E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pa jetë private

Afrim Koçi përpara librave që ka përkthyer në katër dekada. Biblioteka Kombëtare ekspozoi dje mbi 100 përkthimet e Koçit. Dita Botërore e Librit dhe e së Drejtës së Autorit i kushtohet këtë vit përkthimit, me shkas përvjetorin e tetëdhjetë të Index Translationum (1932-2012) Foto: F.Zhurda

Elsa Demo

Para se të flasë, Afrim Koçi ka nevojë të vendosë syzet e diellit edhe pse salla është e ndriçuar me dritë neoni. Ai u thotë të pranishmëve në atriumin e Bibliotekës Kombëtare fjalë që ata i dinë dhe këta asgjë e huaj nuk i ndan nga njeriu që kanë përpara. Afrim Koçi sapo ka thënë që festa kushtuar përkthimit në Ditën Botërore të Librit, punës së tij përkthimore në veçanti, nuk është një gjë personale. Skam bërë më shumë se të tjerët thotë ai. Të tjerët janë si Petro Zheji përkthyesi i Servantesit, sot pensionist në Tiranë, Sotir Caci e Bujar Doko përkthyes të Balzakut, Stendalit, Dikensit, Drajzerit, – që nuk jetojnë. Kam ngjitur shkallët që kanë ngjitur dhe ata. Këtu Afrim Koçi ka nevojë të heshtë. Ata që janë përballë po mendojnë se 71-vjeçari ka për ta dhënë sado pak veten. Ai i zhgënjen. U thotë gjëra të njohura: redaksia e letërsisë së huaj në shtëpinë botuese Naim Frashëri nuk ishte institucion shkencor por kishte kritere shkencore dhe kërkesa të rrepta gjuhësore për përkthimin.

Për këtë pjesë të historisë së kulturës së shkruar shqip, sapo ka folur Shpëtim Çuçka. Ai dallon shkollën shqiptare të përkthimit si një veprimtari kulturore që ka në krye të saj Fan Nolin. Pasurimi i kulturës kombëtare nëpërmjet përkthimit dhe dashuria për gjuhën amtare si përbashkuese e gjithë shqipfolësve, janë tipare që e dallojnë këtë shkollë nga ndonjë shkollë tjetër përthimi të cilën Çuçka e cilëson të natyrës jo-kulturore dhe tregtare. Zgjedhja e veprave me një shenjë kulturore, pohimi në to i vlerave të gjuhës shqipe, i japin arsye Çuçkës ta vendosë emrin e Afrim Koçit në radhën e kontribuesve të shkollës shqiptare të përkthimit. Skam ndjerë në punën e tij momentin e dobësisë para gjuhës. Përkundrazi, krijoi deri dhe fjalorë nga bota e zoologjisë, botanikës, peshkimit. Natyrën e përkthimit të teksteve dramatike që ska si të mos kalojë nëpërmjet intensitetit psikologjik, Çuçka e ilustron me dramat e Gorkit për të cilat kishin punuar Treska, Malëshova, Pasko, Zheji, edhe Koçi ndër ta, e veçanërisht për përkthimin e dramave të Ibsenit, sigurisht përkthyer nga një gjuhë e dytë. Pas disa orë ngulur në tavolinën e zyrës mbi dramën Rosa e egër, shkonte në dritare dhe kthehej e fliste për konfliktin e radhës së personazheve, të një bote e sistemi shoqëror të huaj për shoqërinë ku Afrim Koçi jetonte. Bartjen e përvojave të shoqërive të tjera në një gjuhë tjetër ai e përjetonte, thotë Shpëtim Çuçka, koleg i viteve të fundit në ndërmarrjen shtetërore të botimeve.

Kishte kaluar periudha e artë e redaksisë së letërsisë së suaj nën drejtimin e Drago Siliqit në vitet 1960-80. Pohimi i Piro Mishës përfshin këtu kontributin e Afrim Koçit, për të thënë se përkthimi u bë në periudhën e izolimit politik nga dritaret e pakta ku e shihnim botën. Mitrush Kuteli, Skënder Luarasi, Petro Zheji, Vedat Kokona, Klio Evangjeli e shumë të tjerë, emrat e të cilëve po i përmenden Ministrit të Kulturës Aldo Bumçi i pranishëm, janë një brez që nuk mori sa duhet.

