Pack: Ju lutem mos aplikoni në BE
TIRANE
Parlamenti Evropian i bashkohet qëndrimeve të institucioneve të tjera të BE-së, që Shqipëria të mos aplikojë në këto momente për marrjen e statusit kandidat. Kryetarja e delegacionit për Evropën Juglindore në Parlamentin Evropian, Doris Pack tha në një intervistë për “Alsat” se një aplikim, të cilit do t’i mungonte përgjigjja e shpejtë e BE-së është më i dëmshëm për vendin sesa pritja për ta bërë këtë gjë në një moment më të përshtatshëm. Sipas Pack Shqipëria ka bërë hapa të mëdha përpara dhe për këtë duhet ta vlerësoj. Por, sipas saj, nuk është momenti për të kërkuar statusin kandidat. “Sepse nëse e shihni çfarë ndodh në BE në këtë moment që po flasim, do të kemi dhe zgjedhjet e Parlamentit Evropian, do të kemi një Komision të ri. Ata nuk do të marrin asnjë përgjigje. Kjo do të thotë se ta bësh kërkesën në muajin prill për shembull atëherë nuk do të ketë asnjë përgjigje gjatë këtij viti dhe do të duhet të presin”, theksoi Pack. “Pra është më shumë frustruese që të kërkosh diçka dhe të mos marrësh përgjigje në kohë, sesa të presësh dhe të vazhdosh të punosh drejt Bashkimit Evropian. Dhe unë mendoj se nuk ju bën asnjë dëm nëse ata presin. Si një mike e Shqipërisë unë mund t’ju them, ju lutem prisni. Dhe mos e përdorni këtë për ndonjë manovër politike pasi kjo gjë nuk ju ndihmon”, vijoi më tej kryetarja e Delegacionit për Evropën Juglindore në Parlamentin Evropian. Duke shpjeguar situatën aktuale në Parlamentin Evropian, Pack theksoi fillimisht duhet të jenë dakord 27 vendet e BE-së, duke shtuar se në këtë moment Unioni ka probleme të tjera. “Unë po ju them që ata nuk mund të marrin asnjë drite jeshile gjatë këtij viti. Ju flas nga eksperienca ime. Tani kemi presidencën çeke, por presidenca çeke nuk mund ta bëjë e vetme pasi duhet të jenë dakord të 27 vendet dhe pikërisht në këtë moment ne kemi probleme të tjera sesa t’i përgjigjemi kësaj kërkese”, theksoi Pack. Njëkohësisht sipas saj, 2009 është një vit elektoral për Parlamentin Evropian, çka ia zvogëlon shanset Shqipërisë nëse aplikon. “Kemi një situatë ku kemi edhe zgjedhjet siç ju thashë dhe konstituimin e Komisionit të ri. Unë jam e sigurt, të paktën kështu mendoj ndoshta dhe gabohem, por eksperienca ime që është e gjatë në këtë çështje, pra që nuk do të ketë asnjë përgjigje këtë vit. Pra, ju lutem prisni. Prisni dhe nëse e bëjnë në fund të vitit aplikimin atëherë mund të marrin përgjigjen vitin tjetër. Kjo do të ishtë rruga korrekte. Më besoni”, përfundoi Pack. Vlen të theksohet se në këtë çështje Doris Pack nuk përfaqëson vetëm opinionin e kryetares së delegacionit europarlamentar me rajonin e Ballkanit, por edhe vendin e saj, Gjermaninë, e cila, përveç recesionit ekonomik dhe problemeve brenda BE-së, përballet këtë vit me zgjedhje të shumta në vend, të cilave iu shtohen edhe ato të Parlamentit Evropian. Ndërkohë, pak ditë më parë Komisioni Evropian bëri të ditur se Shqipëria duhet të paraqesë rezultate konkrete si përsa i përket detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i MSA-së, ashtu edhe zhvillimi i zgjedhjeve të 28 qershorit sipas standardeve evropiane dhe më pas të shikohet çështja e statusit.
Dade: I parakohshëm aplikimi
Nëse Shqipëria aplikon gjatë presidencës çeke për statusin vendit kandidat, kërkesa e saj rrezikon të mbetet në sirtarët e Brukselit. Deklarata vjen nga ish-ministrja e Jashtme Arta Dade dhe njëkohësisht sekretare për marrëdhëniet me jashtë në Partinë Socialiste, e cila vlerëson se sinjalet e Bashkimit Evropian të çojnë pikërisht në këtë konkluzion. “Askush nuk ka ndërmend që në një periudhë kaq të shkurtër ta konsiderojë aplikimin e Shqipërisë, kështu që kërkesa për aplikim mund të mbetet në sirtarët e Komisionit Evropian deri në një moment që Bashkimi Evropian të mendojë që mund të jetë moment i përshtatshëm për ta shqyrtuar këtë kërkesë. Me sa duket aktorët kryesorë të Bashkimit Evropian nuk e mendojnë momentin më të përshtatshëm dhe sigurisht në mënyrë të përsëritur komisioneri Oli Rehn, ka deklaruar se Shqipëria duhet të përmbushë pikë së pari standardet politike”, u shpreh Arta Dade.