E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, 26 milionë lekë gjobë peshkarexhës italiane

Peshkatarët kundërshtuan vendimin duke pretenduar se në ujërat shqiptare i kanë shtyrë rrymat detare

VLORË - Peshkatarët e ndaluar dy net më parë nga roja bregdetare pasi po peshkonin në ujërat territoriale shqiptare në mënyrë të paligjshme, refuzuan dje që të firmosin vendimin e policisë kufitare dhe drejtorisë së peshkimit të Vlorës për gjobitjen e tyre me një shumë prej 26 milionë lekësh.


Sipas tyre, vlera e gjobës është më e lartë edhe se vetë vlera e peshkarexhës së tyre, ndërsa u shprehën se hyrja e tyre në ujërat territoriale shqiptare nuk kishte ndodhur me dëshirë, por për shkak se ishin zhvendosur nga rryma detare. "Në momentin kur erdhën rojet bregdetare shqiptare, ne vazhdonte të na shtynte rryma, ndërsa rrjetat ishin të tërhequra, dhe jo të hedhura normalisht, - mësohet të jenë shprehur peshkatarët italianë, duke kërkuar të hedhin poshtë faktin se ata po peshkonin në ujërat shqiptare. Ndërkohë ata kanë kërkuar takim me autoritetet e konsullatës dhe ambasadës italiane, ndërsa bëhet e ditur se ata nuk janë lejuar të zbresin nga anija në tokë. Peshkatarët kanë kërkuar edhe komunikimin me oficerë të kapitenerisë.


Ata e kanë cilësuar të padrejtë mbajtjen e tyre në port "pa një shkak madhor". Ndërkohë, Reshat Xhelili, inspektor i drejtorisë së peshkimit në Vlorë u shpreh se sipas procesverbalit të mbajtur nga policia kufitare dhe rojet bregdetare, rezulton se peshkarexha ishte kapur duke peshkuar në mënyrë të paligjshme në ujërat territoriale shqiptare, duke shkelur kështu konventën ndërkombëtare të peshkimit. Si rrjedhojë, për ta është vendosur një gjobë prej 26 milionë lekësh, si dhe është bllokuar peshkarexha deri në pagesën e gjobës. Në rast se çështja kalon në një proces gjyqësor, atëherë do të jenë togat e zeza ato që do të vendosin për fatin e peshkatarëve dhe peshkarexhës së tyre "Giove". Ndërkohë, priten bisedime mes autoriteteve shqiptare e italiane për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›