Pacientët në “Medicus” janë shënuar me nofka

Dy ndihmës anesteziologët, Islam Bytyqi dhe Sylejman Dulla, të akuzuar në rastin “Medicus”, kanë thënë se nuk kanë qenë në dijeni se puna që kanë kryer në klinikën “Medicus” ka qenë në kundërshtim me ligjin. Gjatë dëshmisë së tij para trupit gjykues, të premten, Islam Bytyqi, ka thënë se ai ka menduar që puna që e bënte ka qenë legale dhe se formularët e anestezionit të cilët ai i ka plotësuar e tregojnë këtë.
Bytyqi ka pranuar se ka qenë në dijeni se po merrte pjesë në operacione ku kryheshin transplantime organesh. Ai ka thënë se disa prej formularëve të anestezionit, të cilët prokurori i ka sjellë si prova, janë të plotësuar nga ai dhe se fakti që ai ka qenë i nënshkruar në ata formular, tregon se ai ka marrë pjesë në ato operacione, shkruan Koha ditore.
Prokurori i rastit, Jonathan Ratel, e ka pyetur atë për emrat e pacientëve, të cilët në ato fleta janë të shënuar vetëm me nofka ose pseudonime dhe jo emrat e plotë të tyre.
Bytyqi ka deklaruar se ai nuk e di pse pacientët në fletët e anestezionit janë të shënuar me nofka. /Indeksonline/