Zhbllokohen pas dhjetë ditësh izolim 2000 banorë
Një fond emergjent nga këshilli i qarkut ka arritur të bëjë të mundur hapjen e 30 kilometrave rrugë
SHKODËR - Dhënia e një fondi emergjent nga këshilli i qarkut të Shkodrës ka bërë të mundur që të punohet për zhbllokimin e aksit rrugor Selcë-Vermosh , ku dëbora e rënë në majin shkurt bllokoi rreth 2000 banorë. Fondi i emergjencës prej 500 000 mijë lekësh të reja ka bërë të mundur që pas 10 ditësh izolimi të plotë ky aks rrugor të bëhet i kalueshëm.
Sipas drejtorit të ndërmarrjes së rrugëve rurale në Shkodër, Gjovalin Kodra, rreth 30 km rrugë ishin të bllokuar dhe trashësia e dëborës, e cila në pjesë të caktuara arrinte deri 3 metra dhe zhbllokimi i saj ka sjellë mjaft vështirësi. Duke qenë se kjo ndërmarrje nuk ka as mjete dhe as fonde të mjaftueshme për të bërë të mundur zhbllokimin e akseve rrugore rurale që bllokohen nga dëbora me fondin e dhënë nga Këshilli i Qarkut është angazhuar një ndërrmarrje private për zhbllokimin e rrugës.
Për tri ditë është zhbllokuar aksi Qafë e Perdolecit-Vermosh, ku dëbora e ngrica janë të mëdha. Nikë Gega, banor i zonës, shprehet se tashmë është e mundur të kalohet, ndonëse ka ngricë akoma dhe rruga është e dëmtuar edhe kur nuk ka dëborë. Ai shton se 10 ditë izolimi total kanë qenë tepër të rënda për rreth 2000 banorët, ndërkohë që ka dhe mungesë të madhe medikamentesh mjekësore, dhe bllokimi i rrugës nuk u ka mundësi që banorët të lëvizin për t'i siguruar ilaçet diku tjetër.
Vermoshi, që është dhe skaji më verior i vendit, bllokohet disa herë në vit nga dëbora, por atje prej gati dy vjetësh mungon mjeku, ndërsa aktualisht nuk ka as infermier. "Mjeku i vetëm i Këlmendit që punon në Tamarë, vjen dy here në muaj në Vermosh dhe nuk largohet pa mbaruar gjithë vizitat, por zona jonë mbetet e izoluar gjatë dhe nuk ka çfarë të na bëjë një mjek që vjen nga Tamara , ndërsa nuk kemi as infermierë dhe as ilaçe, - shprehen banorët.
Kërkesat e vazhdueshme për të pasur mjek e infermier posaçërisht për këtë zonë nuk janë plotësuar, ndërsa në periudhën e izolimit banorët e Vermoshit e kanë të vështirë dhe të shkojnë në Mal të Zi e të mjekohen pasi dhe andej bie dëborë. Nikë Doni shprehet se rruga është bërë e kalueshme, por mjetet lëvizin ngadalë e me zinxhirë, pasi temperaturat e ulta vazhdojnë të pengojnë shkrirjen e dëborës që këtu ka rënë në sasi të mëdha.
Ndërmarrja rajonale e rrugëve rurale të qarkut Shkodër ka në mirëmbajtje 18 akse rrugore në 3 rrethet e qarkut te Shkodrës me 302 km rrugë. Mjetet e pakta dhe mungesa e fondeve e vështirësojnë mjaft punën e kësaj ndërmarrjeje, duke qenë se akset rrugore që ajo mirëmban janë kryesisht në zonat e thella malore të këtij qarku.