Pacolli Debatet per koalicionin demokratike
Kryetari i AKR-së, Behxhet Pacolli, në një intervistë për mediat kosovare nuk ngurron të flasë hapur edhe për ato çështje që në media së fundi u munduan t’i jepnin një pamje dështimi, se partia dhe koalicioni i krijuar nga ai po shkonin drejt shembjes, si pasojë e mospajtimeve të brendshme. Sipas tij, AKR-ja është një parti vërtet demokratike, ku ka debat dhe diskutime. “Mund të ketë divergjenca të vogla në deklarime, por kur ne përcaktojmë objektiva, punojmë të gjithë për realizimin e tyre. Ne nuk hymë në qeveri më 2007-n me gjithë ofertat; ne nuk vodhëm apo nuk blemë vota asnjëherë”, ka thënë ai. Lidhur me aleancën e mundshme me PDK-në, ai ka thënë se AKR-ja nuk ka asnjë “vijë të kuqe”. “Ne jemi të hapur për çdo koalicion, por pas certifikimit të zgjedhjeve, që do të kryhet pasi të zhvillohet rivotimi dhe rinumërimi i votave. Më vjen mirë se ky pozicion u afirmua sërish në një mbledhje të fundit të liderëve të Koalicionit për Kosovë të Re. Pra, në AKR nuk ka rënë tërmeti, por tregon demokraci, luftë vlerash”, ka thënë Pacolli.