E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pa siguri për investime

Rënies së madhe të investimeve të huaja në Kosovë, do t`ia japin teposhtëzen edhe më shumë aferat korruptive dhe arrestimet e fundit në vend. Ekonomistët mendojnë se asnjë investitor nuk e orienton biznesin e vet në atë vend ku arrestohen dhe bastisen përditë njerëz të institucioneve më të larta të shtetit.

Investitorët e huaj, aq më shumë i trembin ligjet që janë në fuqi, të cilat gjithashtu e konsiderojnë Kosovën si vend të rrezikshëm. Në njërën prej ligjeve të Bankës Qendrore thuhet se në Kosovë nuk guxon të investohet më shumë se pesë për qind e shumës së parave të Trustit Pensional të Kosovës, për shkak të rrezikut në tregun e vendit.

Në anën tjetër, drejtuesit e Qeverisë përditë thërrasin investitorë të huaj për të derdhur kapitalin e tyre këtu.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Naim Rrustemaj thotë se infrastruktura e njerëzve kryesorë të shtetit janë në afera korruptive dhe prandaj frikohen investitorët.

“Ata nuk vijnë të fusin kapitalin e tyre në atë shtet ku arrestohen njerëz kryesorë të vendit si guvernatori i Bankës Qendrore”, tha ai.

Sipas tij, logjika e investitorëve është që t`ia mësyjnë një vendi, në të cilin ka rregull dhe respektohet ligjshmëria, e jo të japin shuma të mëdha parash për ta nxjerrë një dokument.
“Kjo s`tregon aspak siguri për investitorët e huaj”.

Ai tha se edhe infrastruktura ligjore është një mangësi e madhe e Kosovës për të tërhequr investitorët. Në anën tjetër kritikoi edhe për qasjen e gabueshme të Qeverisë për kthimin e parave të veta në Kosovë.

“Si mundet Qeveria të thërrasë investitorë të huaj gjatë krejt kohës të vijnë në Kosovë, e në anën tjetër të mos guxojë t`i investojë paratë e veta në tregun tonë”.

Për këtë çështje, Qeveria është kritikuar edhe nga deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës.
Afër një miliard euro para të Kosovës janë të investuara ne tregjet ndërkombëtare financiare.

Ministri Lutfi Zharku pati thënë për Express se rënia e investimeve është vetëm rezultat i krizës financiare globale.
Memli Krasniqi, zëdhënës i Qeverisë, ka deklaruar për radion Evropa e Lirë se Qeveria po bën shumë për ta luftuar korrupsionin.

Ai ka treguar se të gjitha aksionet e deritashme janë aksione të Task-Forcës Kundër Korrupsionit, mekanizëm ky që është iniciuar dhe themeluar nga Qeveria e Kosovës.
Krasniqi pohon se është pikërisht qeveria aktuale ajo që ka thyer heshtjen dhe tolerimin dhjetëvjeçar të korrupsionit.

"Kështu që kjo është një iniciativë e përbashkët, në të cilën Qeveria dhe EULEX-i janë të përkushtuar për ta çuar luftën kundër korrupsionit deri në fund”, thekson Krasniqi.
Ismail Kastrati, ekspert për çështje ekonomike, thotë se nuk është me rëndësi të thyhet heshtja e korrupsionit.

Sipas tij, i rëndësishëm është rezultati përfundimtar i hetimeve që tashmë po zhvillon EULEX-i.
Shumë kompani të huaja edhe kanë ikur nga Kosova. Jo vetëm për arsye të korrupsionit, por edhe për shumë arsye të tjera.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›