E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paanësi e njëanshme

safe_imageVështrim për librin e Oliver Jens Schmitt-it Kosova, histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike, përkthyer nga Enver Robelli, botimet Koha, Prishtinë 2012.

Nga Mehmet Kraja

Leximi. Lexuesi kosovar, me të marrë në dorë librin e Oliver Jens Schmitt-it Kosova, histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike, mund të përballet me sfidën e leximit të sinqertë dhe pa paragjykime. Schmitt-i është autor i huaj, i cili tashmë është bërë pjesë e ambientit tonë kulturor, për të ekziston një njohje relative e opinionit të gjerë, por njihet më shumë, gjithsesi, nga lexuesit e kualifikuar të historisë. Leximi me paragjykime i librit të Schmitt-it për Kosovën mund të shfaqet për tri arsye: E para, duke qenë autor i një libri për Skënderbeun, i cili është përfolur në ambientin tonë kulturor deri në zhvlerësim, ky demonizim i autorit mund të jetë faktor pengues për një lexim mendjehapur dhe vlerësim të drejtë. E dyta, mungesat e mëdha që ka shfaqur historiografia shqiptare, veçmas ajo e Kosovës, ka shkaktuar një ngopje dhe refuzim të lexuesit tanë ndaj autorëve vendorë dhe ndaj literaturës së historiografisë në përgjithësi, prandaj ikja prej këtyre autorëve mund ta çojë lexuesin e zakonshëm, por edhe atë të kualifikuar, te një lexim jo kritik të një autori të huaj. E treta, lexuesi ynë që një kohë të gjatë gjendet nën trysninë e literaturës historike të njëanshme për Kosovën, serbe ose shqiptare qoftë ajo, prandaj me mendjelehtësi mund ti dorëzohet literaturës historike që vjen nga provenienca europiane, duke e mbivlerësuar atë apriori. Mund të ketë edhe faktorë të tjerë pengues për një lexim të paanshëm të librit të Schmitt-it.

Argumentimi. Libri i Schmitt-it për Kosovën nuk është libër shkencor i mirëfilltë, më shumë ngjan me publicistikë. Literatura e vendosur në fund të librit nuk shërben për argumentim, por synon ta bëjë librin të besueshëm në sytë e lexuesit. Autori nuk ka bërë hulumtime shkencore të pavarura, më shumë është marrë me interpretimin e një literature profesionale të proveniencës shkencore historiografike të arealit gjerman. Duke i ofruar lexuesit pikëpamjet shkencore dhe joshkencore të shqiptarëve dhe serbëve, përmes një literature tashmë të njohur të njërës dhe palës tjetër dhe duke i ballafaquar pikëpamjet e tyre me një korpus veprash të autorëve perëndimorë, Schmitt-i synon që mbi argumentin shkencor të vendos pikëpamjen: pavarësisht se kush ka të drejtë, për perceptimin europian grindjet ballkanike janë bërë të bezdisshme dhe refuzuese, sepse asnjëra palë nuk e ka të drejtën e përjashtimit të palës tjetër, këtë të drejtë ekskluzive e kanë europerëndimorët, gjykimi i të cilëve, duke qenë mbi palët, vetvetiu është i paanshëm, i besueshëm dhe shkencor. Natyrisht që kjo është pikëpamje, është bindje, në ndonjë rrethanë mund të jetë edhe politikë, por nuk është shkencë. Në të njëjtën mënyrë, Schmitt-i kërkon të sigurojë paanësinë edhe duke afishuar në krye të librit një përkushtim të balancuar për studentët serbë dhe shqiptarë. Ky eurocentrizëm tashmë është i njohur për ne dhe, në shumicën e rasteve, në rrafshin shkencor të historisë, përfundon me një paanësi të njëanshme: çështjen e Kosovës e kthen aty ku tashmë e kemi parë një herë – në parimin e pandryshuar europian mbi të drejtën historike të Serbisë mbi Kosovën. Mund të ketë edhe arsye të tjera përse ndodh kështu, por kësaj paanësie të njëanshme Schmitt-i nuk i shpëton dot.

