzojë mekanizmat e shtetit, për të trajtuar një deputet në Parlament si një bashibozuk rrugësh? Gjëja më e thjeshtë e më ligjore që mund të bëjë spikerja është të mbyllë seancën dhe më pas të bëjë vlerësimet e nevojshme. Një kryetar parlamenti, që ka dy pare mend në kokë, duhet të përfitojë nga eksperiencat e mëparshme, të cilat kanë rezultuar deri tragjike.
Kërcënimi i fundit i Berishës mund të konsiderohet si triumf i instinktit mbi arsyen e një njeriu të korruptuar, ndërsa akti i Jozefina Topallit ishte më së paku, degjenerim i shtetit në kuptimin më klasik të tij. (As diktatorët nuk kanë urdhëruar rojet e sigurisë të dhunojnë një deputet në tribunën e Parlamentit). Guximi i Topallit është i performuar sa prej servilizmit aq edhe prej naivitetit, sa prej fudullëkut aq edhe prej hakmarrjes. Falë Zotit, Garda e Republikës nuk e ka zbatuar urdhrin për të dhunuar deputetin, një shenjë shumë e mirë kjo, pse jo një shpresë se në Shqipëri ka njerëz që e kuptojnë se ligji është mbi urdhrin verbal. Me atë që bënë, së fundi, Berisha dhe Topalli e kanë mbushur kupën, e kanë bërë Parlamentin zhele-zhele, fund e krye, duke rrezikuar eksportimin e zheleve të shumicës së kriminalizuar në të gjithë shoqërinë shqiptare.