E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjithnjë gati

Kreu i grupit kuvendar demokrat thotë se mazhoranca kërkon që kufizimi i imunitetit të jetë produkt konsensusi me opozitën. Ai thotë se ky ligj nuk mund të jetë i njëanshëm

Kreu i grupit kuvendar demokrat, Astrit Patozi, thotë se mazhoranca është e gatshme që të diskutojë për çështjen e kufizimit të imunitetit dhe të mbështesë miratimin e tij. Sipas tij, Partia Demokratike nuk dëshiron që ligji për kufizimin e imunitetit të jetë i njëanshëm, por produkt i një konsensusi edhe me opozitën. “Në qoftë se ata (opozita) janë gati, ne që nesër e fusim në axhendë dhe e finalizojmë. Por ne kërkojmë që procesi të jetë i dyanshëm, pasi përndryshe nuk do të kishte kuptim. Edhe rekomandimi i Komisionit të Venecias është i tillë, por edhe ne nuk dëshirojmë të bëjmë një ligj të njëanshëm për heqjen e imunitetit, sepse duam që e gjithë klasa politike të marrë një vendim të përgjegjshëm, i cili nuk duhet të ketë parasysh vetëm imunitetin e politikanëve, por edhe imunitete të tjera”, thotë Patozi për “Korrierin”, duke shtuar se kjo është një kërkesë edhe e Këshillit të Evropës dhe e Bashkimit Evropian. Vetë deputetët opozitarë kanë shprehur qëndrimin e tyre për të nisur diskutimet për çështjen e kufizimit të imunitetit, ndërsa e kanë deklaruar se e dorëzojnë menjëherë imunitetin, në rast se prokuroria e kërkon atë. Ndërkohë, pritet që diskutimet për çështjen e kufizimit të imunitetit të nisin në ditët e ardhshme, duke qenë se aktualisht forcat politike po punojnë për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor. Ndërkohë, Patozi flet edhe për situatën aktuale, ku diskutimet për kufizimin apo jo të imunitetit janë më të pakta. Sipas tij, kjo heshtje vjen si pasojë e pritjes së nisjen së diskutimeve të dhe arritjes së një konsensusi për këtë ligj. “Opozita ka ndryshuar disa herë qëndrim për imunitetin, sepse në fillim ishte kategorikisht kundër, pasi mendonte që mund të përdorej kundër saj, ndërsa më vonë u tregua pak bashkëpunuese, duke thënë se “ne edhe mund ta trajtojmë si çështje, por e duam këtë në kuadër të reformës në drejtësi. Kurse tani ka heshtje nga ana e tyre për heqjen e imunitetit”, thotë Patozi. Çështja e kufizimit të imunitetit, kryesisht të deputetëve, është një çështje që është diskutuar vazhdimisht gjatë mandatit të këtij parlamenti. Ka qenë mazhoranca aktuale, e cila sapo ka ardhur në pushtet e ka kërkuar një gjë të tillë, me argumentin se kjo kërkohej edhe nga Komisioni i Venecias. Para pak muajsh, opozita nga ana e saj shprehu vullnetin që të nisnin diskutimet për kufizimin e imunitetit, ndërsa propozoi që kjo çështje të trajtohej si pjesë e reformës në drejtësi, duke e konsideruar si të papërshtatshëm projektligjin e propozuar nga Partia Demokratike për këtë çështje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›