PSY nuk erdhi në Tiranë

Këngëtari koreano-jugor “PSY”, i cilesuar si “fenomen” në televizionet muzikore dhe internet, nuk ka performuar mbrëmë në Tiranë, siç ishte pritur.
Një nga klubet e natës në Tiranë, kishte lajmëruar se do të sjellë me 18 maj këngëtarin e “Gangnam Style”, shoqëruar nga balerinat e videos.
“Të dashur miq,
për shkak të një eventi të rendësishëm në SHBA , PSY ka shtyer datat e Evropës , duke përfshirë këtu dhe datën në Shqipëri. Shumë shpejt do t'ju njoftojmë për datën e re të PSY “, thuhet në sqarimin e bërë nga organizatorët.
PSY, javë më parë ka publikuar një këngë të re, “Gentleman” e para që prej supersuksesit me “Gangnam Style”, që me 1,5 miliardë klikime është shndërruar në videon më të klikuar në historinë e “You Tube”. /Indeksonline/