Pa kufij, s’ka komb
Antagonizmi, ashtu si grupet, të cilave ju referohet, më shumë sesa lindje si pasojë e antagonizmit të vjetër absolut midis grupeve primordiale ose të esencializuar, është një konstruktim.
Dhe këtu hyjnë në lojë kufijtë. Modeli fillestar evropian i shtetit-komb është një përgjigje direkte ndaj luftërave të përgjakshme fetare të fillimshekullit të VII. Projektimi i tij në periferitë e Evropës dhe më tutje na paraqitet si zgjidhje ndaj problemit që kërkon t’i ofrojë një justifikim kulturor konceptit të shtetit, d.m.th., kombit. Të ndërtosh kombin, do të thotë të prekësh në thellësi të kaluarën për t’i dhënë një gjenealogji, me të cilën grupi kombëtar të mund të identifikohet. Territori ose topos-i – terreni mbi të cilin duhet bazuar rivendikimi i një kombi – është element kyç për këtë qëllim. Duke përdorur autoritetin e një trashëgimie kulturore të përbashkët për të ngritur një të kaluar të unifikuar mbi atë copë territori, duke bashkuar traditat folkloristike, duke asociuar incidente historike të një rëndësie të veçantë me site specifike dhe duke përdorur studime arkeologjike e historike për të justifikuar kufijtë aktualë dhe zgjerimin e tyre, duke krijuar një kryeqytet dhe shenjtëruar monumente kombëtare, territorin dhe kufijtë që e përcaktojnë, i jepet më në fund formë materiale ëndrrës kombëtare të emancipimit.
Në Greqi, tradita perëndimore e një të shkuare helenike klasike u shfaq veçanërisht bindëse për të ofruar një gjenealogji kombëtare, pavarësisht se kjo nuk përbën një zgjidhje të shpejtë ndaj problemit se ku duhen përcaktuar kufijtë e shtetit modern. Maqedonia është një rajon kritik, ku bashkëjetojnë kujtesa kombëtare e një të kaluare helenike heroike dhe ekzistenca një të tashmeje të pasigurt, e përqendruar në ato kufij. Në një situatë të tillë, kufijtë dhe qenia e tyre e kërcënuar nga jashtë (dhe kohë më parë), shërbejnë për të ngritur kombin dhe jo e kundërta. Vetëm atëherë kur kufijtë janë përcaktuar se ku ndodhen, në mënyrë eksperimentale dhe jo më parë, shteti – komb fillon nga ana e vet të ndërtojë territorin e tij.
Janë kombet që bëjnë kufijtë apo e kundërta?
Në shkencat sociale, të ashtuquajturat “formacione socio-territoriale” sot konsiderohen si origjina e çdo identiteti. Për këtë kërkohet që kufijtë socialë (përfshirë edhe kufijtë politikë) të jenë të përcaktuar nga identitete të kundërta dhe ekskluzive dhe që ekzistojnë para se të lindnin kufijtë. Kështu shtetet – kombe përfshihen në nocionin e kufijve socialë, dhe kufijtë politikë janë vetëm një rast tjetër (më i rëndësishëm ose më përcaktues) i nocionit të kufijve socialë. Sidoqoftë, në raportin mes identitetit dhe kufijve shpesh është procesi i kundërt ai që ndodhet më afër normës; identitetet kombëtare farkëtohen, pasi kufijtë janë pak a shumë stabilizuar nëpërmjet pastrimit etnik ose përzënies, asimilimit me forcë ose ushtrime të tjera të planifikuara e spontane që kanë si qëllim homogjenizimin kulturor, të aplikuara nga autoritet qendrore ose nga mëkëmbësit e tyre lokale.
E gjithë kjo përforcohet nga fakti që në përqendrimin ekskluzivisht p.sh., mbi krijimtarinë vernacolare (në një dialekt të ngushtë. shën. përkth.), mbi simbolizmin etnik, mbi vetveten kombëtare që i kundërvë tjetrin vetes, pjesa më e madhe e përfundimeve akademike të nacionalizmit konkludon në mënyrë unike që, pasi arrihet një identitet nacional ekskluziv, ky vjen e përjetësohet menjëherë brenda popullsisë kombëtare. Një kufi pra, përcaktohet përreth një grupi kombëtar. Kjo bën të mundur që nacionalizmit t’i rrëshqasë nga duart një nga burimet kryesore të forcës politike: fakti që, duke qenë vazhdimisht në diskutim identiteti kombëtar duhet në mënyrë konstante të rikrijohet nëpërmjet mobilizimit të popullsive kombëtare (ose të segmenteve të rëndësishme të tyre). Duke u gjendur në caqet e territorit të shtetit – komb, kufijtë i ofrojnë një fokus esencial kësaj pasigurie kolektive. Pra, edhe pse të përcaktuar në mënyrë të qartë, me qenien e tyre gjithmonë në diskutim, kufijtë e shtetit vendosen në qendër të vëmendjes së një ankthi të përgjithshëm të elitave, dhe shpesh të popullsive, dhe lidhet me problemin se sa duhet të bëjë shteti akoma për të realizuar kombin.
