“Mandatin e ardhshëm, mbështetje e fuqishme për zhvillimin e zonave rurale”
Kryeministri viziton panairin e Mollës, organizuar në komunën Mollaj në Korçë
Kryeministri Berisha, gjatë qëndrimit në qytetin e Korçës, mori pjesë në Festën e Mollës dhe vizitoi panairin e organizuar me këtë rast, në komunën Mollaj të këtij rrethi. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe ministra të kabinetit qeveritar, deputetë të zonës, përfaqësues të pushtetit vendor, etj. Kreu i qeverisë u ndal në stendat e këtij panairi ku ekspozoheshin jo vetëm varietete të ndryshme të mollëve të zonës, por edhe produkte e gatime të bëra nga ky fryt karakteristik i zonës.
Gjatë bisedave të zhvilluara me tregtarë të ndryshëm në këtë panair, Kryeministri Berisha u njoh me punën dhe investimet e tyre në këtë fushë prodhimi, si dhe me dhe çështje të ndryshme të cilat ata ngritën.
“Gjatë vizitës në këto stenda unë pashë varietetet e mrekullueshme të mollëve që ju kultivoni, pashë prodhimet që ju gatuani dhe servirni nga molla. Por, mbi të gjitha, unë pashë gra e burra të cilët ndiheshin krenar me prodhimet e tyre, ndiheshin optimist me prodhimet e tyre, ndiheshin të vendosur për të zgjeruar më tej fermat e tyre. Në këto bashkëbisedime të shkurtra me ta, unë dëgjova edhe me shqetësimet e tyre, shqetësime që kanë të bëjnë me vaditjen, me çmimet e larta të kimikateve më të mira që duhen për spërkatje, shqetësime që kanë të bëjnë me investime të reja në agrobiznes. Unë jam këtu për t’u zotuar para jush dhe para gjithë fermerëve të Korçës se ne, në mandatin që vjen, do të bëjmë gjithçka që suksesi i tyre në këto vite të shumëfishohet”, u shpreh Berisha.
Kryeministri theksoi se qeveria ka investuar shumë në zonat rurale, sidomos në infrastrukturë rrugore, pasi pa rrugë, prodhimet e këtyre zonave do të mbeteshin pa dalje në treg. Kryeministri siguroi se mandati i ardhshëm do të jetë mbështetje e fuqishme ndaj zonave rurale, duke investuar fuqishëm, në bujqësi, në sistemet e vaditjes, në agro-biznes, agro-industri, pro edhe në mbështetje të drejtpërdrejtë të fermerëve. “Gjatë këtyre viteve, besoj se çdonjëri prej jush e ka ndier përpjekjen e jashtëzakonshme tonën për të bërë që fshatrat tona të kenë infrastrukturë të njëjtë me qytetet tona, në mënyrë që ju të keni rrugë të asfaltuara, që ju të keni ujësjellës, kanalizime, që fëmijët tanë të mësojnë në shkolla moderne, si kjo që inauguruam sot, e cila mund të ishte në çdo lagje të Tiranës a të Korçës. Këto kanë qenë projekte shumë të kushtueshme për ne, por unë ju garantoj se mandati i ri që vjen do të jetë mbi të gjitha mandati i fermave dhe fermerëve të Shqipërisë rurale”, tha kryeministri.