E Diel, 1 Nëntor 2026

Itali, prindërit i kërkojnë vajzës të abortojë: Shqiptari nuk i garanton të ardhmen

 Një familje italiane i është drejtuar Gjykatës së Të Miturve me kërkesën për të detyruar të bijën të abortojë, ose të paktën ta ndalojë të takohet me të dashurin e saj shqiptar.

Familja e vajzës e ka ndërmarrë këtë hap me justifikimin se djali që dashuron vajza e tyre nuk mund ti garantojë asaj dhe fëmijës së tyre një të ardhme normale.

Historia e publikuar në mediat italiane paraqitet më shumë si një konflikt fëmijë-prindër sesa një mosmarrëveshje me sfond racist.

Dashuria mes dy të rinjve ka lindur dy vjet më parë në Trento, ku adoleshentja italiane ndjek shkollën. Por prindërit e saj, pavarësisht faktit se janë të divorcuar, janë përpjekur me të gjitha mënyrat për ta penguar lidhjen e së bijës. I ati e shoqëronte çdo ditë në shkollë, ndërsa e ëma i kontrollonte telefonin. Por kjo ka bërë veçse efektin e kundërt.

Vajza u ka treguar prindërve se është shumë e dashuruar me djalin shqiptar, prej të cilit pret edhe një fëmijë. Në këto kushte, prindërit i kanë kërkuar të kryejë një abort, por janë përballur me refuzimin kategorik të të bijës.

Ata u janë drejtuar gjyqtarëve që merren me të drejtat e minoreneve, të bindur vendimi i së bijës nuk ishte i lirë, por i imponuar nga djali.

Prindërit e vajzës i kanë kërkuar gjykatës të imponojë abortin, ose në pamundësi ti ndalojë djalit takimet me të dashurën.

Çështja është ende në duart e drejtësisë, por mediat italiane bëjnë të ditur se nuk ka shumë gjasa që gjykata të vendosë në favor të prindërve për ndërprerjen e shtatzënisë së të bijës, pasi ligji parashikon para së gjithash respektimin e vullnetit të vetë nënës së re.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›