Nëse nga një këndvështrim analitik ndarja mes kufijve socialë e atyre të shtetit ka kuptim, në praktikë të dy kufijtë janë shkrirë bashkë, për faktin se “harta mentale” e thjeshtë që sjell ndër mendje kufijtë politikë dhe aplikimi konkret i saj nëpërmjet checkpoints të vendosur mbi territor, dominon kompleksitetin e kufijve socialë. Kufijtë e shtetit nuk janë pra vetëm një tjetër shembull kufijsh, edhe pse dukshëm me të përcaktuar: në aftësinë e tyre për të ripërcaktuar të tjerë kufij dhe për të kaluar mbi ndarje të tjera lokalisht më të bazuara, ata janë cilësisht të ndryshëm. Ata kanë edhe një origjinë historike gjeografike të veçantë: nëse kufijtë socialë janë universalë e trashendentalë, edhe pse ndryshojnë për rëndësinë dhe domethënien që kanë, kufijtë shtetërore sigurisht që nuk mund të jenë të tillë. Nuk ekzistojnë përjetësisht. Në formimin e një shteti, tentativat për të kërkuar kufijtë historikë si demarkacione pa asnjë lloj ekuivoku dhe të përcaktuara, ose për të konsideruar krijimin e tyre si një datë, paraqiten problematikë në planin empirik. është e dukshme nevoja për t’i dhënë kufijve një gjenealogji historike, qoftë për “ne”, qoftë për të gjitha shtetet-kombe të tjera.
Në fakt, modeli i shtetësisë, mbi të cilat bazohet ndarja midis kufijve sociale e kufijve politikë, fillon të stabilizohet dalëngadalë aty nga shekulli XVII e XVIII në disa pjesë të Evropës perëndimore e që nga ajo kohë u përhap në të gjithë botën. E njëjta ide “modeli” është gjerësisht produkt i së njëjtës epokë: mes viteve 1610 e 1960 shumë intelektuale evropianë të rëndësishëm si Kartez-i, Laibniz-i, e Newtton-i e konsideronin racionalizmin – ndarja e arsyes njerëzore nga detajet e hapësirës dhe kohës – si një përgjigje të nevojshme dhe revolucionare ndaj luftërave fetare dhe krizës së qeverisëse të epokës. Gjuha universale e arsyes do t’i ofronte një justifikim të përgjithshëm atyre që më parë konsideroheshin si fenomene të veçanta e lokale. Në rastin konkret, një nga kriteret më të rëndësishme në ndërtimin e “kozmopolit” të ri ishte ai i tejkalimit të mbivendosjes midis juridiksionit dhe mënyrave të përziera të autoritetit politik që kishin karakterizuar Evropën deri në atë kohë. Kjo ndodhi, padyshim, nga nevoja për përmirësimin e të ardhurave fiskale, që kishte si qëllim rritjen e aftësive ushtarake në një epoke luftërash religjioze dhe për të legjitimuar centralizimin territorial të një game të gjerë praktikash administrative. Por natyra e logjikës kulturore përbën një risi. Ipso facto kufijtë midis shteteve janë përcaktuar në mënyrën më të qartë dhe të rreptë dhe nuk janë lënë me vetëdije fuzzy ( d.m.th., jo rreptësisht të përcaktuar, shën. i përkth.)
I formëzuar me paqen e Vestafalisë në 1648 dhe i shpënë përpara në fund të shek. XVIII me përqendrimin mbi unitetin kombëtar/territorial të revolucioneve amerikan e francez – që imitonin modelet klasike të Athinës demokratike e të Romës republikane e që lidhen vetëm me Evropën – shteti model është një krijim rreptësisht territorial. Si rrjedhojë, tipi ideal i shtetit modern nuk lejon mbivendosje autoritetesh ose sovranitete të paqarta. Kufijtë kanë lindur për të kundërshtuar mbivendosjet dhe ambiguitetet. Dhe kulturat konceptohen natyrisht si integrale dhe territoriale. Territori, një zgjidhje putative e krizës së autoritetit politik në Evropën e fillimit të erës së saj moderne, bëhet kështu gjithandej lajtmotiv i shtetit-komb modern. Elita politikisht ambicioze që rivendikojnë gjenealogji kombëtare janë të tërhequra nga modeli territorial i shtetit si mjet për të realizuar ambiciet e veta. Ky “transferim politik” përben mandej, për një periudhe të gjatë, një karakteristike deri edhe të rinovimeve më të vogla institucionale në të gjithë Evropën. Pra, gjatë Romanticizmit, shteti, tashmë shkruar në mënyrë të pandryshueshme i bashkuar me një vizë me fjalën komb, bëhet forma e nevojshme e organizimit social të civilizuar. Në mënyrë të veçantë koha – në kuptimin e kontigjencës historike që ka prodhuar ketë apo atë shtet – sfumohet fatalisht nga përqendrimi mbi konceptin e territorit, tashmë i përhershëm, i cili karakterizon shtetin-komb dhe që konceptohet si kulm i historisë. “Të drejtat historike” për të pushtuar një territor dhe zakonisht për ta zgjeruar, bazohen mbi të drejtën e okupimit të parë ose mbi rëndësinë e veçantë të një territori, ose për ndodhjen në brendësi të tyre të siteve të rëndësishme për identitetin kombëtar.
