Pack: Përdorimi politik i përmbytjeve nga Rama, një turp
Përdorimi politik i përmbytjeve nga ana e opozitës është cilësuar si një turp nga eurodeputetja Doris Pack. Në një deklaratë për mediat shqiptare, eurodeputetja Pack deklaroi se në situata të tilla shqiptarët duhet të qëndrojnë të bashkuar dhe se përdorimi politik i tragjedive është i turpshëm. Ajo kujtoi përmbytjet në Gjermani vite më parë, kohë kur e gjithë politika ishte bashkë dhe askush nuk bënte akuza, veçanërisht qeverisë. “Më kujtohen përmbytjet në Gjermani disa vjet më parë, këto janë gjëra që ndodhin rrallë. Si fillim mund të them që të jesh i përgatitur dhe të menaxhosh situatën janë dy gjëra të ndryshme. Nga njëra anë, qeveria shqiptare në menaxhimin e situatës ka bërë atë që duhej, duhet t’i përgëzojmë për punën që kanë bërë ushtria, qeveria dhe aktorët e tjerë në terren. Nuk mendoj se zoti Rama nuk e ka mësuar mësimin, pasi ai po përdor edhe përmbytjet për diskutime partiake. Është e turpshme, pasi kur kujtoj përmbytjet e mëdha në Gjermani, të gjitha forcat politike u bashkuan dhe asnjë nuk akuzonte qeverinë se nuk ka bërë këtë apo atë. Kjo është një situatë në të cilën shqiptarët duhet të qëndrojnë të bashkuar”, - deklaroi për mediat eurodeputetja Doris Pack. Njëkohësisht Pack i bëri thirrje Partisë Socialiste të kthehet në Kuvend. Sipas saj, socialistët duhet të braktisin politikën personale të Edi Ramës, e cila po dëmton rëndë imazhin e Shqipërisë. “Opozitë që rri në rrugë dhe nuk luan rolin e saj në Parlament përçon një imazh negativ për Shqipërinë. Ata po e përdorin Shqipërinë për interesa shumë private. I takon Partisë Socialiste që të kuptojë se ata nuk mund të vazhdojnë më kështu”, - deklaroi Pack. Menaxhimi i mirë i përmbytjeve në veri të vendit është vlerësuar nga eurodeputetja Dorisa Pack. Edhe kryetari i Delegacionit për Evropën Juglindore, Eduard Kukan, ka dënuar bojkotin e opozitës shqiptare. “Sigurisht që opozita duhet të kthehet në Kuvend, në vend ka një situatë të mirë demokratike, ka vend për opozitën për të luajtur rolin e saj. Fakti që ata nuk po marrin pjesë në punimet e Kuvendit, është diçka e keqe për vendin, mendoj se ata duhet ta rishohin vendimin e tyre dhe shoqëria të funksionojë siç duhet”, - deklaroi Kukan.
Komisioneri i Zgjerimit, Fule: Vizat, në korrik
Ndërkohë që komisioneri i ri për Zgjerimin, Stefan Fule, deklaroi dje në Bruksel për mediat shqiptare se shpreson që liberalizimi i vizave me Shqipërinë të realizohet në muajin korrik. Ai vlerësoi mbështetjen e Parlamentit Evropian në këtë proces, por kërkoi plotësimin e të gjitha kushteve të udhërrëfyesit për vizat. “Shpresoj se do të bëhet realitet”, - deklaroi Fule pasi u pyet nëse vizat do të hiqen në muajin korrik. “Kjo nuk varet vetëm nga mbështetja e Parlamentit Evropian, pavarësisht se e vlerësojmë shumë këtë mbështetje. Bërja e detyrave të shtëpisë nga këto dy vende do të çonte në përfitimin e regjimit të liberalizimit të vizave për këto dy vende”, - deklaroi më tej Stefan Fule.