E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pa precedent është shkaku, jo pasoja

Kur para rreth dhjetë ditësh Komiteti i Jashtëm i Parlamentit Europian miratoi Projektin e një Rezolute për Shqipërinë, të hartuar paraprakisht nga reporteri grek i PE-së, Nicholaos Chountis, në vendin tonë lajmi jehoi brenda ditës. Jehoi kështu, sepse më 23 Qershor u ra dakord në Strasburg, që në tekstin e formuluar pas diskutimeve dhe kërkesave të eurodeputetëve të të gjitha krahëve, të përfshiheshin vetëm ato amendamente kompromisi, që nuk do të ndikonin të penalizohej lëvizja e lirë e shqiptarëve, nga mosgjetja ende e gjuhës së përbashkët për zgjidhjen e krizës politike në shtetin tonë të Ballkanit Perëndimor. Kryeministri i vendit, Sali Berisha e cilësoi, pothuajse ekzaktësisht, rëndësinë e këtij teksti, si dokument "me vlera historike". Të kuptohemi, ky cilësim merrej vesh më së shumti që ishte për konsum të brendshëm, me efekte mjaft të kufizuara te një pjesë e popullsisë. Sa për interesin që mund të shkaktonte dhe vendin që mund të zinte ky dokument nëpër formatet e mediave të huaja, vështirë që ndonjë politikan apo altoparlant i tij të merrte guximin t'u drejtohej atyre, për të përhapur euforinë e parakohshme që i shkon për shtat nga halli apo nga malli. Thuhet "e parakohshme", edhe ngaqë thelbi i Projektit të Rezolutës së miratuar së fundmi në Strasburg ka të bëjë me zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri, që kjo të mos pengojë integrimin në Bashkimin Europian. "Kriteri politik është shumë i rëndësishëm për integrimin", theksohet në atë tekst, çka nënkupton, ose përkthehet, veç të tjerash, që nuk mund të ecë vendi ynë me ritme normale në këtë rrugë, nëse nuk funksionon me kapacitet të plotë Kuvendi i Shqipërisë. Njëkohësisht, nuk mund të harrohet dhe as të mohohet që në kalendarin e Parlamentit Europian, përveç mbledhjes tjetër të Komitetit të Jashtëm, për t'i dhënë dorën e fundit amendamenteve përkatëse, njëherazi është përcaktuar edhe, që më 7 Korrik, Parlamenti Europian në seancë plenare të pasdites të zhvillojë një debat mbi gjendjen në Shqipëri dhe në Kosovë. Në kuadër të kësaj seance është planifikuar edhe dhënia e një deklarate të rëndësishme prej zëvendëskryetarit të Komisionit të Bashkimit Europian, ose kryediplomates së këtij Unioni. Prej asaj, prej Ledi Ashton pra, e cila pas takimit të ministrave të Jashtëm të 27 vendeve anëtare të BE-së, të zhvilluar në Luksemburg më 14 Qershor, nuk e sfumoi zërin e saj në sinkronizimin e kolegëve kontinentalë: "Ne duam të arrijmë në një zgjidhje sa më parë. Duam që Shqipëria të jetë në rrugën e BE-së".
***
Si po i përgjigjet kësaj thirrjeje klasa jonë politike? Më së pari, si po reagon maxhoranca parlamentare dhe qeveria e dalë prej saj, për të hedhur hapa në rrugën e duhur, nëpërmjet gjetjeve konsensuale me opozitën? Tashmë përgjigja është e qartë. Kryeministri i vendit nuk ka ndërmend që të nxisë forcën politike të tij për t'u përqendruar te shkaku i kësaj krize. Përkundrazi, rreth një çështjeje të tillë, ai i drejton sytë dhe gishtat te opozita, e cila që prej afro një viti po kërkon ngultësisht të bëhet transparenca e procesit zgjedhor. Madje, këtë kërkon edhe më se gjysma e popullsisë, duke u shprehur jo vetëm konfidencialisht brenda radhëve të saj, por edhe publikisht, nëpërmjet protestave të fuqishme, deri edhe me forma sublime, si grevat e urisë, që ndikuan për ta ndërkombëtarizuar ndjeshëm problemin. Megjithatë, Kryeministri dhe vasalët e tij në parlament, as që janë tundur nga pozicioni dhe as kanë artikuluar formulime të reja rreth shkakut të krizës, duke e deklamuar pushtetin aktual të dështuar, si të përftuar nga zgjedhje të lira dhe demokratike, ashtu sikurse edhe të gjitha mandatet e tyre, si plotësisht të ligjshme. Pavarësisht thirrjeve të forumeve europiane, të cilat kanë gjetur të njëjtën gjatësi valësh me ato të ardhura nga përtej Atlantikut, për hapjen e kutive të votimit në respekt të Kushtetutës dhe parimit të transparencës, përsëri e përsëri nuk po gjendet dhe përdoret ndonjë argument serioz, që të justifikojë kryeneçësinë apo arrogancën e maxhorancës sonë parlamentare dhe liderit të saj. Në të kundërtën, ajo që mbështet plotësisht pretendimet e opozitës është edhe logjika elementare, sipas së cilës, kur këta deputetë dhe kjo Qeveri qenkan - ashtu siç deklarojnë - të ligjshëm, atëherë, çfarë e pengon vullnetin e tyre politik për t'u përfshirë konkretisht në dialogun e ditës, dhe për të nxjerrë nga xhepat, ato shtatë palë çelësa që mbajnë të mbyllura kutitë e votimit? Mos vallë Kushtetuta, të cilën ata as nuk e kanë votuar dhe e shkelin me këmbë çdo ditë?