Kufijtë e shtetit – komb janë të rëndësishëm për identitetin, edhe pse vetëm simbolikisht, për faktin se përcaktojnë ku fillojmë “ne” e ku mbarojnë “ata”, sepse janë në rrezik të epen ndaj flukseve dominuese të influencave të jashtme të huaja.
Kufijtë kanë një funksion, d.m.th., janë fenomene performative, që ndërsa japin përshtypjen popullore se janë barriera totale, duhet të ekuilibrojnë detyrat kontradiktore, pra ato që lejojnë lëvizjen nëpërmjet tyre dhe atyre që vendosin rendin territorial. Si rrjedhojë, krizat ose kërcënimet ndaj kufijve janë të një rëndësie të veçantë për vetëpërcaktimin kombëtar. Kufijtë i kujtohen shpesh atyre që ndodhen në brendësi të tyre ose jashtë tyre. Kjo është mënyra, sipas së cilës kombet imagjinohen si entitete të prekshme që ekzistojnë, pavarësisht bashkimit të thjeshtë të personave që e përbëjnë. Për më tepër, nuk mund të ekzistojë një komb pa kufij dhe i pari ndjek të dytin.
Të ndërtosh Greqinë moderne në Maqedoni
Imitimi i konceptit të shtetit nis në periferi të Evropës pjesërisht si iniciative lokale, por kryesisht falë stimulit dhe njohjes së fuqive të mëdha evropiane. Në njëfarë kuptimi, caqet orientale dhe lindore të Evropës janë një burim “periferik” për “zemrën” kapitaliste të Evropës perëndimore. Njëfarë gjeografie filozofike ka përcaktuar tashmë se këto rajone nuk kanë atributet e nevojshme për një shtetësi që gëzon autostimë dhe që ka lindur lokalisht. Kjo ka të bëjë pak me zhvillimin ekonomik në vetvete, por reflekton despotizmin e importuar nga perandoritë otomane dhe ruse, dhe në rastin e Evropës jugore, nevojën e një rikonkuistimi të rinovuar, nga ana e një “Evrope” të idealizuar, të vendeve të identifikuara qartë me vetë origjinën e civilizimit evropian.
Perandoritë osmane dhe austriake, që për një periudhe të gjatë dominuan Evropën juglindore, nuk kanë insistuar asnjëherë për bashkimin kulturor dhe gjuhësor. Për më tepër, dominimi i tyre ndryshon nga një vend në tjetrin për sa i përket shkalles së implikimit të popullsisë vendase si ndërmjetëse në këtë dominim dhe efikasitetit. Nëse në Evropë, shtete të rëndësishme si Franca dhe Anglia datojnë ekzistencën e tyre para kombeve respektive, në Evropën juglindore ideja e një shteti sovran kombëtar është importuar nga Perëndimi nga klasat e reja të mesme të lindura në këto perandori. Dalja në skenë e shtetit modern territorial në rajon (ashtu si edhe në pjesën më të madhe të botës përveç Evropës perëndimore) ka sjellë gjithmonë si rrjedhojë faktin e përcaktimit të kufijve nëpërmjet skemave komplekse që bazoheshin në prezenca etnike, shpesh duke përdorur argumente anakronike që kërkojnë të lidhin nacionalitete aktuale me komunitete politike prej kohësh të zhdukura (siç është perandoria e lashtë maqedonase, një Hidustan antik, apo izraelitët antikë), me qëllim justifikimin e atyre që do të kontrollonin një territor të caktuar dhe të drejtën se si ta pagëzonin. Një përshkrim kronologjik i rolit të Maqedonisë në ndërtimin e shtetit modern grek na jep shembullin më të mirë sesi kufijtë kanë luajtur një rol thelbësor në përcaktimin e kombësisë.
Në rastin grek, dëshira për të ndërtuar një shtet erdhi fillimisht nga diaspora tregtare greke e përhapur në të gjithë Mesdheun, Detin e Zi dhe në qytetet e Evropës qendrore dhe perëndimore, dhe e lidhur me aspirimin romantik (i përkrahur në këtë nga intelektualë “filo-helenë” si Lord Bayron-i në Angli), që synonte çlirimin e kristianëve ballkanas nga turqit otomanë dhe mundësisht të rikthente lavditë e Greqisë së lashtë. Nëse ka një përqendrim personash të identifikueshëm si grekë që jeton në pjesën jugore të Gadishullit Ballkanik, shumë prej tyre, në mos pjesa më e madhe e grekëve (qoftë në kuptimin linguistik, qoftë në atë religjioz), jetojnë të shpërndarë bindshëm jashtë atij territori. Natyrisht, çfarë e dallon një “grek” nga një kristian ballkanas ose edhe një kristian turk është akoma për t’u diskutuar.
