Pa optimizëm

Shefat e qeverive të Greqisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë kanë shpresa të ftohta për zgjidhje të shpejtë të çështjes së emrit të shtetit maqedonas. Kostas Karamanlis dhe Nikolla Gruevski u cituan nga radioja “Evropa e lirë” dhe agjencia shqiptare e lajmeve “INA” në shtetin maqedonas, që të kenë shprehur pikëpamjet për çështjen e emrit. Kryeministri i Greqisë, Karamanlis, tha se nuk është optimist për çështjen e zgjidhjes së kontestit rreth emrit të Maqedonisë, përderisa Maqedonia nuk do të ndryshojë qëndrimin. “Pozicioni ynë është që të gjejmë një për përdorim ndërkombëtar, i cili do ta përmbante përkufizimin gjeografik për vendin tonë fqinj, por qëndrimi dhe mbi të gjitha pozicioni i qeverisë në Shkup nuk më bëjnë optimist, të paktën jo për momentin”, ka thënë ai. Karamanlis gjithashtu e ka akuzuar Maqedoninë se nuk tregon dëshirë për gjetjen e një zgjidhjeje, të pranueshme për të dyja palët. Ndërkohë, sipas Gruevskit, pa zgjidhjen e emrit nuk do të ketë anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kryeministri Gruevski deklaroi se, përderisa nuk ka progres në kontestin për emrin, Maqedonia nuk mund të marrë datën për fillimin e negociatave me BE-në. “Sipas të gjithë informacioneve që kemi, kryesore është çështja e emrit me Greqinë. Deri më tani nuk ka një progres serioz në këtë drejtim, dhe përderisa nuk do të ketë, nuk duhet të presim datë për fillimin e negociatave”, tha Gruevski, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve se çfarë raporti mund të presë Maqedonia nga KE-ja. Qëndrimet e pandryshueshme reciprokisht mes Athinës dhe Shkupin vazhdojnë në të njëjtën kohë kur shteti maqedonas feston më 8 shtator, sot, 17-vjetorin e pavarësisë nga ish-Jugosllavia, por dhe larg integrimit në NATO dhe në BE. 17 vite pasi vendi kaloi nga një regjim komunist në atë modern, duke synuar një demokraci funksionale, akoma ballafaqohet me probleme të brendshme dhe të jashtme. Përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare dhe udhëheqës vendorë vazhdimisht apelojnë që vendi t’i zgjidhë problemet që i hapin rrugën për hyrje në NATO dhe BE. Sipas tyre, mungesa e dialogut, të drejtat e komunitetit etnik shqiptar si dhe e komuniteteve tjera, çështja e emrit etj., janë probleme të cilat nëse nuk zgjidhen për një periudhë të shkurtër kohore, rrezikojnë integrimin e vendit në strukturat euroatlantike. Europarlamentari slloven, Jelko Kacin. thotë se shteti maqedonas në Parlamentin Evropian ka miq shumë të sinqertë. “Ne mundohemi që të krijohen kushtet, të përpilohet një raport pozitiv për Maqedoninë, por ju vetë duhet të punoni në përmbushjen e kushteve”, thotë Kacin. Po ashtu, edhe komisioneri për Zgjerim i BE-së, Oli Ren, disa ditë më parë porositi që Maqedonia të punojë më shumë në krijimin e një stabiliteti politik në vend. “Është bërë progres në reformimin e gjyqësisë dhe policisë, si dhe në përmbushjen e tetë kritereve për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Mirëpo sërish stabiliteti politik është fusha në të cilën duhet më shumë të punohet”, theksoi Ren. Në këtë drejtim edhe presidenti maqedonas disa herë ka deklaruar se, “në situatë të bllokadës më afatgjate të proceseve integruese dhe izolimit të vendit, do të bisedohet për politika për ekzistencë dhe mbijetesë, por jo edhe për zhvillim gjithëpërfshirës ekonomik dhe demokratik”.