Në emër të fqinjëve
Hajro Limaj
Kohët e fundit, opinionistë që shfaqen rishtas në median e shkruar kanë marrë përsipër të trajtojnë ,të vlerësojnë dhe të rekomandojnë marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë dhe Turqinë. Të bësh analiza dhe ti rekomandosh politikëbërësve marrëdhëniet ndërshtetërore duhet të kesh identitet kulturor dhe diplomatik shumë dimensional, në të kundërt gabon. Për këtë mjafton tu referohemi shkrimeve te datës 19 dhe 20 Prill ,Turqia e re dhe Marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe rigjallërimi si nevojë.
Greqia është fqinji jonë jugor, anëtare e NATO-s dhe e BE-së, e cila vazhdon të përballet me krizën më të rëndë ekonomiko-financiare të ekzistencës së saj, krize e cila ka influencuar jo pak edhe tek ne. Por, megjithë lëshimet e mëdha që ka bërë politika e Tiranës ndaj saj ajo vazhdon të mbajë të pa zgjidhura çështje themeltare në raport me kombin shqiptar. Nga ana tjetër, ne duhet të jemi realistë se shteti, politika, shoqëria civile dhe media jonë nuk kanë propaganduar aspak frymë anti-greke në Shqipëri, përkundrazi ato kanë vlerësuar më shumë urat e bashkëpunimit që i lidhin dy vendet.
Nëse do të vazhdojë epoka e globalizimit, të gjitha pazgjidhshmëritë e deri tanishme do ti zgjidhë nëpërmjet rrugës së integrimit. Në dy komentet nënvizohej se me Greqinë duhet të rigjallërohen marrëdhëniet, gjë e cila nuk është për fajin e Shqipërisë, ndërsa për Turqinë shkruhet se shqiptarët duhet të kenë zgjuarsinë për të kuptuar se cila rrugë të çon në sheshin e civilizimit.. Shteti turk është nga aleatët më të rëndësishëm strategjik të kombit shqiptar. Këtë ai e ka treguar me fakte duke iu ndodhur pranë të gjitha vështirësive dhe rrezikshmërive që ka pasur qeveria e parë Nano, kur populli shqiptar diskutonte bukën dhe vaporët nga Stambolli sollën në Durrës grurë dhe ushqime.
Turqia, krahas Amerikës, është shteti që ka investuar më shumë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, ajo ishte një nga shtyllat kryesore të përgatitjes dhe realizimit të mësymjes ajrore të NATO-s për çlirimin e Kosovës. Është vendi i parë që hoqi vizat për shqiptarët dhe vendi që ka investuar më shumë në Shqipëri në fushën e arsimit bashkëkohor etj. Këto qëndrime kanë rritur në mënyrë natyrale mirënjohjen dhe respektin reciprok. Ballkani ka nevojë për miqësi, paqe dhe interesa reciproke, të cilat duhet ti ketë në konsideratë të plotë edhe shteti e politika e mikut tonë jugor, Greqia. Zgjidhja e tyre varet plotësisht nga Athina, gjë e cila do të rrisë më shumë mirëbesimin, respektin dhe reciprocitetin midis dy vendeve tona.