Në këto rrethana të rrëmbyeshme, lideri i maxhorancës shpreson ta hedhë lumin me 'notin' e retorikave e përgjërimeve bajate. Pastaj, me thirrjet për ndihmë, madje me lutje në adresë të opozitës. Dhe, së fundi, me anatemime ndaj saj. A nuk ndodhi kështu në seancën e kaluar plenare të Kuvendit të Shqipërisë, kur ai iu drejtua deputetëve kundërshtarë që të mos udhëhiqen nga kulti i armikut, por të urdhërojnë që të bashkëpunojnë me të, demek në emër të interesit të qytetarëve? "Ju garantoj se çdo ligj që kërkon tre të pestat e votave do të përcaktohet nga ju. Të gjitha amendamentet tuaja do të votohen. Propozimet tuaja do të bëhen nën frymën e bashkëpunimit dhe konsensusit". Mungojnë, në fund të kësaj fraze demagogjike të tij, vetëm fjalët "Amani ore!"
***
Nejse, nuk duket e nevojshme të bëhet shpjegimi apo zbërthimi i kësaj "këshille" të një njeriu të pakëshillueshëm, çka tashmë e kanë kuptuar të gjithë. Madje, edhe ata që e votuan këtu e pesë vjet më parë dhe që sot e shprehin tërë pikëllim pishmanin e tyre. Sidoqoftë, mund të thuhet që pa mendimin e opozitës, s'ka se si të miratohen ligjet organike, për aprovimin e të cilave nuk i mjaftojnë Berishës kartonët e maxhorancës. Sikurse te ne është bërë aksiomë, që halli nuk qëndron te realizimi në mënyrë formale i ligjeve, aq më pak i të ashtuquajturave reforma, të vëna si kusht nga Perëndimi, por te moszbatimi, ose te deformimi i tyre gjatë aplikimit. Në këto kushte që përjeton vendi nën pushtetin aktual, mund të përmendet fakti mjaft i njohur dhe pasoja aktuale e tij: amendimet e Kodit Zgjedhor u miratuan brenda një nate të dy viteve më parë, me konsensus të pothuajse të tëra grupeve parlamentare, konkretisht me 130 vota, ose me pohimin e mbi 80 për qind të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Një vit më vonë, nga maxhoranca dhe organet e varura praktikisht prej saj, krahas manipulimeve në kryerjen e procesit elektoral, nuk mbeti pa u vënë re edhe shkelja haptazi e disa dispozitave të këtij Kodi, sidomos e nenit 138, për vlerësimin e rezultateve të votimit. Atëherë, pa u bërë transparenca e këtij procesi dhe e këtyre rezultateve, do të ishte qesharake që të kërkohej të votoheshin ligje të rëndësishme, që mund t'i reklamoheshin Brukselit si reformat e kërkuara. Aq më tepër ironike tingëllon thirrja nga koalicioni në pushtet për reformë elektorale urgjente, kur ende nuk është arritur t'i dorëzohen kutitë e fletëve të votimit dhe ato të materialeve zgjedhore të votimeve të vjetshme, një komisioni hetimor parlamentar, për ngritjen e të cilit në bazë të kritereve kushtetuese dhe afateve të arsyeshme po shuhen shpresat çdo ditë e më shumë. çfarë ndryshimesh dhe përmirësimesh do të përmbante kjo reformë, pa saktësuar dhe penalizuar atë që ka ndodhur realisht vitin e kaluar, çka e futi vendin në një krizë që thellohet gjithnjë e më tepër, në një krizë komplekse politike, ekonomike, institucionale dhe morale?!