Revoltat e shumta popullore kundër otomanëve nuk kanë marrë asnjëherë nuanca kombëtare deri e shek. XIX, madje edhe atëherë shteti modern grek ishte në pjesën më të madhe të tij një ndërmarrje e huaj e financuar nga Britania e Madhe dhe Franca, në duart e një princi dhe administrate bavareze. Vetëm në vitin 1843, pas një grushti shteti të një kaste ushtarake të rekrutuar nga klephtes, luftëtarë të parregullt ose banditë otomanë, me revoltën e fshatarëve fillon të lindë një shtet me autentik grek, d.m.th., i pajisur me një origjinë mitike të fuqishme. Në atë kohë shteti grek përfshinte pjesën jugore të shtetit aktual. Diplomatët francezë ose britanikë vendosën që kufiri verior të përfshinte vende që përmenden në kujtimet (e tyre) historike të rajonit në epokën klasike, me qëllim shpënien përpara të politikës së tyre të shpërbërjes së ngadaltë të Perandorisë Otomane. Imazhi i një epoke rilindjeje të Greqisë si një zonë kompakte në periferitë jugperëndimore të perandorisë së sulltanit, krijon një perceptim të përhapur të territorit grek që mbulon gati gjithë Gadishullin Ballkanik, një pjesë të Azisë së Vogël, shpesh Qipron dhe deri Sicilinë dhe Italinë jugore. Në këtë mënyrë asocimi historik dhe okupimi aktual në mënyrë fatale bëhen e njëjta gjë (dhe ngatërrohen) në prezantimin kartografik që justifikon “çlirimin” e territoreve në fjalë dhe aneksimin e tyre nga Greqia. Në të njëjtën kohë, grupe të ndryshme, në dukje pa lidhje në brendësi dhe jashtë kufijve të shtetit (në veçanti “shqiptarë” e “vlleh” që flasin një gjuhë të afërt me rumanishten, në pjesën më të madhe të helenizuar), janë akuzuar për banditizëm, i cili, sipas tyre, iu është lënë në trashëgimi nga dominimi i keq turk. Mund të jenë edhe kristianë ballkanas, por vetëm si grekë të helenizuar mund t’i shmangen statusit të tyre si outsider. Derisa kjo nuk do të ndodhe, ata do të jenë alienë, në opozitë, me të cilët është i mundur përcaktimi i samëparshëm kombësisë greke.
Për të lartësuar statusin e tyre në nivelin që i shkon për shtat imagjinatës nacionalistë të një Greqie që përfshin në gjirin e vet kryesisht grekë dhe koherente me gjenealogjinë e saj helenike, nacionalistët grekë përdorin përzierjen e argumenteve historike dhe etnike për të justifikuar ekspansionin territorial. Në fund të shek. XIX, kjo ishte pjesë e asaj që u quajt “histeria territoriale”, ndërsa grekë, serbë, bullgarë, sllavo-maqedonas e të tjerë luftojnë për farkëtimin shteteve-kombe të veta përballë pretendimeve evropiane të Perandorisë Otomane. Lufta guerile në Maqedoninë otomane midis 1904 dhe 1908 dhe luftërat e mëpasshme ballkanike të 1912-‘13 janë të lidhura kryesisht me përpjekjet për zgjerimin e kufijve veriore të Greqisë. Në atë kohë fshatarët e atyre zonave ishin akoma të kredhur në identitete fetare dhe rajonale. Me qëllim që t’i kundërvihej lojës së terrorit të nisur nga bandat bullgare, lufta greke synonte t’i shtynte fshatarët ekzarkistë (ndjekës të Kishës ortodokse bullgare) të përqafonin patriarkatin (Kisha ortodokse greke), ose të mbronte ata që aderonin në të. Për të bërë një gjë të tillë, elementi dhunë ishte i padiskutueshëm.
Roli i dhunës në krijimin e identiteteve moderne etnike në Maqedoni është i dukshëm në anekdota si puna e kësaj që vijon, e regjistruar nga një hetim ndërkombëtar mbi egërsinë e luftërave ballkanike: “të ikurit nga Strumnica janë persona të thjeshtë. Një burrë fliste në mënyrë naive mbi horrorin që e kish kllaposur, kur mendonte se duhej të linte vatrën e tij të lindjes. Më pas, tha, i kish rënë në të: e kuptonte se autoritetet kishin pasur të drejtë. Një tjetër nga të ikurit, prift në një fshat, ankohej për shtëpinë e tij, për të cilën thuhej se kishte ujin më të mirë në të gjithë Maqedoninë. Por sidoqoftë ishte i bindur që ikja është zgjidhja më e urtë. Me të drejtë i trembej bullgarëve. Një comitadji, në fillim të luftës së parë ia mbështeti tytën e pushkës në gjoks dhe tha: “Bëhu bullgar ose të vrava”. Kështu që u bë bullgar për disa muaj dhe iu bashkua Kishës ezarkiste”.
