E Diel, 1 Nëntor 2026

Belgjika, mbështetje për situatën e përmbytjeve dhe vizat

Belgjika do të mbështesë Shqipërinë në përballimin e situatës së vështirë të përmbytjeve, por edhe në procesin e integrimit, duke nisur nga liberalizimi i shpejtë i vizave. Një konfirmim i tillë erdhi dje nga krerët e Parlamentit të Belgjikës, të cilët pritën në Bruksel kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli. Kryetarja e Kuvendit u takua me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Patrick Dewael. Ai premtoi në këtë takim se Belgjika, vend që merr presidencën e radhës së BE-së në korrik të vitit 2010, do të japë mbështetje për zonat e përmbytura. Topalli bisedoi me Dewael, duke u paraprirë vendimmarrjeve që kanë lidhje me liberalizimin e vizave dhe opinionin që do të japë Komisioni për kërkesën e vendit kandidat, ndërkohë që Presidenca aktuale spanjolle dhe Presidenca e ardhshme belge koordinojnë mes tyre, për këto vendime. Mbështetja për situatën e përmbytjeve dhe liberalizimi i vizave ishin temat e bisedimeve për të cilat kryetarja e Kuvendit mori mbështetje. Kryetari Patrick Dewael siguroi për angazhimin e tij personal në ndihmë të Shqipërisë në këtë situatë. Dy kryetarët ranë dakord që të komunikojnë në vijimësi edhe për ecurinë e përgatitjes për statusin e vendit kandidat. Kryetarja e Kuvendit tha se është plotësuar tashmë mbi 90 për qind e përgjigjeve të pyetësorit dhe është bërë leximi i parë dhe se punohet intensivisht e në mënyrë profesionale për të.
Topalli zhvilloi një takim edhe me kryetarin e Senatit së Mbretërisë së Belgjikës, Armand De Decker, një takim i cili u përqendrua në procesin e liberalizimit të vizave. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u shpreh se arsyeja kryesore e vizitës së saj në Bruksel është pikërisht procesi i liberalizimit të vizave, pasi siç u shpreh ajo, korriku i ardhshëm, kur shqiptarët shpresojnë dhe besojnë se do të hiqen vizat, koinçidon me Presidencën belge. "Unë u inkurajova nga autoritetet më të rëndësishme belge për të bërë të mundur që gjatë kësaj presidence të arrijmë atë që është gjëja më kryesore për Shqipërinë, heqja e vizave", - u shpreh kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Kryetari i Senatit belg tha se liberalizimi i vizave është i rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Evropën si e tërë. Topalli shpjegoi se nga pala shqiptare është punuar në mënyrë intensive për arritjen e liberalizimit të vizave në korrik të 2010-s dhe paralelisht po punohet lidhur me Pyetësorin e Komisionit Evropian. “Meqenëse korriku i ardhshëm, kur shqiptarët shpresojnë dhe besojnë se do të hiqen vizat do të koinçidojë me Presidencën belge, ishte kjo arsyeja kryesore për të cilën unë jam këtu”, - tha më tej Topalli. Në deklaratën e tij për mediat, kryetari i Senatit belg, Armand De Decker, dha mbështetje të plotë për procesin e integrimit për Shqipërinë, duke vënë theksin tek një liberalizim sa më i shpejtë vizash me qytetarët shqiptarë. “Kjo është mbështetja e Belgjikës, mbështetja e Senatit të Belgjikës, për të ndihmuar Shqipërinë që të arrijë liberalizimin e vizave. Mendoj se do të ishte një shenjë e mirë dhe e rëndësishme për shqiptarët dhe për bashkimin e Evropës”, - deklaroi kryetari i Senatit belg, Armand De Decker.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›