Pacolli: Ëndrra ime pajtimi i serbëve dhe kosovarëve

Disa ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, Behxhet Pacolli ka deklaruar për një gazetë kroate, se ëndrra e tij është të pajtojë serbët dhe kosovarët.
Në intervistën e dhënë më 24 shkurt 2008 për gazetën “Veçernji list”, kandidati për postin e Presidentit të vendit, Behxhet Pacolli, e ka cilësuar Serbinë si “nënë të Kosovës, por të keqe”.
Në intervistën e realizuar në rezidencën e tij në Lugano të Zvicrës, lideri i AKR-së ka folur edhe për takimet që ka ka realizuar në vitin 1999 me “kasapin e Ballkanit”, Sllobodan Millosheviçin, hetimet që i kishte nisur ish-prokurorja Karla del Ponte, si edhe për jetën e tij private.
Gazeta “Veçernji list” ka shkruar në atë kohë se Pacolli nuk ka shumë fjalë të këqija për serbët, përkundër të gjitha krimeve që ata kanë bërë kundër popullit të tij, dhe se për të, Serbia ende është nënë e Kosovës, por për fat të keq, nënë e keqe.
Kandidati për president, i cili pritet që të votohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës, në atë kohë pati thënë: “Kur prindërit nuk sillen si duhet me fëmijën, nëse e keqtrajtojnë, atëherë do të gjendet dikush që do t’ia marrë fëmijën. Ky është rasti me Kosovën”.