E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tentohet të vritet biznesmeni italian

PRONAT/ Konflikti i pronësisë ka përfshirë edhe Tiberio Putinianon, i cili kishte një rrobaqepësi në Fushë-Krujë

FUSHË-KRUJË - Një investues italian, 55 vjeç, ka rrezikuar jetën pas një konflikti që ka lindur për shkak të pronësisë mes tij dhe një banori të qytetit ku ai kishte aktivitetin. Tentativa për vrasje u realizua përmes të një të ashtuquajturi "aksident automobilistik" që më pas rezultoi se nuk ishte gjë tjetër por veç rrjedhojë e një sherri mes viktimës dhe drejtuesit të automjetit. Tiberio Putiniano u godit mëngjesin e djeshëm nga një makinë, e cila më pas u largua me shpejtësi, duke e lënë të plagosur. Transporti i tij në spital dhe mësimi i ngjarjes ka çuar edhe në reagimin e Ambasadës Italiane, që ka kërkuar hetimin e ngjarjes, ndërkohë që policia arriti të arrestojë autorin dhe të zbulojë se ngjarja kishte në bazë të saj një konflikt pronësie.


"Aksidenti"


Mëngjesin e djeshëm, teksa Tiberio Putiniano i është drejtuar objektit ku ai ka investuar në Fushë-Krujë, në oborrin e ndërtesës ka gjetur edhe Bardhyl Petën, i cili sërish ka nisur të debatojë me pronarin italian, i cili nuk ka pranuar të linte fabrikën e tij dhe të cilën Peta pretendonte se ishte ndërtuar mbi tokën e tij. Në këto kushte, pas një debati të vazhdueshëm, Bardhyli ka hipur në makinë, e ka ndezur dhe i është drejtuar Tiberios, të cilin pasi e ka përplasur dhe ka menduar se ka vdekur, e ka lënë në rrugë, duke u larguar. Ngjarja ka ndodhur në kohën që punëtoret vinin për në punë dhe gjithçka mësohet të jetë parë prej tyre, si dhe të jetë filmuar nga djali i pronarit italian, edhe ai i pranishëm në vendngjarje.

Hetimi

Nga burime të policisë mësohet se 55-vjeçari Tiberio Putiniano është pronar i një rrobaqepësie që e zhvillon aktivitetin në mjediset e ish-Ndërmarrjes së Grumbullimit në Fushë-Krujë. Mëngjesin e djeshëm, teksa ecte në këmbë drejt rrobaqepësisë, një makinë frenoi në këmbët e tij dhe drejtuesi i automjetit fillimisht e kërcënoi me armë. Pas grindjes me zë të lartë, drejtuesi ka rihipur në makinë dhe e ka goditur kundërshtarin duke e përplasur dhe duke e lënë të gjakosur në anë të rrugës. Sipas dëshmitarëve, në makinë ndodheshin dy persona. Viktima është ndihmuar nga kalimtarët dhe është dërguar me shpejtësi drejt Spitalit Ushtarak. Pas hetimeve të para u vërtetua se "aksidenti" ishte i qëllimshëm. Autori u arrestua dy orë më pas në afërsi të qytetit të Mamurrasit, ndërsa u mësua se ai ishte Bardhyl Peta, 34 vjeç, nga Fushë-Kruja. Nga ana tjetër, policia ka marrë në mbrojtje djalin e biznesmenit italian.


Prona


Burime konfidenciale bëjnë të ditur se Bardhyl Peta pretendon se përveç kabinës elektrike, edhe objekti i ish-Ndërmarrjes së Grumbullimit të Fushë - Krujës është ngritur në tokën e tij. Si rrjedhojë, ai i ka kërkuar disa herë pronarit italian që ta lërë ndërtesën dhe të largohet që aty. Por, investuesi e kishte blerë objektin vetëm dy vjet më parë dhe në të kishte hapur një fabrikë punimi veshmbathjesh ku kishte punësuar rreth 40 punëtore. Kjo gjë ka bërë që ai të refuzojë ta hedhë në kosh gjithë atë investim të kryer dhe, për rrjedhojë, të refuzojë edhe kërkesën e Petës.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›