Dule mbron Bollanon: E sulmojnë padrejtësisht
PBDNJ ka shënjestruar strukturat shtetërore dhe në veçanti ato të drejtësisë shqiptare, për rastin Bollano. Kreu i kësaj partie, Vangjel Dule, e ka quajtur procesin gjyqësor në ngarkim të kryetarit të Bashkisë së Himarës dhe njëkohësisht kreut të OMONIA-s, Vasil Bollano, një absurditet që kërkon ta mbajë Shqipërinë larg asaj që po ndodh në vendet e tjera të Evropës moderne. Dule këtë deklaratë e ka bërë gjatë një takimi me strukturat drejtuese të PBDNJ-së mbrëmjen e së premtes në Gjirokastër. “Ai që flet për të drejtat e minoriteteve shpeshherë është i paragjykuar, shpeshherë gjendet edhe i akuzuar, shpeshherë kërkohet edhe penalizimi i tyre, siç ndodh në rastin e kryetarit të bashkimit demokratik të minoritetit etnik grek, Vasil Bollano, për faktin e vetëm se kërkon që edhe në Shqipëri të zbatohet konventa kuadër për të drejtat e pjesëtarëve të minoriteteve etnike, siç ka vendosur Parlamenti shqiptar”, theksoi Dule. Pak ditë më parë ishte organizata “Omonia”, e cila u shpreh se do t’i kërkojë PBDNJ-së që të rishikojë marrëdhëniet e saj me koalicionin qeveritar, por që kjo pikë nuk u prek nga ana e kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule. Prokuroria e Vlorës kërkoi para një jave dënimin me një vit burg dhe 500 mijë lekë gjobë për Vasil Bollanon për heqjen e të gjitha tabelave orientuese në gjuhën shqipe në rrugën e bregdetit nga fshati Qeparo deri në Qafë-Llogara. p.n