E Diel, 1 Nëntor 2026

Zyrtari i Ministrisë së Jashtme, pranga në Ambasadën e SHBA-së

27-vjeçari, i cili ka jetuar dhe studiuar në Amerikë, shkoi për të përfituar vizë Interpol-Uashington: Shqiptari Almir Rrapo kërkohej për drogë

Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme është arrestuar nga policia, pasi kërkohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbajtje të lëndëve narkotike. Bëhet fjalë për një 27-vjeçar, i cili kishte shkuar në Ambasadën Amerikane në Tiranë për të marrë vizë për në SHBA, kur është përballur me akuzat ndaj tij. Ai ka jetuar për një kohë të konsiderueshme në Amerikë, ku edhe ka studiuar, ndërkohë që tashmë do të dërgohet atje, jo si turist, por si një i arratisur dhe i kërkuar nga zyra e Interpolit në Uashington.

Arrestimi i Almir Rrapos, 27 vjeç, është bërë dy ditë më parë në zyrat e Ambasadës Amerikane në Tiranë, ndërkohë që ai nuk ka pranuar asnjë akuzë të ngritur ndaj tij. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka njoftuar për arrestimin e tij, por pa dhënë detaje zyrtare në lidhje me këtë person. Sipas të dhënave të besueshme nga policia, Rrapo, i cili është prezantuar në zyrat e diplomatëve amerikanë në vendin tonë si zyrtar i Ministrisë së Jashtme, ishte nisur për të marrë një vizë turistike. Ai është paraqitur në ambasadën amerikane paraditen e së premtes, bashkë me një pasaportë shërbimi, pasi mësohet se punon si sekretar në dikasterin shqiptar. Por, kur emri dhe fotoja e tij kanë rënë në dorë të nëpunësve amerikanë në vendin tonë, diçka nuk shkonte. Fotoja dhe emri i tij ishin të ngjashme me një person të kërkuar nga Interpol-Uashington. Në këto kushte, ata kanë njoftuar shërbimet e policisë shqiptare për t’u “dhuruar” të kërkuarin, i cili jo vetëm që fshihej në Shqipëri, por punonte edhe në zyrat e shtetit shqiptar.

Vetë zyrtari ka shprehur habi kur i kanë kërkuar që të shkojë me forcat e policisë shqiptare, megjithatë ka pranuar shoqërimin për në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Menjëherë aty kanë mbërritur specialistët e Interpol-Tiranës, të cilët nuk kishin informacion mbi aktivitetin e këtij personi. Ai është marrë në pyetje për disa orë, ndërkohë që burimet policore u shprehën se ka pasur edhe ndërhyrje nga zyrtarë të ndryshëm, të cilët kanë kërkuar sqarime mbi shoqërimin e 27-vjeçarit. Për disa orë ai është marrë në pyetje dhe në fund është vendosur arrestimi i tij për llogari të drejtësisë amerikane.

Pavarësisht se ai jetonte në territorin shqiptar, është dashur të paraqitet në Ambasadën Amerikane, që të bëhet njohja e tij nga zyrtarët e SHBA-së, të cilët kanë njoftuar policinë shqiptare. Sipas të dhënave, tashmë pritet që dosja e tij të vijë në Shqipëri për ta dërguar atë para togave të zeza, me qëllim për të vlerësuar drejt ekstradimin e tij. Policia shqiptare është shprehur se nuk ka shumë informacione në lidhje me të, pasi pritet të vijë dosja e plotë, megjithëse ka të dhëna se ai kërkohet në SHBA për posedim të lëndëve narkotike. Emri i tij dyshohet se ka dalë në një linjë trafiku, të goditur nga shërbimet e policisë amerikane dhe më pas ai është arratisur drejt Shqipërisë, me shpresën se nuk do të zbulohet kurrë. Policia tha se nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë do të dërgohet një letër-porosi, ndërkohë që informacionet e tjera janë vënë në dispozicion nga oficeri, i cili kishte në ngarkim këtë çështje.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›