E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria në NATO, Sllovenia dorëzon dokumentin në Uashington

 

Sllovenia ka depozituar në Washington dokumentet e ratifikimit të protokollit për anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Lajmi bëhet i ditur nga Agjencitë Sllovene të lajmeve, sipas të cilave, dokumentet që konfirmojnë ratifikimin e protokollit për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO tashmë kanë mbërritur në Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë për Kroacinë nuk bëhet e ditur një gjë e tillë. Pak kohë më parë, një parti e vogël në Parlamentin Slloven bllokoi dërgimin e këtyre dokumenteve në Washington, për shkak të konfliktit për kufirin që Lubjana ka me Zagrebin, duke kërkuar mbledhjen e 40 mijë firmave që janë 2 për qind e elektoratit, të cilat janë të nevojshme për një referendum. Rrëzimi nga Parlamenti slloven i protokollit të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Kroacinë ka vënë në tension  Aleancën. Pas rrëzimit nga Parlamenti slloven i dy marrëveshjeve të Kroacisë dhe Shqipërisë, mësohet se Sekretari i Përgjithshëm i Jap De Hop Shefer ka thirrur direkt në Bruksel për bisedime, Ministren e Mbrojtjes së Sllovenisë, Ljubica Jelusiç. Agjencia sllovene, STA, ka cituar ditë më parë burimet zyrtare nga qeveria, të cilat kanë pohuar për mediat vendase në Lubjanë se “takimi Shefer-Jelusiç erdhi pasi Parlamenti nuk miratoi Protokollin për anëtarësim të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO para Samitit të pritshëm në prill të këtij viti”. NATO shpreson ende se Sllovenia do të bëjë lëvizjet e duhura politike për të ratifikuar në parlamentin e saj anëtarësimin me të drejta të plota dhe të Kroacisë në Aleancë, por veprimi i djeshëm sipas agjencive e largon një shpresë të tillë. Duke folur pak ditë më parë për agjencinë shtetërore të lajmeve sllovene, STA, Jelusiç u shpreh se “Sllovenia është në pritje të disa lëvizjeve politike që do të mund të pasonin me mbajtjen e një seance parlamentare dhe shqyrtimin e miratimit të Protokollit për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›