Burimet. Në këtë libër, Schmitt-i i ka të pakta hulumtimet e pavarura. Megjithatë, së paku në dy raste ai bën leximin e gabuar të dokumenteve, duke nxjerrë përfundime të paqëndrueshme për strukturën fetare dhe etnike të popullsisë së Kosovës në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX. Duke mbivlerësuar dokumentet e proveniencës perëndimore rreth kësaj çështjeje, autori iu referohet pa asnjë rezervë dokumenteve të Arkivit të Shtëpisë Mbretërore të Habsburgëve, sipas të cilëve popullsia sllave në Kosovë më 1880 ka një përqindje të lartë bullgarësh, respektivisht sllavë që njohin administrimin fetar të kishës bullgare, madje, numerikisht, në sanxhaqet e Prishtinës dhe Prizrenit bullgarë ka më shumë se serbë. Kjo situatë del e habitshme për autorin. Po sipas këtij burimi, më 1903 në sanxhakun e Prizrenit numri i bullgarëve del tepër i lartë. Po të mos e kishte prirjen e besimit gati të verbër të këtyre dokumenteve, Schmitt-i nuk do ta kishte të vështirë të gjente shpjegimet adekuate, sepse në fillim të librit ai vetë kishte pohuar se Kosova e sotme si nocion gjeografik-territorial nuk ishte as Kosova e mesjetës, as e periudhës osmane. Pra, prania e bullgarëve në Kosovën e kësaj periudhe lidhet me shtrirjen tjetër gjeografike që kishte Kosova, veçmas në drejtim të Serbisë jugore dhe të Maqedonisë së sotme. Ndërsa për strukturën e popullsisë, ta zëmë, të Prizrenit, po në këtë kohë, sikur të mos i nënvlerësonte burimet e proveniencës lokale, autori do të mund të nxirrte një përfundim më të pranueshëm dhe jo aq kontrovers për shkencën e historisë, sikur ti referohej tashmë jo burimeve të njëanshme shqiptare, por, ta zëmë, udhë-përshkrimeve të Branisllav Nushiqit, po të kësaj kohe.

Cinizmi. Lexuesi shqiptar në përgjithësi dhe veçmas lexuesi i Kosovës, në këtë periudhë të shkurtër të emancipimit, u mësua shpjet të mos ndjehet i fyer me trillimet dhe shpikjet më të shëmtuara, të cilat i janë adresuar në forma të ndryshme, qoftë si pamflete raciste, si traktate politike, apo si histori me veshje pseudoshkencore. Ky lexues tashmë është mësuar ta përballojë gënjeshtrën dhe cinizmin, fyerjen dhe përçmimin, madje ka arritur të mbahet disi i palënduar nga mësymjet e egra të shkrimtarisë së shovinizmit serb. Por nuk është mësuar, dhe do ta ketë të vështirë të mësohet edhe për një kohë të gjatë, me cinizmin e studiuesve të huaj, të cilët jo që nuk mund ta kuptojnë një realitet sado i ngatërruar të jetë ai, por me një mendjelehtësi anekdotike bien pre e konstruksioneve më fantastike. Për fat të keq disa kapituj të zinj të këtij diskursi përbëjnë pjesën qendrore të librit të Schmitt-it, janë bërthama e shkrimit të historisë së Kosovës, janë shtyllat kryesore të objektit të tij të studimit. Ndonëse përpiqet ti kalojë me një lehtësi disi të hareshme, sikur të bëhej fjalë për një piknik shkencor, vrojtimet dhe komentet e autorit për Lidhjen e Prizrenit, për lëvizjen kombëtare shqiptare deri më 1912 dhe pas saj, përfshirë këtu përkufizimin këmbëngulës identitar të kosovarëve si myslimanë shqipfolës, janë një torturë më vete për secilin lexues shqiptar. Cinizmi kap lartësi të paparë, me konstatimin e autorit se shqiptarët e Kosovës e arritën pjekurinë kombëtare vetëm me pushtimin e ty

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›