Dy përkthime, që Misha i quan maja të punës së Afrim Koçit, Mali Magjik i Thomas Mann-it dhe Kujtime të Eqrem bej Vlorës, janë botime të viteve dymijë. Në ekspozitën që Biblioteka Kombëtare i kushton dyzet viteve përkthim, – 1972 është viti zyrtar i fillimit të punës së tij në shtëpinë botuese Naim Frashëri është qartësisht e dallueshme liria e zgjedhjes, por edhe intensiteti i punës për të sjellë në shqip në njëzet vitet e fundit, vepra voluminoze nga letërsia e historia. Ekspozita me afro 110 tituj prezanton përkthime nga pesë gjuhë, rusishtja, anglishtja, frëngjishtja, italishtja, dhe kryesisht nga gjermanishtja: Zigfrid Leng, Maks Frish, Stefan Cvajg, Petër Vais, Hajnrih Bël, Marianë Gruber, Gynter Gras, Sharlotë Tomas, Volfang Borhert, Herman Hese etj..

Këta janë shokët, bashkëbiseduesit, që pavarësisht anëve të tjera jo të këndshme të jetës, Afrim Koçit këta i janë pasuria që pasuron, pasuria e bibliotekave që jepen falas por nuk shfrytëzohen sepse teknologjia, komunikimi virtual, njerëzit i ka niveluar.

Po sa nga këta miq i ka gjymtuar censura? A do të ndodhë një ditë që ky kontribut i Koçit, pjesërisht i shqyrtuar nga kritika, të kalojë nëpër një gjykim të shkencëtarëve të përkthimit?

Nesër në mëngjes Afrim Koçi zbret me Linjën e Porcelanit në Bibliotekën Kombëtare të vazhdojë punën atje e ku ka lënë një ditë para. Pasdite kthehet me të njëjtën linjë që e lë në stacionin e fundit, në pellgun e ish Kinostudios, në shtëpinë ku jeton vetëm prej një jete.

Peshq të mëdhenj tregime e novela nga Orhan Hançerliogllu. Në çfarë rrethanash u bë ky botim i parë i përkthimit tuaj, në vitin 1973?

Kjo është data zyrtare kur kam filluar të botoj libra, por përkthimit i isha futur prej kohësh. Fillimisht nga rusishtja. Ne në shtëpinë tonë kemi qenë familje librofilësh. Dhe prova e parë e imja e përkthimit si për çdo njeri që mëson një gjuhë të huaj, ishin ushtrimet metodës së gjuhës së huaj.

Tregimet dhe novelat e Hançerliogllut i kisha përkthyer si autodidakt, pastaj ia kam dhënë shtëpisë botuese. Ky dhe një libër nga bota e kafshëve janë librat e mi të parë. Ne ishim rrogëtarë dhe detyrimisht bënim librat për të cilët paguheshim. Në kohën e komunizmit kërkesat për përkthimin kanë qenë të një niveli shkencor, po ishte edhe norma. Norma në krijimtarinë artistike! Kishte përkthyes si Petro Zheji që nuk e pranonte këtë kriter, – nuk i vihet normë shkrimtarit, thoshte, sepse përkthyesin e konsideronte një lloj shkrimtari.

Ka protestuar?

Po ka protestuar. Norma zyrtare ishte 2-6 faqe në ditë, edhe këtë e përcaktonte shefja sipas vështirësisë së librit. Rrogat kanë qenë minimale, 500 e ca lekë. Përpjekjeve tona të vazhdueshme për të ndrequr rrogat nuk iu përgjigj njeri. Ishin kohë të vështira. Kur u bë rregullimi i pagës së përkthyesve të veprave të Enver Hoxhë në gjuhë të huaja, atëherë detyrimisht u rregulluan dhe rrogat tona. Gjithsesi kjo iu afrua pagës së redaktorit. Duhet te keni parasysh që përkthyesit, në shumicë ishin njerëz, intelektualë të klasave të përmbysura.

Përmendët emra të veçantë kolegësh Sotir Cacin, Bujar Dokon, Petro Zhejin…

Edhe Klio Evangjelin, që unë e kujtoj si njeri dhe përkthyese shumë të mirë. Secili nga përkthyesit që u përmendën ka qenë një personalitet në punën që ka bërë. Kjo është e padyshimtë. Secili kishte një përvojë jetësore që njërin e bënte eksentrik e tjetrin të shtruar.

Shpëtim Çuçka përshkroi një moment nga puna juaj për përkthimin e Rosës së egër të Ibsenit.

Ai është përjetimi. Sepse përkthimi është i gjithi përjetim, përndryshe nuk përkthehet dot. Është emocion letërsia, nuk është të përkthesh fjalët.

Ibseni është një nga shumë rastet tuajat të përkthimit nga gjuhë të dyta.

Deri edhe nga japonishtja, e hungarishtja. Përkthime që i kam bërë nëpërmjet rusishtes ose gjermanishtes. Për përkthimin e dramave të Ibsenit unë kam shfrytëzuar pesë përkthime: rusisht, gjermanisht, anglisht, frëngjisht dhe italisht, që me sa më kujtohet ishte përkthimi më i dobët ku përkthyesi shfaqte tendencën ti italianiz

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›