“Pa taksa!”, si luga e florinjtë
Nga “Refleksionet” te “Kurbani” dhe nga ky te “Refleksionet”
Tani duket se Haxhi Pishmani po shfaq keqardhjen e vet që “Refleksionet”, me urdhër të prerë, i tërhoqi nga të gjitha shitoret, kioskat, libraritë, madje i bllokoi edhe në Bibliotekën Kombëtare, të gjitha “Refleksionet” e tij, duke i zhdukur nga qarkullimi. Nuk është dëgjuar që një autor librash të mbledhë me anë të njerëzve të tij librat e vet, nga janë e nga s’janë, e t’u vërë zjarrin. Përveçse në kohërat e inkuizicionit. Pra, na sollën në kujtesë kohërat mesjetare. Megjithatë s’dihet sesi mund të shpjegohet kur, në faqen 285 të këtij librit të dytë, flet edhe për librat e shfarosur. Në këtë pjesë të “Kurbanit” , në faqen e cituar, ai i quan librat e asgjësuar më parë tërë mllef, si “Refleksionet e famshme!”. Njeriu me tipare se ç’flet sot nuk thotë nesër, jo rastësisht, jo përkohësisht, por në vazhdimësí, përmendet si njerí me fiksime që, në mjekësi, cilësohet me një fjalë të vetme: paranojak.
Natyrisht koha i bën këta njerëz tërësisht të pabesueshëm. Në Pezë, më 16 shtator 1942, njerëzit mblidheshin në Pezë “Pa dallim feje, krahine dhe ideje”. Slogan demgaogësh, të propagandistëve hileqarë komunistë. “Pa dallim ideje”, në një kuptim të thjeshtëzuar, do të thotë pa dallime bindjesh politike. Ishte një joshje që njerëzit të mendonin se komunistët kinse nuk kishin asnjë alergji për pluralizmin. Por monizmi nuk vonoi të nxirrte kryet e djallëzuar, me vendosjen jo të një autokracie, por të një despotizmi gjakatar. Ishte si ajo luga e madhe e florinjtë me të cilën do të hanim, por nuk na mbeti në dorë veçse një lugë e drunjtë mikroskopike. Tani Edi Rama, që u shfaq në arenë si antikomunist me flatra, dhe pastaj u bë protagonisti i komunizmit në festimet anakronike të 16 shtatorëve në Pezë, në çdo fjalim të tij bën propagandë zgjedhore, duke dashur të na hedhë hi syve, sipas yrnekut të idhullit të tij, Enverit, gjatë të gjithë kohës që sundoi këtë popull fatkeq, me ndihmën e vëllezërve të Titos dhe, me metodat e përvetësuara prej Stalinit. Cilido që ka pasë durimin të mbërrijë në faqen 81 të librit të tij “Kurban”, lexon: “Të ardhurat nga taksat bashkiake u rritën në sinkron me zgjerimin e frymëmarrjes së ndryshimit. Njerëzit s’ishin mësuar të paguanin taksa, bashkia s’ishte munduar të mblidhte taksat ose, më saktë, s’kishte pasur, në dekadën e anarkisë urbane, as arsye që qytetarët të kuptonin për çfarë detyrimi në botë duhej të derdhnin lekë në arkën e Bashkisë së Tiranës dhe as arsye që institucionit të qeverisjes së kryeqytetit t’i jepnin forcën morale për të diktuar të drejtën e mbledhjes së taksave”.
Pa u përqendruar në stërhollimet, na bën përshtypje mbledhja e taksave si e drejtë bashkiake dhe fjala diktat, në kuptimin që kjo e drejtë duhet ushtruar me doemos. Pas dy faqesh, shkëputet nga tema e taksave për të treguar se “qyteti zhytej në ujë nga një rrebesh pakminutësh, sepse kanalet qenë pastruar për herë të fundit nga komunistët në ikje”. Pastaj bën mësymjen kundër bashkisë paraardhëse se “s’kishte zorra ujitjeje dhe të shkretave pemë etja u bëhej vdekje” (harron që pak rreshta më sipër flet për mungesën tërësore të ujit e, në këto kushte, ç’duhej zorra...?). Na hyn edhe tek Estrada, të cilën e quan “enveriane”, duke shtuar edhe: “kthyer në gjysmë mejhane e gjysmë në skenë vajtuese gaztorësh depresivë të Realizmit Socialist”.
Tani vjen sërish në taksat duke filluar më parë me ” rrugën e ngjyrosur të Durrësit”. Ai cilësimi “i ngjyrosur” përdoret me një ngrefosje narcizësh, para e pas faqes 83. Harron se edhe bojërat edhe bojaxhinjtë i sillte nga jashtë shtetit, me shpenzime të trefishta, a thua se nuk kishim bojaxhinj dhe thua se mungonin marketet për shitje bojërash në tregun tonë. Arkitekti i shquar estet ( P. Kolevica) e bombardoi me kritika të gjata në gazeta, për përdorimin e ngjyrave blu të errët në atë estradën (që ai e quajti mejhane), si edhe për budallallëkun që edhe sot përmendet si Pallati me Shigjeta (shtrembanike), por edhe për ndërtesat e tjera . Duhet të mos harrohet edhe ajo puna sipërfaqësore me bojatisjen vetëm në fasadën e dukshme, kurse objektet nga prapa mbeteshin të pabojatisura! Punë me hile e me shpenzime të mëdha, të pakontabilizuara si duhet. Kush e përlante reston?
Dhe ja. së fundi, pas hallakatjeve kot më kot, autori na vjen prapë në temë: “”Njëqind për qind të tregtarëve të Rrugës së Durrësit i paguan si asnjëherë më parë, një më një dhe në vijim, kudo ku ngjyrosej një rrugë ndodhte e njëjta gjë, madje nisi bashkëpunimi me biznesin anë rrugëve, që u bë pjesëmarrës për rindërtimin e trotuareve, riparimin e ndriçimit, mbjelljen e pemëve, vendosjen e stolave, pusetave, kangjellave dekorative e mbrojtëse”.
Edhe këtu një ndërhyrje: Kur ka ndodhur që kryebashkiaku Lulzim Basha t’u drejtohej tregtarëve që ata të bëheshin pjesëmarrës për rindërtimin e trotuareve, riparimin e ndriçimit, mbjelljen e pemëve, vendosjen e stolave, pusetave, kangjellave dekorative e mbrojtëse? Duke u mbështetur në thëniet e veta, na del se ky armik i sotëm i taksave, atëherë kur kishte skeptrin e bashkisë në dorë, përveç taksave “një më një”, caktonte edhe detyrime suplementare, gjer në riparimet e ndriçimit... rivendosjen e pusetave etj. Sa për pusetat, e kam të freskët në kujtesë, kur një gazetare e pyeti para mikrofonit, se “si i bëhet që kemi puseta të hapura kudo; madje një makinë, në kthimin nga Unaza për në “Don Bosko” doli jashtë përdorimit nga mungesa e kapakut të pusetës , duke shkaktuar edhe një të aksidentuar për mungesë të ndriçimit ...”. A e merrni me mend përgjigjen? - Pse, rojtar pusetash jam unë? (Dhe ia dha fjalën një gazetari tjetër...).
Sot prishen edhe lulet, pranë trotuareve, një sabotim i qëllimte, se duken edhe gjurmët e këpucëve...Dikush na thotë se një grua e kishte parë atë zelltarin e Ramës që po i shkelte me mllef lulet dhe i kishte ulëritur: - “Të mbettë varri pa lule, ishallah!”.