E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjidhja për fermerët, kontrata nga qeveria

 Ndok Malaj

U tha se ditën e diel ishte Dita e Punimit të Tokës. Por si u përcoll ky mesazh në popull dhe çfarë u bë konkretisht? Po të bësh një udhëtim nëpër territorin e Shqipërisë, sipërfaqe të tëra toke janë lënë në mëshirë të fatit duke mos u punuar dhe shfrytëzuar nga askush.

Kjo ndodh vetëm e vetëm se qeveria ende nuk ka një politikë nxitëse dhe subvencionuese për prodhimet bujqësore të fermerëve që kanë këto toka në pronësi apo në përdorim. E tmerrshme është kur sheh se në zonën e Myzeqesë ka toka të pashfrytëzuara që shfrytëzohen në rastin më të mirë për kullota.

Po përse e gjithë kjo situate ku Myzeqeja, hambari i Shqipërisë, të mos punohet? A mos vallë këta fermerë nuk mbështeten nga shteti për prodhimet e tyre duke u konkurruar nga importet? Në tokën tonë, të gjitha punimet bëhen me mekanikë bujqësore dhe nuk po flas për tokat në zonat malore ku edhe sot për shkak të terrenit dhe kujdesit nga banorët e këtyre zonave punohet me parmendë dhe plug që tërhiqet jo nga qetë por nga kuaj dhe mushka. Kjo situatë tregon shumë se çfarë lloj punimi i bëhet tokës.

E dimë të gjithë që toka është baza e furnizimit  me të mirat materiale dhe nuk duhet kurrsesi të rrijë djerrë me çdo kosto dhe në këtë duhet të ndërhyjë shteti jo duke dhënë para por duke i mbështetur fermerët me kredi që të sigurojnë mjetet kryesore të punës, karburantin dhe pesticidet. Një tjetër mënyrë për ta vënë bujqësinë në rrugë të mbarë do të ishte edhe sigurimi i kontratave nga ana e qeverisë për shitjen e prodhimit bujqësor 100 përqind nga ana e fermerëve.

Të gjithë jemi të vetëdijshëm se tregu vendas është mirë që të furnizohet me prodhime vendase për ato që e lejojnë kushtet e vendit tonë dhe mund të them se mundësia është e madhe por vetëm duhet dhënë një dorë. Në botë popullsia është në rritje dhe nga ana tjetër dihet shkencërisht se dy të tretat janë ujë dhe një e treta është tokë.

Mjafton ky fakt për të treguar rëndësinë që ka punimi i saj. Situata aktuale nuk është as në favor të shtetit dhe as të privatit, kjo është mëse e sigurt dhe po aq e vërtetë saqë dikur toka nxirrte rendimente të larta ndërsa sot edhe pse me zhvillimin e teknologjisë dhe mundësive, shfrytëzimi dhe përfitimi nga ajo është pothuajse zero.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›