Janë pikërisht fluiditeti etnik dhe lidhjet komplekse farefisnore, klasa, tregtia, feja dhe lidhja me vendin ku jetojnë – në një rajon ku shumë persona flasin shumë gjuhë (edhe pse janë analfabetë në të gjitha gjuhët) – ato që pengojnë që preferenca kombëtare të marrë atë rëndësi parësore, e cila më pas do t’i bëjë kaq të përgjakshme konfliktet. Heterogjeniteti i rajonit, jo vetëm për sa i përket praktikave lokale të përbashkëta dhe hibriditetit gjuhësor – mjaft mirë e përfaqësuar nga ajo sallatë frutash që u bë metaforë shumë e njohur e Maqedonisë në një numër të konsiderueshëm gjuhësh – vepron kundër çdo mundësie për të vendosur linja kufiri të qarta. Në këtë kontekst, popullatat lokale kanë qenë të shtrënguara nga aktivistët nacionalistë politikisht dominuese, të zgjedhin se nga cila anë të shkonin. Nga ana greke, dëshira e madhe për një ripërkufizim kulturor implicit në procesin e rekrutimit popullor për çështjen kombëtare, përbën një ideal helenik të një madhështie kulturore te shkuar që ka nevojë të rizbulohet e rijetohet. Nën këtë perspektivë, ndikimet bizantine dhe otomane kanë korruptuar zakonet antike. Studimet mbi folklorin zonor (valle, muzikë veshje etj.) janë përdorur për të treguar dhe mësuar se si masat i përkisnin kombit ose ethnos. Në këtë përpjekje, konkuistimi i Maqedonisë është shumë i rëndësishëm. Ajo jo vetëm që ribashkon konceptet antike e bizantine të kombit grek në mënyrë të tillë që mund të pajtojë Kishën dhe kombin modern, por justifikon edhe një imperializëm popullor, në të cilin Greqia moderne lidhet historikisht me Aleksandrin e Madh nëpërmjet ri-okupimit të mundshëm të atdheut të tij. Del në pah një helenizëm romantik, në të cilin Maqedonia konsiderohet si “mushkëria e Greqisë” dhe humbja e saj e mundshme si një cungim. Në të gjithë këtë histori, Maqedonia përbën depozituesen e mundshme të idealeve antike greke dhe në të njëjtën kohë një zonë ndotjeje kulturore. Në mënyrë paradoksale është njëkohësisht jetësore për kombin, por edhe kërcënim për integritetin e tij.
Maqedonia është emri historik i një zone të gjerë, e cila, pas ndarjes së kufijve që ndodhen pas Luftës së Parë, u nda midis Bullgarisë, Greqisë dhe Jugosllavisë. Ajo përfshin zonën hidrografike të lumit Vardar me dy qytete kryesore të Selanikut në Greqinë verilindore dhe Shkupit në Jugosllavi, duke përbërë kështu aksin e komunikimit të transporteve në rajon. Me përjashtim të qytetit kozmopolit të Selanikut, me popullsitë konsiderueshme hebraike, myslimane e greke, në kohën e luftërave ballkanike (1912-‘13), rajoni ishte i populluar në pjesën më të madhe nga sllavo-maqedonas e bullgarë. Ndarja e Maqedonisë në segmentet Pirin (bullgar), Vardar (serb) dhe Egje (grek), la një pjesë të rëndësishme të popullsisë sllavo-maqedonase në Maqedoninë greke, dhe në veçanti në Perëndim, në zonat rurale dhe në Florinë e përreth.
Qëllimi nacionalist, i kultivuar me shumë zell për të përfshirë në Greqi të gjithë Maqedoninë ndeshet me një realitet kompleks që për një kohë të gjatë duket se sfidon idealin. Në vend që të limitojë thjesht një pretendim territorial, kufiri zgjatet tashmë përreth një zonë potenciale ekspansioni. Pretendimet territoriale greke në Maqedoni po bëhen gjithmonë e më shumë të pandashme nga vizioni i një shteti grek që përfshin Kretën, Maqedoninë, ishujt e Egjeut, Qipron, bregun perëndimor të Azisë së Vogël, Kostandinopojën (Stambollin) dhe zonat përreth Detit të Zi. Pikërisht njëlloj si pretendimi analog për një Serbi të Madhe që ka për qëllim bashkimin e të gjithë serbeve nën një qeveri të vetme, imazhi i Greqisë së Madhe (e njohur si Megali Idhea) çon luftërat shkatërrimtare kundër turqve në 1978 e në mënyrë akoma më rrënuese në vitin 1922.
Një irredentizëm i tillë ekspansionist qëndron në rrënjët e atij “ankthit kartografik” grek që nga formimi i shtetit deri në vitet ‘20. Më shumë greke potencialë të shpërndarë përtej kufirit territorial të shtetit, mundësia për t’i përfshirë të gjithë në një formë territoriale ka qenë gjithmonë problematikë. Suksesi fillestar në Maqedoni, krahasuar me dështimet në shumë zona të tjera, përforcohet, kur pas tentativës së dështuar për t’u zgjeruar në Azinë e Vogël të vitit 1922, popullsia kristiane- ortodokse e Anadollit u shkëmbye me pjesën më të madhe të popullsisë myslimane të Greqisë kontinentale dhe pjesa e madhe e të ardhurve në Greqi u vendos në Maqedoninë greke. Në këtë mënyrë një Maqedoni akoma jo qartësisht greke (në rastin më të mirë) etnicizohet ose bëhet gjithmonë e më shumë grekë nga transfuzioni i refugjatëve.
