E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pack: Zgjedhjet në Kosovë të jenë të qeta e demokratike

PRISHTINE - Një grup parlamentarësh europianë, në të cilën merr pjesë dhe eurodeputeja gjermane Doris Pack do të vëzhgojë zgjedhjet lokale që mbahen të dielën në Kosovë.

Pack vlerësoi si shumë me rëndësi zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike si dhe pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në to.

“Është me shumë rëndësi që këto zgjedhje të mbahen të qeta dhe të zhvillohen sipas rregullave demokratike. Ju tashmë keni përvojë pasi keni pasur disa parë zgjedhje deri më tani. Do të ishte veçanërisht me rëndësi që në këto zgjedhje të dalin qytetarët serbë të Kosovës, sepse ata janë qytetarë të barabartë. Nëse duan të jetojnë në Kosovë dhe nëse mendojnë të ardhmen vet, të fëmijëve dhe familjeve të tyre, qytetarët serbë duhet të dalin në këto zgjedhje dhe të bashkëpunojnë me institucionet e vendit”- tha Pack në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës

Zgjedhjet lokale në Kosovë janë të parat zgjedhje vendore që vëzhgohen nga Parlamenti Europian por Pack thotë se ato kanë rëndësi për shkak të decentralizimit që fillon me komunat e reja.

“Ne duam të tregojmë se jemi të interesuar të përcjellim Kosovën në rrugën e saj të demokratizimit. Ky vëzhgim i zgjedhjeve që do ta bëjmë, më shumë është një aksion i vullnetit të mirë që duam ta tregojmë për Kosovën. Ne natyrisht nuk do të takohemi me përfaqësues të OSBE-së të cilët janë atje që sa kohë dhe po përcjellin procesin, por do të vizitojmë disa vendvotime, do të takojmë e bisedojmë me përfaqësues të këshillave lokale zgjedhorë, sigurisht do të takojmë edhe politikanët e lartë të Kosovës. “

Në mesazhin që i përcjell votuesve kosovarë pak ditë nga votimet, Pack i bën thirrje të gjithë shtetasve që jetojnë në Kosovë të jetojnë në harmoni me njëri tjetrin dhe jo të bien pre e ndikimeve dhe kërcënimeve që vijnë nga jashtë.

Sa i përket liberalizimit të vizave, për të cilët PE do të diskutojë sot për heqjen e vizave për Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi, Pack tha se Kosova ka bërë përparime të dukshme, dhe nuk mund të lihet pas dore dhe jashtë procesit të liberalizimit të vizave.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›