E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pa imunitet, i sulmon qeveria

Juristi i PS-së shprehet kundër heqjes së imunitetit për të gjithë deputetët, pasi ata smund të mbrohen nga sulmi abuziv i qeverisë

Kryetari i Komisionit të Çështjeve Ligjore të Asamblenë Kombëtare të PS-së nënvizon se imuniteti u është dhënë deputetëve për t’u mbrojtur nga sulmi abuziv që mund t’u bëjë qeveria, për shkak të natyrës së saj”. “Nëse hiqet kjo mburojë, atëherë le të shkrijmë edhe parlamentin e gjykatat dhe të mbajmë qeverinë”, - thotë ai. Por ai shton se është dakord për atë që quhet kufizim i imunitetit, që gjithsesi nuk mund të bëhet sipas projektligjit të demokratëve. Sipas tij, ka një mënyrë tjetër për ta zgjidhur këtë çështje, madje pa ndërhyrë edhe në Kushtetutë. Juristi i PS-së, Ylli Manjani, hedh idenë se për kufizimin e imunitetit mjafton një ndërhyrje në Kodin e Procedurës Penale.

-A duhet të hiqet imuniteti për deputetët?

Ylli Manjani: “Sigurisht që imuniteti i deputetit dhe i çdo zyrtari me imunitet duhet hequr sa herë që prokuroria e kërkon një gjë të tillë. Nëse e keni fjalën për debatin për kufizimin e imunitetit të deputetëve, kjo është diçka tjetër. Pikësëpari, duhet kuptojmë se asnjëherë nuk është folur për “heqje të imunitetit”, por për kufizim të tij. Kjo kërkesë ka ardhur nga fakti se sistemi që ne kemi zgjedhur në Kushtetutë për imunizimin e deputetëve nga ndjekja penale, është i tillë, që ofron mbrojtje të plotë si ndaj hetimit, ashtu edhe ndaj arrestimit. I gjithë ky debat sigurisht që ka marrë ngarkesën e domosdoshme politike, për faktin e thjeshtë se qeverisemi nga një qeveri që nuk sheh dot me sy asnjë institucion tjetër përveç vetes së saj. Tani, në fund të tre viteve qeverisjeje të Sali Berishës, besoj se e kuptoni të gjithë të vërtetën e madhe të demagogjisë së luftës kundër korrupsionit. Kështu që ngarkesa politike në këtë debat ishte dhe mbetet e justifikuar. Nga ana tjetër, qeveria me projektligjin që hartoi për këtë çështje, tregoi qartazi se nuk njeh e nuk respekton asnjë pushtet tjetër, përveç atij të kryeministrit. Kjo ka qenë arsyeja që ne kemi insistuar që në çështjen e imunitetit të jemi të kujdesshëm, duke kërkuar respektimin e Kushtetutës. Deputetët socialistë janë shprehur të gatshëm të hetohen sa herë që ndaj tyre ngrihet një pretendim e jo më akuzë, ndërkohë që në anën tjetër kemi parë një mazhorancë të tronditur e të frikësuar kur prokuroria ka kërkuar imunitetin e dy ministrave të kësaj qeverie. Por, që të kthehem tek përgjigjja konkrete e pyetjes suaj, unë jam kundër heqjes së imunitetit të deputetëve “an-blok”. Imuniteti i është dhënë funksionit të deputetit për t’u mbrojtur nga sulmi abuziv që mund t’i bëjë qeveria, për shkak të natyrës së saj. Nëse hiqet kjo mburojë, atëherë le të shkrijmë edhe parlamentin e gjykatat dhe të mbajmë qeverinë. Ndërsa në diskutimin që është çelur për mundësinë e kufizimit të imunitetit, mendoj se ka vend për rregullime dhe ndërhyrje ligjore, që e bëjnë punën e prokurorisë më të lehtë në hetimin e korrupsionit apo të veprave penale të zyrtarëve me imunitet”.

-A mund të realizohet kjo me projektligjin e propozuar nga mazhoranca, apo detyrimisht duhet të ketë ndryshim të Kushtetutës?

“Sigurisht që projektligji i propozuar nga mazhoranca është zgjidhja më e keqe e mundshme. Ka një mënyrë tjetër për ta zgjidhur këtë çështje, madje pa ndërhyrë edhe në Kushtetutë. Për këtë qëllim mjafton një ndërhyrje në Kodin e Procedurës Penale dhe problemi zgjidhet. Kjo çështje kërkon konsensus politik, siç edhe ka sugjeruar edhe Komisioni i Venecias që në krye të herës, konsensus i cili nuk i interesoi asnjëherë mazhorancës së sotme”.

-A jeni për të realizuar ndryshimin e Kushtetutës me konsensus?

“Ju thashë që nuk është e nevojshme të ndërhyhet në Kushtetutë për këtë çështje. Rëndësi ka vullneti politik për të zgjidhur problemin. Ky vullnet i mungon tashmë qeverisë së korruptuar të Sali Berishës. I mungon ky vullnet, sepse ka ende ministra e zyrtarët të mazhorancës, që mund të akuzohen nga prokuroria, nëse kjo e fundit ka mundësinë ligjore ta bëjë një gjë të tillë. Në këtë kontekst duhet parë edhe sabotimi që kryeministri i bëri hetimit të prokurorisë për privatizimin e ARMO-s”.

-Po për ministrat a duhet të hiqet imuniteti? Është folur më parë edhe për një propozim të mundshëm nga ana juaj, për të zhveshur të paktën ministrat nga imuniteti...

“Kur kufizohet imuniteti, ai bëhet për të gjithë. Pra, me pak fjalë ne duhet të ndërtojmë një sistem që imuniteti të ruhet, por edhe prokuroria të bëjë punën e saj. Ky standard nuk ka kuptim të jetë vetëm për deputetët, por ai duhet shtrirë tek të gjithë, në radhë të parë për ministrat. Ministrat janë zyrtarët përgjegjës të administrimit të fondeve publike”. saqellari@korrieri.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›