Sidoqoftë, pasiguria mbi statusin grek të Maqedonisë nuk merr fund. Sigurisht, me bashkëngjitjen Greqisë të vetëm një pjesë të rajonit historik, Maqedonia bëhet akoma më shumë më e rëndësishme për vetëpërcaktimin kombëtar. Në vitet tridhjetë qeveritë autoritare greke tentojnë t’i imponojnë Maqedonisë greke një uniformitet kulturor duke ndaluar përdorimin e gjuhëve të ndryshme nga greqishtja dhe duke mohuar çdo lloj shkalle heterogjeniteti etnik rajonal.
Në pas-Luftën e Dytë Botërore, pasi Greqia ishte pushtuar e shkatërruar nga forcat e Aksit italo-gjerman, shpërtheu një kryengritje komuniste kundër qeverisë monarkiste greke të rikthyer nga azili. Lufta civile greke lidhet aq ngushtë me “çështjen maqedonase” sa edhe me ndërrimin e qeverisë së Greqisë në tërësinë e saj. Sidomos në fazën e saj të fundit, kur forcat rebele janë qerrethosur në hapësira të ngushta pranë kufirit shqiptar dhe jugosllav, çështja e së ardhmes politike të Maqedonisë ndan lidershipin komunist, me një grup që tenton të sigurojë mbështetjen sllavo-maqedonas falë projektit të një Maqedonie autonome që më pas do t’i bashkohej Jugosllavisë. Natyrisht, në këto momente pjesa më e madhe e popullatës në Maqedoninë greke vetëkonsiderohej si etnikisht greke, prandaj kjo donte të thoshte humbje e çdo lloj mbështetjeje reale ose të mundshme për komunistët.
Ndihma ekonomike dhe ushtarake e SHBA ndaj qeverisë greke nga 1947 deri në 1949 përbën frytin e parë të doktrinës Truman mbi impenjimin amerikan për të mbështetur qeveritë që luftonin kryengritjet komuniste. Edhe pas fitores mbi komunistët grekë, kujtesa kolektive mbi pozicionin delikat të Maqedonisë në luftën civile iu bashkua dinamikës së vazhdueshme të luftës së ftohtë për të krijuar një ideologji popullore – veçanërisht e fortë në të djathtën politike – sipas së cilës politikanët e majtë (pavarësisht nëse ishin komuniste apo jo) etiketohen si “sllavë” ose “bullgarë”. Ky etnicizim i ideologjisë politike nxjerr në pah një pattern ( shembull, shën. përkth.) mendimi nacionalist grek që shfrytëzoi për një kohë të gjatë luftën civile. Kultura e Greqisë klasike dhe asaj moderne, janë të lidhura me individualizmin, ndërsa sllavët asociohen me konformizmin dhe kolektivizmin.
Duke iu referuar sfidës që i bën helenizmit “i urryeri” Jakob Fallmerayer – shkrimtari austriak, i cili vitet ‘40 të shek. XVIII iu mohon grekëve moderne çdo lloj afrimiteti racial me ata antikë dhe i konsideron jo-evropianë, por si një përzierje sllavësh dhe shqiptarësh – riciklimi i kësaj opozite shërben për të shpëtuar grekët nga një fat i tillë. Në 1950, jo vetëm që i konsideron politikat e majta si jo-greke, por e vendos Greqinë në mënyrë efikase në Botën e Parë ose Botën “e lirë” të përbërë nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa perëndimore, e cila i kundërvihet Botës së dytë, komuniste ose “të burgosur” të Evropës lindore dhe Bashkimit Sovjetik. Eksperienca historike e Greqisë moderne në Maqedoni vazhdon të këtë një valencë negative në Greqinë e pasluftës, edhe pse simbolizmi i Maqedonisë antike si pjesë përbërëse e Greqisë vazhdon të ngërthejë nacionalizmin grek. Ky i fundit merr një rëndësi të veçantë edhe për shkak të vështirësive të vazhdueshme në fronte të tjera irredentiste, sidomos në përpjekjen për të futur Qipron në brendësi të kornizës kombëtare e për shkak të fatkeqësisë së 1955, kur në Stamboll shpërtheu një pogrom gjerësisht kundër minorancës greke të qytetit, pjesa më e madhe e të cilëve u detyrua t’ia mbathte.
