E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alibeaj: Dërguam në kohë dosjen e Drizës

Ministri i Drejtësisë, gjatë prezantimit të punës së vitit të kaluar, ka pohuar se mosekstradimet janë përgjegjësi e shteteve ku janë subjektet


Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, duke folur gjatë mesditës së djeshme për analizën vjetore të institucionit të drejtuar prej tij, ka prekur edhe çështjen e ekstradimeve dhe mbi rastin e fundit të arratisjes së ish- bosit të fondacionit piramidal "Populli", Bashkim Driza. Në lidhje me arratisjen e tij në kohën që ai ishte në process ekstradimi drejt Shqipërisë nga pala Uruguajane, ai ka vënë përgjegjësinë mbi vendin ku ai ndodhej i arrestuar. Sipas Alibeajt, përgjegjësia për këto raste bie mbi sistemet e drejtesisë në vendet ku shqiptarët e kërkuar janë arrestuar dhe mbi ta zhvillohet një proces gjyqësor me qëllim transferimin e tij për vuajtjen e dënimit në drejtim të Shqipërisë. Ministri i Drejtësisë tha se në rastin e Drizës, ata kishin përgatitur në kohë dhe brenda afatit dokumentacionin e nevojshëm ligjor duke e dërguar në Uruguaj. Driza tashmë prej një jave konfirmohet si i arratisur nga vendi i arrestit në shtëpinë e tij në Motevideo ku ndodhej pas kapjes nga policia e Uruguajit për llogari të autoriteteve Shqiptare. Kjo ka bërë që Interpol Tirana ta rishpallë në kërkim, 50- vjeçarin i cili për herë të fundit pa burgun në Shqipëri, gjatë periudhës së trazirave të vitit 1997. Pas hapjes së burgjeve ai u arratis fillimisht në drejtim të Gjermanisë ku besohet se qëndroi deri në vitin 2003, ndërsa më pas u largua në drejtim të Uruguajit ku edhe u arrestua. Ndërsa një javë më parë, ai e braktisi shtëpinë e tij, ku qëndronte në gjendje arresti në pritje të ekstradimit drejt Shqipërisë.
Ndërkaq ekstradimet nga Anglia, duket se janë një ngërç tjetër për autoritetet shqiptare të drejtësisë, pasi në këtë vend qëndrojnë më tepër se 100 shtetas të dënuar në Shqipëri shumica për krime të rënda. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, deklaroi në një media britanike se shqiptarët e kërkuar që fshihen në Angli dhe në të gjithë Britaninë e Madhe, kanë mundur të fitojnë strehim apo azil falë dokumentacionit të tyre të falsifikuar të paraqitur pranë autoriteteve. Dy javë më parë, Ministri i britanik për Policinë dhe Sigurinë Publike, mbërriti në Tiranë ku pohoi se do të angazhohej seriozisht në çështjen e ekstradimit të shqiptarëve të kërkuar dhe të dënuar në vendin tonë dhe që ndodheshin në Britani, apo që kishin mundur të fitonin strehim ligjor në këtë vend. Mes çështjeve të prekura britaniku, pohoi se do të bënte përpjekje për lobing, për eksradimin e Ilir Kumbaros në drejtim të Shqipërisë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›