Thaci Pas rivotimeve publikohet qeveria e re
Hashim Thaçi po pret që në janar t’i hiqet epiteti që aktualisht ka, Kryeministër në largim. Ai beson se në gjysmën e parë të këtij muaji do të zyrtarizojë koalicionin, që do t’i siguronte shumicën e ulëseve në Kuvend, pra udhëheqjen e ekzekutivit deri në vitin 2014. Kreu i PDK-së nuk tregon se më kë do ta bëjë atë koalicion, por thekson se kush nuk mund të bashkëqeverisë me të. E në grupin e dytë, përveç “Vetëvendosjes” lë jahstë edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës. Kreu i qeverisë thekson më tej se qëndrimi i partisë 21-vjeçare në opozitë, do ta pasuronte tërë skenën politike në vend. Thaçi nuk ngurron të përzihet në punë të brendshme të kësaj partie dhe t’i tregojë kryetarit të saj, Isa Musafa, se për të është më mirë që të merret me reformimin dhe forcimin e LDK-së në katër vitet e ardhshme. Thaçi thekson se Mustafa nuk duhet të shpresojë në krijimin e ndonjë qeverie teknike, e as të mos përpiqet që krizën e brendshme të partisë ta zgjerojë në krizë vendi. Me bindjen se është politikani më i votuar në Kosovë, Thaçi deklaron se e ndien veten përgjegjës për të gjetur një President të mirë dhe nuk thotë nëse ai mund të jetë Behxhet Pacolli, Blerim Shala, Murat Jashari apo Adem Demaçi, por konfirmon se Presidenti i ri do të ketë edhe adresë politike. “Vijat e kuqe” që i nxjerrin disa prej drejtuesve të AAK-së për të mos hyrë në koalicion me PDK-në, Thaçi nuk i merr shumë seriozisht, ashtu sikur nuk e mohon se po t’i jepej mundësia do të vizitonte Ramush Haradinajn në Tribunalin e Hagës.
BisedimetFormula për krijimin e qeverisë së re duket të jetë mjaft e vështirë për t’u gjetur, edhe pse kreu i PDK-së, Hashim Thaçi, tashmë ka hedhur hapat e parë në këtë drejtim. Javën e kaluar, Thaçi bashkë me liderin e AKR-së, Behxhet Pacolli, kishin dhënë sinjalet e para se do të punojnë bashkë për krijimin e koalicionit, pas rivotimit të caktuar për 9 janar dhe pas certifikimit të rezultateve. Por, Kryeministrit në dorëheqje, i cili, sipas të gjitha gjasave, do të jetë mandatar për krijimin e qeverisë së re, nuk është duke i ecur shumë mirë me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, për të cilën ai dhe zyrtarë të lartë të PDK-së tashmë kanë dhënë sinjale se duan ta kenë në qeverinë që do të krijohet. Aktualisht, në partinë e Ramush Haradinajt duket se janë duke mbizotëruar dy rryma për qeverisjen me PDK-në.
Zyrtarë të lartë të AAK-së të premten nuk kanë arritur të takohen për të sqaruar pozicionin e tyre. Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, Daut Haradinaj, ka thënë se një takim i tillë pritet të mbahet ditëve të ardhshme. Ai nuk ka pranuar të japë ndonjë qëndrim rreth koalicionit me PDK-në për shkak se, sipas tij, ende nuk ka një qëndrim unik brenda këtij subjekti. “Nuk dëshiroj të dal unë me ndonjë mendim ndryshe nga të tjerët”, ka thënë Haradinaj. Një opsion i AAK-së për çështjen e koalicioneve është prezantuar nga sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Burim Ramadani. Ai ka thënë se kjo parti do të hynte në një qeveri të re vetëm nëse Ramush Haradinaj do të ishte Kryeministër. “Aleanca, deri tani ka shprehur qëndrimin mjaft të qartë se do të hyjë në çfarëdolloj koalicioni me zotin Ramush Haradinaj Kryeministër. Përndryshe, AAK-ja do ta vazhdojë punën e saj në opozitë, një punë e fuqishme si një opozitë konstruktive, duke pritur zgjedhjet e ardhshme, të cilat shpresojmë se do të mbahen shumë shpejt”, ka thënë Ramadani. Një koalicion ndërmjet PDK-së dhe AAK-së nuk duket i pamundur nga analisti politik Shkëlzen Maliqi. Ai thotë se brenda AAK-së aktualisht ka dy rryma, por, sipas tij, ende ka kohë dhe mundësia për të arritur një marrëveshje ekziston. “Ka shumë kohë, edhe dy-tri javë. Tashmë është koha e testimit të disponimeve. Është e qartë se në AAK janë dy rryma dhe secila prej tyre i ka argumentet e forta. Njëra është që dëshiron të mbetet në opozitë dhe të mos hyjë në koalicion me PDK-në. Maliqi thekson se është rrezik të hyjë, sepse mund të ndikojë negativisht në qëndrueshmërinë dhe në ardhmërinë e AAK-së. Kjo ndodh, thekson Maliqi nëse Ramush Haradinaj nuk kthehet vitin e ardhshëm, atëherë kjo parti mund ta rrezikojë ekzistencën e vet.