Prandaj, nuk mund të vlerësohen kurrsesi të besueshme dhe të sinqerta, thirrjet apo lutjet e liderit të maxhorancës, për të votuar bashkërisht me kartonët e opozitës disa ligje organike. Veçanërisht tani, kur plagët e krizës janë majisur, kur në seancat e fundit kuvendare Berisha, i mbytur nga dështimet dhe kriminaliteti, nxjerr prej goje një lumë amanetesh shpëtimtare të tij për konsensus. Dhe, kur pa? Kur vetëm me kartonët e maxhorancës 'vuloset' miratimi i disa ligjeve antikushtetuese dhe me efekte që parashikohen dukshëm mjaft të dyshimta, siç është ligji për financat publike, dhe ai për faljet.
***
E pra, e ndodhur në situata të tilla, opozita nuk mund të pranojë që të katandiset në kuinta butaforie, mbrapa të cilave të kënaqen orekset e korrupsionit, grabitjeve dhe uzurpimeve të një grushti njerëzish; nuk mund të durojë që të nëpërkëmbet më shumë nga gjurmë të përshtatshme si objekt edhe për ekzaminime kriminalistike; nuk mund të mbyllë sytë përpara vuajtjeve çdo ditë e më të shumta që po heq një masë e madhe e qytetarëve të këtij vendi; nuk mund të mbyllë veshët ndaj kërkesave të tyre që kjo gjendje me sfond katastrofën të ndryshojë sa më parë. Kështu, natyrshëm, grupi parlamentar i Partisë Socialiste vendosi këtë javë që të përshkallëzojë qëndrimin ndaj Kuvendit, të kushtëzojë marrëdhëniet ndaj këtij legjislativi, duke mos votuar asnjë ligj, as me shumicë të thjeshtë e as me shumicë të cilësuar. Pa folur këtu për vijimin në vjeshtë të organizimit dhe manifestimit të protestave masive me gjeografi të gjerë.
"Nuk ka opozitë në Europë dhe në botë që të deklarojë kështu", - reagon Berisha, duke e vlerësuar të paprecedent këtë qëndrim. Ndonëse, ai duhet ta ketë mësuar, duhet ta dijë shumë mirë, që edhe në politikë kanë vlerë të padiskutueshme korelimet shkak-pasojë. Dhe, pa precedent në kohën e sotme, së paku në kontinentin tonë është shkaku i krizës njëvjeçare që ka përfshirë dhe pështjelluar vendin. Pra, grabitja e votave të shtetasve, por sidomos mospranimi për të bërë transparencën e tyre. Ndërsa, gjetkë e gjetkë jo. Veçanërisht, për shtetet që janë anëtare të Bashkimit Europian, madje edhe për ata që aspirojnë të integrohen në të, as që bëhet fjalë. Për shembull, jo shumë kohë më parë, pas zgjedhjeve presidenciale në Rumani, rezultatet e të cilave dolën brenda 24 orësh dhe jo brenda një muaji si te ne, këto rezultate iu nënshtruan kërkesës për numërimin e votave. Madje, edhe Iraku i pushtuar nga krismat dhe shpërthimet e përditshme nuk mundi t'i rezistojë kërkesës për transparencë të votimeve, prej nga u formua qeveria e re. Ndërsa, për proceset që pasojnë shkakun, ndoshta është e tepërt të zgjatemi. Ato vërtet që kanë precedentë të shumtë. Pa dyshim dhe me shumicë, edhe në Shqipërinë e këtyre viteve të tranzicionit, ku spikat braktisja e Parlamentit nga grupet e Sali Berishës. Braktisja jo vetëm një herë dhe vetëm në pak kohë, por disa herë dhe me muaj e muaj të tërë. Atëherë, kur ai me grupet e veta nuk mund ta gëlltisnin dot qëndrimin në opozitë. Madje, injoronin edhe procesin e hartimit dhe të miratimit të Ligjit Themelor të shtetit. Aq më tepër mund të "arsyetoheshin" këto veprime, po të merrej që një version , një projekt të mëparshëm kushtetute, si produkt të "ekspertëve" mbi bazë të interesave personale të tij, populli e hodhi në kosh të mbeturinave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›