E Diel, 1 Nëntor 2026

Sfida

Edmond Arizaj 

Ilir Meta lëshoi në Shkodër dorashkën e sfidës televizive ndaj Edi Ramës.Dhe dukej që ishte serioze Deri në masën e përballjes me kryesocialistin në televizionin që thuhet se kontrollohet prej tij dhe në një fushë që sipas socialistëve Rama e ka të kontrollueshme. Pra Meta, pranon ta nisë sfidën qoftë edhe me dy pikë minus. I mbetet Ramës vendimi publik për ta pranuar këtë sfidë.
Nëse ai pranon, nuk do t'i bëjë vetëm një "nder" multi-fitimprurës televizionit që do të organizojë debatin. Por me këtë rast do të marrin fund edhe zërat akuzonjës se vetë Rama nuk hyn kurrë në debat. Do të reshtin hamendësimet se Rama e ka frikë përballjen me Metën për shkaqe që vetëm ata të dy i dinë. Do të sfumohen pandehmat se Rama nuk e parapëlqen debatin "LIVE", sepse nuk e kontrollon dot. E përveç këtyre, Rama do të ketë edhe mundësinë më të madhe për t'i thënë direkt ish-mikut Ilir, se ku ka gabuar, se pse ka gabuar, se ku po vazhdon të gabojë dhe si mund të korrigjojë gabimet. Por fitorja më e madhe e pranimit të debatit nga ana e Ramës do të jetë për vetë socialistët, që vazhdojnë të quhen kështu vetëm për inerci. Janë ata që e ndiejnë handikapin më të madh e një mossqarim publik për ndarjen e së majtës dhe tejthellimin e hendekut që çan LSI me PS. Socialistët duhet të kuptojnë se pse u shërben në këtë moment ideja përtej tyre dhe përtej së djathtës, kur vetëm me bashkimin e të gjithë së majtës ata ishin fitimtarë në 2005-ën, jo më në 2009, kur mbi Berishën rëndojnë me dhjetëra zullume. Pse të majtët duhet të rrezikojnë në një fushë të minuar, ku lëvizin edhe të djathtët (sipas idesë së përtejshme), kur vetëm me pak dëshirë dhe vullnet ata janë të sigurt në fitoren e tyre. Dhe ishte pikërisht premtimi i këtij bashkimi që i ka dhënë Ramës fuqinë e besimit. Ky do të ishte sqarimi publik që kërkohet prej kreut të PS-së dhe që pranimi i sfidës së Metës ia jep mundësinë e shpëlarjes së ndërgjegjes. Por nga ana tjetër do të jetë vetë Rama që do t'i japë përgjigje pretendimeve të Metës. Pra, nuk do të jetë i detyruar të nxjerrë pas çdo pasthirrme të kreut të LSI-së, zëdhënësit e shumtë të PS-së, apo ndonjë partie të re. 
Por ka shumë gjasa që Rama edhe të mos pranojë, ashtu si në fakt ka bërë deri tani. Pa paragjykime apo profetizime, nuk duhet besuar se kjo sfidë e kësaj radhe e Metës mund të jetë më e veçantë se të tjerat, që ta bindin Ramën për një debat televiziv pa dorashka dhe manipulime montazhesh. Ndoshta ende nuk e ka kuptuar se mijëra njerëz, votues potencialë, por edhe të kënduar e të parë nëpër botë, vlerësojnë më shumë debatin e hapur e të drejtpërdrejtë, rrahjen e ideve, por qoftë edhe përballjen e akuzave, se sa mitingjet elektorale, ku të kënaqet syri me ngjyra e të ngrohet veshi me thirrje, por ku nuk të mbetet asgjë në mendje. Mospranimi i debatit nga vetë kryetari i Partisë Socialiste, do të përforcojë "thashethemnajën" që qarkullon nëpër studiot televizive, se ai nuk toleron që në një debat ku janë të ftuar ekspertët apo drejtuesit e LSI-së të jenë edhe homologët e PS-së. Eshtë kjo një strategji për të treguar se partia që drejton Rama është shumë e madhe dhe nuk ka kohë të humbasë me parti të vogla si ajo që drejton Meta, apo vazhdon të mbizotërojë shprehja "gjigande" e Ruçit, se LSI është pika e ujit në detin e së majtës (tani përtej saj), këtë mund ta shpjegojë vetëm Rama.
Mospranimi i sfidës televizive nga Rama nuk do të jetë gjë tjetër, veçse pohimi pa zë i dyshimit të madh se ai nuk i përballon dot tensionet e një debati, ku "gabimi" i fundit i këtij lloji nga ana e kryesocialistit daton vite më parë, dhe as nuk mbahet mend p.sh., nga vullnetarët e rinj. Por nuk janë të paktë këta vullnetarë të rinj që kanë ndjekur me ëndje debatet mes Obamës (idhulli i Ramës) dhe rivales Klinton brenda një force politike e më pas mes Obamës dhe Mekein, kundërshtarë politikë. Dhe ndoshta edhe për hir të këtyre vullnetarëve të rinj, që besojnë se Rama do t'u sjellë politikën e re, ai duhet të pranojë debatin. Sepse një politikë e re, që flet 24 orë për engjëllin Obama, ndërsa vepron si djalli Mugabe, nuk është gjë tjetër veçse politikë pedokrate.
Në të vërtetë jemi të etur të shohim një debat që e tejkalon monotoninë e përballjeve të sotme. Rama duhet ta mësojë që debati është pjesë e fitores që ai kërkon. Në një përballje televizive ai merr, ose humbet pikë, kjo është në varësi të zotësisë. Drejtpërdrejtë, përballë kundërshtarit politik, atij i vlerësohen dhjetëra të dhëna personale që duhen për një aspirant-burrështeti. Si fillim Rama duhet të pranojë sfidën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›