E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurti: Legjitimiteti i zgjedhjeve legjitimitet i hajdutëve

PRISHTINE-Lideri i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, në një intervistë për gazetën Koha Ditore është shprehur se procesi i fundit zgjedhor është i papranueshëm. “Nuk është as i ndershëm e as demokratik. Kurse rezultati i këtyre zgjedhjeve, meqë i përfshin të gjitha këto parregullsi dhe vjedhje, është rezultat i kontestueshëm. Për pasojë, legjitimiteti i këtyre zgjedhjeve është legjitimitet i hajnave dhe i dhunës”, ka deklaruar ai.
Ka qenë një moment kur kreu i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, e ka ndier të nevojshme mbikëqyrjen ndërkombëtare në Kosovë. Kjo ka ndodhur ditën e zgjedhjeve. Ai ka pritur që “ndërkombëtarët” së paku më 12 dhjetor nuk do të lejonin që të vidhej në mënyrë të pamëshirshme vullneti i qytetarëve.
Por u zhgënjye. “Pikërisht atë ditë mungoi mbikëqyrja ndërkombëtare”, thotë ai në intervistën për “Koha Ditore”.

Megjithatë, Kurti nuk e përjashton mundësinë e hyrjes në Kuvend, ndonëse nuk tregon nëse deputetët e “Vetëvendosjes” do të betohen në Kushtetutë. Por për një gjë shprehet i sigurt. Asnjëri nga ta, thotë se nuk do të pranojë të shëtitet me makina të Kuvendit, e aq më pak të jetë i rrethuar me truproja. Deputetët e “Vetëvendosjes”, sipas tij, do të angazhohen që automjetet e blinduara dhe siguria fizike t’u ofrohet prokurorëve dhe gjyqtarëve, atyre që në fakt duhet ta luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Kryeaktivisti i “Vetëvendosjes” nuk është ndier keq që lideri i PDK-së i ka vënë vijë të kuqe koalicionit të mundshëm me subjektin që ai e drejton, ashtu siç nuk është pajtuar me kreun e LDK-së për krijimin e një qeverie teknike. Me PDK-në, LDK-në, por edhe me partitë e tjera të pasluftës ai ka thënë se “Vetëvendosja” nuk bëhet bashkë në asnjë lloj kombinimi.

Për dallim nga liderët e tjerë politikë të Kosovës dhe të Shqipërisë, Kurti nxjerr diçka “pozitive” në raportin e Dick Martyt. Raporti i Dickut, sipas tij, e “disiplinoi dhe e servilosi Hashim Thaçin si kurrë më parë”. Në intervistë ai shpreh edhe mospajtimin me mënyrën e përfaqësimit të interesave të veteranëve të luftës së UÇK-së.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›