Në Qipro dhe Stamboll janë turqit dhe jo sllavët që përbëjnë një pengesë për fatin grek. Irredentizmi turk, sidoqoftë, shihet si kërcënim edhe tjetërkund, përfshirë edhe Maqedoninë. Sigurisht, ekzistenca e minorancave myslimane në tokën greke, në Bullgari dhe Shqipëri merret si demonstrim i një rrethimi të mundshëm të Greqisë nga ana e pasardhësve dhe përkrahësve të despotëve të saj (otomanë) historikë. Maqedonia figuron akoma si zona e parë e kontestimit, në të cilën vetë Greqia ka qenë identifikuar. Gjatë viteve të Luftës së Ftohtë kjo implikonte tri faktorë:
A) nënshtrimin e ndryshueshmërive lokale ndaj një homogjeniteti të supozuar kombëtar, i tillë që çdo provë identiteti kulturor të veçantë është mohuar zyrtarisht gjithmonë në Maqedoninë greke; B) ngatërrimin e identiteteve etnike e religjioze, sidomos duke iu referuar etiketës “turq”, e cila mund të aplikohet për persona me karakteristika etnike e gjuhësore të ndryshme, por që ka prodhuar një shkrirje të çdo lloj veçantie etnike e kërcënimi gjeopolitik nga ana e një armiku historik; C) bindjen, e inkurajuar nga qeveritë kombëtare greke, por që zotëron një besueshmëri empirike autoevidente, që Greqia është e kërcënuar nga sulme, në lindje nga ana e një Turqie që dyshohet si ekspansioniste dhe në veri nga ana e një perandorie komuniste ekspansioniste.
Kjo u bë qartë në fund të Luftës së Ftohtë. Në vend të euforisë që përshëndet, në SHBA dhe Evropën perëndimore, kolapsin e Bashkimit Sovjetik dhe sferës së saj të influencës, në Greqi ka një lloj shqetësimi. Shqetësimi lidhet me frikën e një rrëshqitjeje në destabilitet që në mënyrë të parashikueshme do të ndjekë fundin e botës bipolare. Para së gjithash në vitet tetëdhjetë doli në skenë në Maqedoninë jugosllave dhe në diasporën maqedonase (sidomos në Australi dhe Kanada) një nacionalizëm maqedonas ose “maqedonizëm” që nxjerr konkluzione krejtësisht të kundërta me ato të nacionalizmit grek që lidhen me “etnicitetin” e Maqedonisë antike dhe të Aleksandrit të Madh. Diaspora greke në botë dhe grekët në atdhe ndjehen të detyruar të përgjigjen në publik dhe në shtypin e shkruar. Kjo kundërvënie nuk do të kishte arritur ketë pikë kritike, nëse Jugosllavia nuk do të copëtohej në vitet 1991-‘92. Deklarimet për një “Republikë të Maqedonisë” të pavarur, mbushur me simbole që të rikujtonin Maqedoninë antike – si “dielli i Verginas” dhe koka e Aleksandrit të Madh në profil - shihen nga një pjesë e mirë në Greqi si provokim dhe kërcënim për rendin gjeopolitik ekzistent, për të mos folur pastaj për aspiratat nacionaliste greke.
Katër vite më pas u vu re një rritje e retorikës nga të dyja anët e kufirit. Slogani “I Makedonia einai elliniki” (Maqedonia është greke) u përvetësua nga shumë grekë. Ambiguiteti i saj, duke pasur parasysh që ish-republika jugosllave e Maqedonisë (FYROM), përdori pa asnjë problem fjalën Maqedoni e që Maqedonia greke nuk duket se duhet t’i bëjë ballë ndonjë kërcënimi ushtarak imediat, tregon më së shumti gradën e ambiguitetit të nacionalizmit grek dhe jo aq interpretimet keqdashëse të huaja mbi motivet greke. Sido që të jetë, është tashmë e qartë se për shumicën e opinionit publik grek dhe për të gjithë klasën politike, asnjë popull tjetër përveç grekëve gëzon të drejtën për të përdorur termin “maqedonas”, qoftë në kuptimin etnik – kulturor qoftë në kuptimin gjeografik –rajonal.
Shumë intelektualë grekë janë veçanërisht aktivë në ofrimin e argumenteve arkeologjike, tekstuale e historike mbi arsyen se gjërat duhet të jenë kështu. Natyrisht, kursi i dhunshëm i ndërmarrë në ish-Jugosllavinë e viteve nëntëdhjetë, bën të mendosh që praktikat e emërtimeve mund të shndërrohen në diçka tjetër. Edhe pse diskutimi mbi emërtimin dhe simbolin maqedonas është “zgjidhur” në mënyrë diplomatike, falë edhe presioneve të jashtme dhe për shkak të dilemave të identitetit sllavo -maqedonas që kanë të bëjnë edhe me prezencën e një minorance të konsiderueshme shqiptare brenda FYROM-it, në Greqi çështja maqedonase ka mbetur për një kohe të gjatë aktuale. Debati mbi emrin Maqedoni pati një rezonancë që vazhdoi edhe jashtë kufirit në fjalë. Kufiri maqedonas, në dukje gjithmonë i kërcënuar, është një unaze delikate e zinxhirit që lidh praktikat sociale lokale në të gjithë Greqinë me nacionalizmin e përditshëm, i cili ka përcaktuar se çfarë duhet të jetë “greke”.
