Sfidë me sulme Obama-Mekein

Kuvendit Kombëtar të republikanëve nuk i munguan sulmet ndaj kandidatit presidencial të demokratëve, Barak Obama. Po ashtu, gjatë punimeve u bënë të qarta strategjitë që do të ndjekin republikanët gjatë fushatës zgjedhore në ditët e ardhshme. Gjatë Kuvendit të Partisë Republikane, tre njerëz ishin në qendër të vëmendjes: i emëruari i Partisë për president, Xhon Mekein, kandidatja e tij për nënpresidente, Sarah Pejlin dhe rivali politik i Mekein, Barak Obama. Ish-anëtari i Kongresit nga Teksasi dhe ish-udhëheqësi i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Tom Delay, thotë se pati një arsye për të gjithë sulmet në Kuvend ndaj Barak Obamës: “Mekein duhet ta përkufizojë Obamën për atë që ai përfaqëson: një socialist radikal. Vetëm nëse ai e bën një gjë të tillë, mendoj se ai do të ketë mundësinë t’i fitojë zgjedhjet”. Folësit republikanë në kuvend e kritikuan senatorin 47-vjeçar Barak Obama, për atë që ata besojnë se është mungesa e eksperiencës, krahasuar me Mekein, i cili shërben në kongres që nga viti 1982. Folësit po ashtu e portretizuan Obamën si një nga demokratët më liberalë në senat. Republikanët po ashtu shpresojnë që edhe komentatorët konservatorë të medias, si Mike Gallagher, do të trumbetojnë kundërshtimin ndaj Obamës në emisionet e tyre. “Unë besoj me të vërtetë, se nuk do të jetë aspak mirë për vendin tonë nëse ai zgjidhet president i SHBA-ve. Mendoj se republikanët duhet ta ngrenë zërin kundër Barak Obamës, ndërsa nxjerrin në pah konservatorizmin e Xhon Mekeinit”, - tha ai. Shumë nga delegatët në kuvendin e republikanëve fishkëllenin sa herë që përmendej emri i Barak Obamës në fjalimet e ndryshme. Disa nga delegatët megjithatë, patën një ton më të moderuar kur bënin bilancin e ndryshimeve të tyre me senatorin e Ilinoit. Gale Sayers është delegate republikane e Teksasit: “Natyrisht që mua ai më pëlqen si njeri. Por si republikanë dhe konservatorë, ne e dimë se ndryshimet mes nesh janë tepër, tepër të qarta. Nuk ka asnjë dyshim lidhur me këtë”. Sigurisht që pati një numër të vogël demokratësh, të cilët morën pjesë në kuvendin e republikanëve dhe të cilët e kundërshtuan retorikën anti-Obama. Njëri prej tyre që u shfaq në kuvend ishte kryetari i bashkisë së qytetit pranë, Mineapolis, demokrati R. T. Rybak. “Unë ndjehem shumë më mirë kur përmendet Barak Obama, sepse ai e ka frymëzuar mbarë vendin tonë. Ajo që mund të bëjnë republikanët, janë vetëm sulmet, pasi ata nuk mundet të frymëzojnë më askënd. Pra, nëse ata duan të bëjnë gjithçka negative që kanë në dorë ta bëjnë, kjo s’ka problem. Ne kemi një kandidat fenomenal, Barak Obamën, dhe ai ka për të qenë presidenti i ardhshëm i Amerikës”, - tha Rybak. Analistët politikë të cilët morën pjesë në kuvendin e republikanëve, thonë se ekziston një logjikë në strategjinë e republikanëve, për ta bërë Barak Obamën një çështje kryesore të fushatës. Norman Ormstein është ekspert në Institutin Amerikan Enterprise në Uashington. “Kemi të bëjmë me zgjedhje, kur njerëzit kërkojnë ndryshim dhe ata i identifikojnë demokratët si partia e ndryshimeve. Por Barak Obama në zgjedhjet e këtij viti, ashtu sikurse Ronald Regan në ato të 1980, duhet të kapërcejnë pengesën e të pranuarit nga njerëzit, që ata të ndjehen mirë me një president si ai”, -tha Ormstein. Ai, Norman Omstein, si dhe analistë të tjerë thonë se Barak Obama do ta fitojë garën presidenciale, ndoshta me një diferencë të ngushtë votash, kryesisht sepse votuesit duken këtë vit më tepër të shqetësuar për çështjet ekonomike. Eksperti nga Uashingtoni, Stuart Rothenberg, thotë se faza tjetër e rëndësishme në zgjedhjet presidenciale do të jetë kur kandidatët të marrin pjesë në debatet e transmetuara në televizion. “Tani gara presidenciale duket se do të jetë tepër e ngushtë. Duket sikur ajo do të varet nga votat e Ohajos, Kolorados, Virxhinias dhe Miçiganit, si dhe një numër i vogël shtetesh të tjera, pavarësisht nga vota popullore. Prandaj, një moment hezitimi në një kohë tepër kritike, kur sytë e të gjithë botës janë drejtuar këtu, mund të jetë vendimtar”, - mendon Rothenberg. Në periudhën nga fundi i shtatorit deri në mesin e tetorit do të zhvillohen tre debate presidenciale dhe një tjetër mes dy kandidatëve për nënpresident.