Pacipëri
Politikë në tragjedi
Meta u flet grevistëve të urisë në Shkodër për "klanin e Koços" dhe "rënien e Dokles" (!)
Ata na buzëqeshin përditë nga ekranet, me fytyrat e ndritshme prej shëndetit dhe kostumet e shtrenjta. Nuk është çudi, që, po t'ua përmendësh tashmë 9 janarin, do mbledhin buzët e do thonë: "Bah, akoma ju me këtë histori...".
Po, zonja dhe zotërinj të votuar nga shqiptarët, sigurisht që akoma. Kanë pesë vite familjarët e viktimave të 9 janarit që përballen me mashtrime, indiferentizëm, përçmim, (nga gjyqi i zhvilluar në Vlorë i nxjerrin jashtë). Dyert e institucioneve shtetërore u përplasen në fytyrë. Individë të veshur me pushtet në kohën e tragjedisë apo edhe sot, i kanë quajtur viktimat "trafikantë".
Tashmë së fundmi, të lodhur nga gënjeshtrat, disa të afërm të të zhdukurve që akoma nuk kanë një varr, kanë hyrë në grevë urie. Pranë vendit ku qëndrojnë pa ushqim, kanë vendosur arkivole bosh. Nuk kanë motive politike dhe as ekonomike. Kërkojnë drejtësinë e munguar, duan eshtrat e të zhdukurve. 28 jetë (27 ishin nga zona e Shkodrës) mori ajo tragjedi.
Pushteti i sotëm, atëherë në opozitë, premtoi shumë asokohe. Kurse sot fshihet brenda makinave të luksit me targa Z apo nëpër zyrat e paarritshme komode me orendi, roje e sekretarë të paguar nga shqiptarët.
U bënë 5 vite që familjarët e viktimave të Karaburunit kërkojnë drejtësi. 5 vite të gjatë që presin.
Presin që dikush t'u thotë se si ishte e vërteta, që dikush nga politika të ketë kurajën të kërkojë falje. Më e rëndësishmja, duan të dinë nga shteti që paguajnë se ku janë trupat e tetë të zhdukurve.
Ka qenë një gomone e dytë atë natë tmerri. U gjet katër orë pas të parës. Kishte njerëz edhe aty. Kishte shqiptarë, nga ata për të cilët politika kujtohet vetëm në fushata elektorale. E trishtë, shumë e trishtë, të vëresh sa hapur shfaqet pacipëria.
Shkaktarja, bëhet papritur edhe përfituesja.
Dje, pranë këtyre grevistëve erdhi z. Meta. Dhe është gati e pabesueshme ajo që tha e bëri aty zotëria nga Tirana.
U kujdes që të thoshte para kamerave që, "Berisha e Dokle duhet të ikin nga pushteti" (!), që "buxhetin e Bashkisë së Tiranës e ka bërë Kokëdhima", (!) që LSI-ja do fitojë zgjedhjet, etj. Madje, me ose pa dashje, "ngatërroi" dhe emrin e Kryeministrit shqiptar të kohës së tragjedisë, (tha Majko e në fakt ishte Nano).
Zoti Meta, si gazetare prej dekadash në Shkodër, po ju them se dëshmuat paturpësi deri në cinizëm.
Nuk u duhen atyre tre fatkëqijve as Berisha, as hallet e partisë tënde, e as buxheti i Tiranës. U kujdesët të përfitoni nga kjo tragjedi si të tjerët, duke u tallur me tre të dëshpëruar.
Ata tentonin të flisnin me ju për trupat e zhdukur të fëmijëve të tyre dhe ju ktheheshit nga kamerat për të sharë Ramën, Berishën, apo Koço Kokëdhimën.
Sjellja juaj është edhe më e rëndë se sa indiferentizmi që të tjerët kanë dëshmuar për 9 janarin këto 5 vite.
Është më e rëndë se humbja e shpresës, pasi për ne shkodranët, tallja rëndon më shumë. Ju ikët duke lënë pas deklarata fushate pa lidhje me problemin e grevistëve.
Thatë që do të bëni edhe protesta. Po ju bëj një pyetje. Pse tani? Ku ishit këta 5 vite të gjatë? Pse nuk keni ndikuar për ta zbardhur këtë ngjarje? Zoti Meta, zgjodhët vend të gabuar për të nisur fushatën tuaj elektorale. Shfrytëzuat fatkeqësinë e prindërve.
Ata janë njerëz të thjeshtë. Mësoni prej tyre, t'i edhe gjithë të tjerët në politikë. Mësoni se sa fisnikëri arrin të gjejë njeriu edhe në dhimbje. Me ndershmëri e bujari, ata dinë të nderojnë këdo, pavarësisht nga qëllimet e tyre të lexueshme.
*Autorja është korrespondente e shtypit në Shkodër