E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministrat, pushime ilegale

Antena brenda familjes

Miku i rubrikës sonë, Flamuri, më në fund u bë i gjallë. U kthye nga Turqia, ku ishte me pushime dhe unë vrapova në kafe me të, me shpresë se do mësoja ku po i kalonin pushimet këta të tjerët, se mbeta pa asnjë lajm.

I skuqur pak nga dielli për shkak të bardhësisë së madhe të lëkurës dhe diellit të fortë të Turqisë, Flamuri dukej në formë.

- Së pari, - tha, - këto që po të them mos i shkruaj të gjitha, se e merr vesh ai burri dhe na bën namin. Ai burri në fakt iu tha të gjithëve se nuk ka pushime sivjet. Për këtë arsye të gjithë i thanë se do ikin vetëm ndonjë weekend. Mua më dha leje, se unë PD kam në patronazh. Atë e kyç dhe ikën, s’ka problem. Po qeveria duhet të punojë. Vetëm unë dhe Mediu jemi të lirë tani. Se dhe ai vetëm partinë ruan tani, se mos ia merr njeri. Se kanë hap llaf që do t’ia marri kjo vajza e Sabriut. Po janë llafe koti. Se atë vajzën nuk e vuri Sabriu. E vuri ai burri. Se ajo ka ca lidhje të tjera që nuk i dini ju. S’ka të bëjë fare me Sabriun. Thjesht e ka baba. U rregullua puna që të dukej si propozim republikan, po nuk ka lidhje. Se është tek ai fondacioni për fëmijët. E kupton ti. Se s’ia hedh dot atij burri për këto gjëra. I thashë Fatmirit, mos u merakos, se nuk ka lidhje me partinë. Por ai do të jetë brenda dhe nuk ikën. Shkoi ca ditë në Spanjë, te një miku i vet që e ka ndihmuar të marrë një fabrikë çimentoje këtej lart dhe u kthye. Nuk ndenji shumë dhe mirë bëri, se nuk i dihet punës. As Lul Basha s’ka bërë pushime. I duhej të shkonte në Uashington si gjysmë privatisht, shkoi një ditë aty, e pritën keq, dhe mori avionin e parë të linjës për Holandë. Ndenji dy ditë me familjen dhe i solli këtu. Dhe hapi fjalë sikur ishte në Holandë. Dhe Olldashi me Patozin ikën nja dy-tri ditë në Monako dhe u kthyen me vrap. As Majlinda s’ka ikur, se i bën sherr ky. Jemini po nuk shkon në det, se e ka bezdi. Pollo iku nja dy ditë në Kroaci bashkë me Jozefinën, por u kthye shpejt, pa ardhur ai burri nga Kina. Kështu që s’ka pushime, ç’të të them unë i shkreti. Për mua shkruaj po deshe çfarë të duash, se unë kam leje të pushoj. Këta të tjerët e kanë pak problem.

- Jo, - i thashë - se s’kam qejf të prishem me ty, se më duhesh për informacione. Shumë interesante qenka kjo puna e bordit të atij fondacionit për fëmijët. Se shumë vetë më dalin aty....

- Jo, e ka bërë mirë ajo. Këta grosistët e ilaçeve ia çon Elvana. Se kam vëllain aty te tenderat, m’i thotë ai. Ia çon gjithë grosistët e ilaçeve, kur ka ballo bamirësie. Pastaj, ca shkojnë dhe vetë, se duan ndonjë foto me të, se iu duhet nëpër zyra. Ja, ai Harri Lena ashtu ia ka bërë. Ka shkuar një herë si sponsor dhe thotë andej poshtë “kam lidhje me Familjen”. E bëri një fabrikë pa leje me këtë stil. Kështu bëjnë të gjithë, o mixhë. I kam thënë atij burrit që janë ca mashtrues që përfitojnë nga këto gjëra, po s’më dëgjon. “Shiko partinë, - thotë, - mos u ngatërro me këto punë”. Po s’e ke idenë sa përfitojnë. Se më thotë vëllai dhe për atë Elvanën. Sivjet e kishte urdhëruar që recetat t’i bënte pa kundërbiletë, d.m.th., numri i serisë të ishte vetëm në recetë, jo në kundërbiletë. Kështu, kur të vijë puna e kompensimit, ata mund të shtojnë nja dhjetë milionë euro dhe hajt t’i gjesh kundërbiletat. I thashë vëllait, pse e ke bërë këtë budallallëk, se do vesh në burg. “Më tha Elvana, - tha, - se ata grosistët kanë ndihmuar te fondacioni.” E di unë, se ka dhe ca shokë që shesin ilaçe. Spekulojnë shumë, po s’ke ç’i bën.

- E mirë, - i thashë, - se e nisëm me pushime e sosëm tek ilaçet.

- Epo, janë të lidhura gjërat, o mixhë. ǒtë të them unë. Se ti e di që unë nuk bëj lëshime, po ç’t’i bëj atij burrit se s’më dëgjon. Se i kam thënë, mo t’i shoh këtu këta mashtruesit e ilaçeve dhe këtë Harri Lenën, se flasin në emrin tënd. Po, “jo, - më thotë, - se s’ka problem. Janë biznesmenë”. Ça t’i bësh, mixhë. Dhe unë mezi e shtyva në Turqi. Se nja dy biznesmenë më gënjyen dhe nuk më dhanë asnjë sponsorizim. Mirë që më kanë mbetur ca rezerva, o mixhë, se do kishim ngel pa pushime.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›