Kufiri maqedonas i Greqisë është një nga të shumtit, logjika kulturore përjashtuese e të cilit duket më pak i sigurt se sa mund të ketë qenë në çfarëdolloj epoke të shekullit XVIII. Kjo sepse, nga një anë, Greqia është sot pjesë e një Bashkimi Evropian mbi-nacional që gjithmonë e më shumë arrin të kujdeset për aktivitete rregulluese që njëherë e një kohë ishin monopol i Athinës. E nga ana tjetër, ekonomia greke është akoma më shumë e lidhur me ekonominë globale nëpërmjet varësisë së saj nga turizmi, nga flota detare e nga shërbimet financiare. Padyshim janë këto tendenca të fuqishme që determinojnë një ulje të presioneve materiale që mund të përcaktojnë kufij nacionalë më të ngurtë. Në veçanti, me globalizimin u zgjerua në mënyrë të konsiderueshme hapësira ku mund të jetojnë identitete lokale komplekse. Identitetet kombëtare nuk janë asnjëherë të dhëna, por janë produkt historik i kushteve gjeografike. Presionet e vazhdueshme për të riprodhuar identitete kombëtare brenda kufijve duhet t’iu përshtaten ndryshimeve.
Në Evropë është bërë rutinë pyetja, nëse me mbarimin e Luftës së Ftohtë, globalizimin ekonomik dhe ambiguitetin në rritje të identiteteve politike, të përcaktuara nëpërmjet shkallësh gjeografike ( evropiane, kombëtare, lokale etj.) dhe grupeve sociale (klasa, religjione etnike etj.), shteti - komb nuk është duke përballur me një krizë politike. Kjo duket veçanërisht akute në periferi të Evropës, jo vetëm sepse shteti këtu është më i minuar nga globalizimi (Greqia nuk ka patur kurrë të njëjtin orientim për shtetin social që gjendet më në veri). Me fjalë të tjera, këtu ka më pak vend për t’u minuar. Më fundin e Luftës së Ftohtë, shtete si Greqia humbën edhe atë rolin politik që kishin njëherë e një kohë përballë sponsorizuesve gjeopolitike si Britania e Madhe dhe Shtete e Bashkuara. Sidoqoftë, Bashkimi Evropian nuk duket të ketë ofruar as fillimin e ndonjë alternative ndaj shtetit-komb në ndërtimin e një “kombësie” në rang evropian.
Integrimi evropian nuk i ka privuar shtetet anëtare të BE nga sovraniteti i tyre, ashtu siç po thotë një teori që është në modë. Përkundrazi, shtetet anëtare pretendojnë akoma me sukses një statut sovran përballë shteteve të tjera dhe organizatave ndërkombëtare dhe gëzojnë akoma të drejta dhe pushtete. Debati mbi sovranitetin sidoqoftë është spostuar në dy aspekte: çështja e kufijve të BE (pra, larg nga rëndësia e vazhdueshme e kufijve kombëtarë në vetvete) dhe pozicioni i shteteve respektive brenda aparatit institucional të Bashkimit Evropian dhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Ndërsa liberalizimi i tregjeve dhe financave i ka bërë kufijtë më të penetrueshëm, ankthet përballë kriminalitetit, terrorizmit, imigrimet ilegale dhe trafiqet e grave dhe fëmijëve janë rritur në mënyrë disproporcionale. Preokupime të tilla kanë marrë një forme të re në Evropë, sepse, pas Traktatit të Amsterdamit (1997), lëvizja e personave brenda pjesës më të madhe të BE u bë e lirë duke i transferuar kontrollet në kufijtë e jashtëm. Kufiri maqedonas i Greqisë është një nga këta.
E ashtuquajtura zona Schengen rivlerësoi kufirin e jashtëm si përcaktues i një “zone sigurimi” për të mbajtur larg ata të huajt e padëshirueshëm të cilët asociohen me ankthe të ndryshme të krijuara nga globalizimi. Në këtë mënyrë kufiri i jashtëm i BE zëvendëson një kërcënim të vjetër (etnik-nacional) me një kërcënim të ri të huaj ndaj kufirit kombëtar të Greqisë. Ky zëvendësim është para së gjithash biopolitik, d.m.th., lidhet me rregullimin e popullsive nëpërmjet funksionit filtrues të kontrolleve në kufij. Natyrisht, kufijtë kanë luajtur këtë funksion të paktën që nga fillimi i shek. XX. Ajo që është e re në këtë histori, është masa, në të cilën kontrollet po shtrihen në brendësi të territoreve kombëtare të BE (ushtrohen nga forcat e policive përkatëse) e jo aq në kufijtë e jashtëm, si dhe klasifikimi i “tipeve” të popullsive që mund t’i kalojnë lehtësisht e ato që nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë, nëpërmjet krijimit të profileve etnike.
Nëse kufiri grek në Maqedoni sot duket më pak kërcënues, kjo ndodh sepse (në një mënyrë apo në një tjetër) popullsia e saj është bërë në pjesën më të madhe greke. Sidoqoftë, ai e ruan akoma rëndësinë, për shkak të kërcënimeve të jashtme që mund ta përshkojnë. Fakti që këto janë kërcënime për Evropën dhe jo thjesht për Greqinë do t’i bënte të qeshnin nga vetëkënaqësia gjenerata të tëra nacionalistësh grekë. Greqia më në fund ka një përkatësi në Evropë.
*Autori është profesor i gjeografisë në Universitetin e Kalifornisë, Los Angeles
Përktheu Rezart Bejko