E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pa merak, kam pirë vetëm 12 birra

Arlinda Gjypi

Shumë lokale zgjedhin një formë dekorimi pak më të veçantë: thënie për të qeshur që tallen me zakonet e të pirit. Veçse nuk kushtojnë shumë, mbahen mend lehtë nga klientët, të cilët jo rrallë nisin biseda pikërisht me ato çka kanë lexuar. Frekuentimi i një lokali mund të varet nga çmimi, klientela që ka, shërbimi i stafit, muzika, por edhe arredimi. E sidomos citimet. Betohem për birrën, që se kam pirë Zotin. Sado absurde mund të duket, kjo është një prej shprehjeve të preferuara nga klientët të njërit prej lokaleve të zonës së ish-Bllokut, në faqet e murit të të cilit ka shumë vend për fantazi. As që diskutohet që bëhet fjalë për dikë që në gjendje shumë të dehur ka dashur të thotë: Betohem për Zotin që skam pirë birrë. Dhe një gjë e tillë sjell jo pak të qeshura ndër klientë e më pas një rikthim për të lexuar dhe ridiskutuar të gjitha çka shkruhen në mur.

Kornizat me proverba janë zgjedhur nga jo pak lokale si një mënyrë për të dekoruar ambientin e tyre. Është një mënyrë e thjeshtë. Të mjafton një kornizë, një printim të shprehjes me ngjyra, që sërish nuk kushton aq shumë, dhe ja ku ke një faqe muri të mbushur plot. Aq më tepër, përdorimi i të tilla shprehjeve është vërtet e këndshme, pasi tërheq vëmendjen e klientëve dhe ata harxhojnë jo pak kohë për tu marrë me to apo për tu disktuar. Shumë u ngelen në mendje dhe i ripërdorin për tu tallur më pas me njëri-tjetrin. Kështu shprehet E.R., administrator i një lokali që ndodhet pranë shkollës Petro Nini Luarasi. Një prej shprehjeve të përdorura në lokalin e tij është: Këtu do të mund të pini birra falas. Nesër! E normalisht që e nesërmja mbetet gjithmonë e tillë, si vetë shprehja, e palëvizshme e gjithnjë të duhet të paguash. Njësoj është edhe thënia Këtu pihet duhan një ditë po, një ditë jo. Sot është dita jo. Është në fakt një shprehje për të zbutur ligjin kundër përdorimit të duhanit në ambjente të mbyllura. Është më kollaj në këtë lloj mënyre që tu flasësh njerëzve lidhur me diçka të ndaluar, thotë Erjon D. E marrin pak me të qeshur dhe gjithsesi arrijnë të kuptojnë më shumë sesa në rastet e formave standarde të ndalimit.

Pastaj reagimet janë nga më të ndryshmet. Shprehje të tilla, si: Nuk u shërbejmë meshkujve të zhveshur. Femrave të zhveshura u japim pije falas, nisin edhe një debat më të gjerë. Për femrat gjithçka është më e lehtë, thotë Valentin K. në momentin që i tregon një kornizë të tillë të shkruar në gjuhën angleze. Madje duhet ti paguajnë, jo thjesht tu japin pije falas, qesh njëra nga klientet në një nga lokalet e ish-Bllokut ndërsa lexon thënien.

Zakonisht janë shprehje në anglisht. Anglisht janë më të lehta, pasi është e vështirë për tu përkthyer ashtu siç duhet. Për më tepër që në gjuhën angleze e japin më mirë kuptimin e tyre dhe janë më qesharake, thotë administratori i lokalit. Aq më tepër që të rinjtë që dinë anglisht në Tiranë, por edhe jashtë kryeqytetit njohja nuk është e rrallë. Por ka edhe lokale që preferojnë gjuhën shqipe, pavarësisht tendencës për të folur në gjuhë të huaj.

Të gjitha shprehjet mbahen mend lehtësisht, janë të këndshme për klientin dhe tërheqëse për të bërë pak thashetheme për to. Për shembull, thënia Kur lexoj për të këqijat e pijes, ndaloj së lexuari shërben fare mirë për të filluar të qeshurat dhe një debat lidhur me ata që konsumojnë alkool më shumë seç duhet. E për më tepër përdorimi i shprehjeve të tilla i jep një tjetër drejtim edhe bisedës. Fundja në një lokal njerëzit shkojnë për të kaluar një kohë të mirë dhe qëllimi i pronarëve të lokalit është argëtimi i klientëve. Nuk janë të paktë lokalet që shprehje të tilla i vënë edhe nëpër tualete, pas dyerve apo pranë lavamanëve. Një mënyrë për të buzëqeshur edhe kur je larg tavolinës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›